Kalendar i krizës
Për herë të parë, njoftimi për kalendarin artistik të Teatrit të Operës dhe Baletit, vjen jo nga strukturat drejtuese të këtij institucioni, por nga zyra e shtypit të Ministrisë së Kulturës. Ky është një precedent jo i pazakontë, që sipas drejtorisë së TKOBAP-it, tregon për komprometimin e rëndë që ministria po i bën vetes me akte të tilla të diktimit në distancë të një procedure, për të cilën nuk ka kurrfarë të drejtë ligjore. Edhe pse kalendari përcillet për median nga Bordi Artistik, fakti që si udhë përdoret Ministria e Kulturës, tregon sipas drejtorisë së institucionit implikimin politik të problemit. Por çfarë thuhet në njoftimin e ardhur nga ministria? Është Bordi Artistik që rendit arsyet e mospublikimit të kalendarit artistik të Teatrit të Operës dhe Baletit si dhe Ansamblit Popullor, ku aludohet se pengesë kryesore është bërë drejtori i përgjithshëm Zhani Ciko. Ja se si shkruhet në njoftimin për shtyp: "Në vijim të aktivitetit të tij, Bordi Artistik njofton shtypin dhe median, se në kundërshtim me keqinformime botuar nëpër gazeta apo shprehur në TV, Kalendari Artistik i TKOBAP për vitin 2008 është vonuar, për arsyen se: ‘Duke qenë detyrë ekskluzive e tij në bazë të Statutit, Bordi Artistik është mbledhur (në mbledhjen e tij të parë) dt. 11 janar 2008, rreth 5 muaj pasi është miratuar. Kjo ka ndodhur, sepse titullari i TKOBAP (njëkohësisht kryetar i Bordit), ka bllokuar në mënyrë të njëanshme e të paargumentuar ligjore zhvillimin normal të mbledhjeve. Përpara kësaj situate jonormale, e cila ka bllokuar kalendarin artistik e të procedurës për zbardhjen financiare, anëtaret e Bordit, si organ kolegjial, kanë ushtruar të drejtën e tyre për mbledhje, me kërkesë të më shumë se 2/3 e tij; E mësuar me mentalitetin e derisotshëm, Drejtoria e Institucionit nuk ka zbatuar kërkesën e Bordit Artistik (në mbledhjen e parë), për të miratuar kalendarin artistik vjetor në bazë të informacionit vjetor financiar. Duke i munguar një përvojë decentralizuese e transparente, drejtoria ka vijuar që të veprojë, duke kërkuar miratim titujsh dhe aktivitetesh pa zbardhur dot preventivin vjetor, siç ndodh në të gjitha institucionet analoge në botë. Informojmë, se ky preventiv, vijon të mos zbardhet e të vonohet pa arsye nga ana e Drejtorisë së TKOBAP. Në vijim, Bordi po mblidhet në situata emergjente çdo javë dhe në mbledhjen e dt. 2 shkurt 2008, ka miratuar titujt dhe kalendarin vjetor, i cili, si detyrim prioritar i Drejtorisë dhe i zyrës së marketingut, duhet të ishte shpallur që atë ditë. Në mungesë të këtij detyrimi institucional, Bordi Artistik bën shpalljen e tij, duke tejkaluar kompetencat dhe detyrimet".
Siç dhe shihet nga fjalia e fundit, Bordi Artistik pranon tejkalimin e kompetencave dhe detyrimeve, por e përligj këtë me arsyet që rendit më sipër. Dhe si finalizim i gjithë kësaj analize shpall kalendarin artistik të sezonit.
Kalendari i shpërndarë nga Bordi Artistik
Shfaqje Repertori:
Vissi d‘Arte - Homazh për Puçinin (TOB)
Skena nga operat Don Giovanni e Rigoletto (TOB)
Porto Tango - spektakël baleti (TOB)
"E lashta Çamëri" (AP)
"Përvjetori i lumturisë" (TOB)
Opera "Madam Butterfly" (TOB)
"Dëbora zbardhi maleve" (AP)
Opera "Trovatore" (TOB)
Festivali Popullor i Këngës Qytetare (AP)
Koncert Simfonik (TOB)
"Homazh për baletin rus" (TOB)
Dita Muzikës (TOB)
Pjesëmarrje në Festivalin e Shkupit
Opera "Toska" (TOB)
Opera "Traviata" (TOB)
Opera "Aida" (TOB)
Koncert për Festën e Pavarësisë (TOBAP)
Koncert për Ditën e Demokracisë (TOBAP)
Koncert-Homazh për Panajot Kanaçin (AP)
Koncert me Inva Mulën (Krishtlindje) (TOB)
Koncert "Shtrausiana" (TOB)
Premiera:
Opera "Berberi Seviljes" (TOB)
Opera "Rrëmbimi nga Sarajet" (TOB)
Puçini - Triptiku Operistik
Baleti "Carmina Burana" (TOB)
Baleti "Copelia" (TOB)
Pjesëmarrje në "Peçi Festival" (TOB)
Balet Gala (TOB)