Nishani: Në 2009-ën, votime me karta identiteti
"Në zgjedhjet e 2009-ës shqiptarët do të jenë të pajisur me karta identiteti". Kjo garanci është dhënë dje në Komisionin e posaçëm parlamentar për Integrimin në NATO, nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Gjatë raportimit të tij në këtë komision, Nishani ka përjashtuar në këtë mënyrë votimin me certifikata. "Ajo që është kryesore dhe u intereson të gjithëve, është se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2009-ës shqiptarët do të kenë kartat e identitetit për të votuar, nga qershori i 2008-ës do të kemi një sistem të plotë elektronik të regjistrit të gjendjes civile. Është një proces në vazhdim dhe hartimi i listave paraprake do të burojë nga ky regjistër dhe të gjithë shtetasit shqiptarë që regjistrohen me identitetin përkatës në këtë sistem mbeten gjatë gjithë jetës së tyre me këtë identitet dhe nuk do të kenë mundësi për ta ndryshuar më. E rëndësishme është se brenda këtij sistemi është dhe ai i adresave", është shprehur ministri Nishani. Më tej, ai ka theksuar se pas katër muajsh përfundon instalimi i sistemit të ri elektronik i të dhënave, në të cilin do të ruhen jo vetëm të dhënat e shtetit shqiptar si pronë e shtetit, por në këtë sistem të dhënat e ofruara nga shqiptarët do të jenë të pandryshueshme. Ministri sqaroi më tej se "brenda një periudhe 4 deri në 6 muaj nga përcaktimi i fituesit të koncesionit fillon shpërndarja e kartave dhe pasaportat juridike, kartat e identitetit janë të një standardi të lartë me çip elektronik dhe shumë elemente të tjera të sigurisë, me fotografi biometrike të mbajtësit. Çipi elektronik është i tillë që do të mbetet i hapur për të insertuar edhe shqyrtime të tjera". Ministri ka informuar Komisionin e posaçëm për Integrimin në NATO, se pas dy javësh qeveria hap tenderin ndërkombëtar, nga e cila do të përzgjidhet një kompani, e cila do të pajisë shqiptarët me karta të reja identiteti. Gjithashtu, Nishani ka theksuar se po punohet për përgatitjen që na përafron me NATO-n. "Kemi përfunduar hartimin e projektit për luftën kundër terrorizmit dhe kundër krimit të organizuar, ndërsa po punojmë për përgatitjen e ndarjes së re territoriale administrative të vendit", tha ministri.