E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, Berisha dhe Rama shmangin aleatët

Socialistët dhe demokratët duket të jenë investuar totalisht në realizimin e një takimi Rama-Berisha për reformën zgjedhore. Mision që ka bërë të lihen mënjanë aleatët respektivë të djathtë e të majtë. Mesazhet e "dashurisë" mes dy liderëve të politikës ka gjasa të kenë një bazë të shëndoshë konsensusi. Prej javësh Rama dhe Berisha kanë preferuar të mos komunikojnë me aleatët për detajet e reformës. Periudhë në të cilën ka vijuar normalisht kontakti mes socialistëve dhe demokratëve në nivel bashkëkryetarësh të Komisionit të Reformës. Fakt që është pranuar publikisht prej Kryeministrit Berisha, teksa fliste për reformën zgjedhore e deklaronte: "Të më pyesni mua se ku ndahemi, të jem i sinqertë, nuk e di". Në të njëjtën gjatësi vale reagoi kreu i socialistëve, Edi Rama, kur e cilësoi takimin me Berishën si "pjesë të procesit". Të frikësuar nga ideja e një pakti Rama-Berisha, të vegjlit janë bërë grusht, duke denoncuar njëzëri, atë çka e cilësojnë "pakt të vjetër". E para që reagoi ishte partia e Ilir Metës, që u ndoq nga Nard Ndoka i PDK-së e Arian Madhi i PR-së. Në një situatë të tillë, përballë presionit të aleatëve, Berisha dhe Rama kanë kërkuar publikisht mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Reformës. Por, teksa të vegjlit, njësoj si PS-ja dhe PD-ja bëjnë këtë kërkesë, nuk kuptohet kush pengon mbledhjen e komisionit dhe kush kërkon që ai të mblidhet.

Berisha

Kryeministri Berisha informoi dje deputetët demokratë në mbledhjen e grupit kuvendor se mes PD-së dhe PS-së ka kontakte të vazhdueshme për t‘i dhënë zgjidhje reformës zgjedhore. Në këtë mënyrë, kreu i PD-së ka anashkaluar përfshirjen e aleatëve të tij

nga kjo reformë. "Zoti Rusmali, së bashku me zotin Islami, kanë vazhduar komunikimin dhe kanë elaboruar opsione dhe mundësira me të cilat rezulton se është plotësisht i mundshëm që ajo frymë që karakterizoi diskutimin e ligjit për drejtësinë, ajo frymë të karakterizojë diskutimin për reformën zgjedhore, si dhe për reformat e tjera", tha Berisha. Kryeministri ka pranuar në këtë mënyrë hapur se mes demokratëve dhe socialistëve ka kontakte të vazhdueshme për të konkretizuar reformën zgjedhore, por nuk ka përmendur takime me aleatët e PD-së mbi këtë reformë. Berisha bëri me dije se duke filluar nga kjo javë do të paraqiten opsionet e mazhorancës për realizimin e sistemit të ri elektoral. "Ekziston mirëkuptimi i duhur mes mazhorancës dhe opozitës për reformën zgjedhore", tha ai. Duke theksuar se reformat janë themeli i një sistemi demokratik, Kryeministri nënvizoi se mbetet ende punë intensive për të bërë në javët në vijim, me qëllim konkretizimin e rezultatit të reformës zgjedhore.

Rama

Kreu i socialistëve shprehu shqetësim për domosdoshmërinë e rifillimit të punës nga ana e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore. "I cili duhet të mblidhet vijimësisht gjatë gjithë javëve në vijim, për ta zhvilluar debatin për këtë reformë esenciale në tryezën e përfaqësuesve të mandatuar të partive në Parlament dhe jo thjesht e vetëm në televizione e gazeta", konstatoi ai. Rama vlerësoi se kjo është një reformë e vështirë, një reformë që ngjall debat të zjarrtë kudo në botën demokratike, një reformë që, si çdo reformë tjetër prek pashmangshmërisht status quo-në, por që, duke qenë në mes interesat e drejtpërdrejta të partive, e rrit natyrshëm në një nivel krejt të pazakonshëm ndjeshmërinë e çdo force politike. Rama ftoi kolegët e partive parlamentare që ta orkestrojnë këtë proces delikat me maturi, të debatojmë me pasion, por pa mllef. "Të ushqejmë njëri-tjetrin me pikëpamje e argumente e jo të neveritim shqiptarët me një tjetër episod ku dominojnë akuzat, insinuatat, të pavërtetat", tha Rama. Duke kërkuar që të nxirret njëherë e mirë Shqipëria nga lista e zezë e vendeve që nuk bëjnë zgjedhje të lira e të ndershme sipas standardeve evropiane. "E që prodhojnë parlamente si ky i Dushkut, të cilët lindin nga trafikimi i votës e i deputetëve, jetojnë me trafik votash e deputetësh dhe marrin peng vetë zgjedhjet e Parlamentin e ardhshëm përmes trafikut të votave e të deputetëve", insistoi Rama.

Rebelohet Ceka

Presidenti i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, deklaroi dje se dy partitë kryesore nuk po pyesin aleatët. Sipas tij, po rrezikohet të vendoset një diktaturë, pasi nuk merren parasysh propozimet e partive të vogla. Ceka u shpreh se nëse dy partitë do të bllokojnë Komisionin për Reformën Zgjedhore, atëherë rrezikohet edhe një krizë qeveritare. Reagimi i Cekës vjen si kundërshti ndaj afrimit të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Apo së fundi ideja e hedhur për takimin mes Edi Ramës dhe Sali Berishës, me synim arritjen e një pakti për reformën zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›