Beci: Rruga Shëngjin-Velipojë krijon vijë bregdetare ranore të pandërprerë, do lidhet me Ulqinin

TIRANË, 25 prill/ATSH/ Drejtuesi politik i qarkut të Shkodrës, Benet Beci, tha sot se ndërtimi i rrugës Shëngjin-Velipojë do të sjellë një zhvillim më të madh të turizmit dhe të ekonomisë në këto zona.
Në fjalën e tij gjatë një takimi me përfaqësuesit e bizneseve, të zhvilluar në këtë aks, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Beci tha se “nuk është thjesht një rrugë kjo lidhje jo vetëm turistike, por është koncepti që kemi pasur prej kohësh me Kryeministrin sesi gjithë rajoni duhet të përfshihet në një produkt turistik të përbashkët”.
“Sot vija e pandërprerë nëpërmjet kësaj rruge ranore dhe shumë të bukur, zgjerohet Shëngjini dhe Velipoja, dhe projekti i urës që po ecën me pak vonesë nga Mali i Zi krijon një vijë bregdetare ranore të pandërprerë prej rreth 40 km. Fillon në Shëngjin, kalon në Velipojë e deri në Ulqin që është unike për gjithë pjesën e Mesdheut”, nënvizoi Beci.
E them këtë, vijoi Beci, se kjo është shoqëruar me disa investime si nga ana e Shëngjinit dhe Shkodrës ku po mbarojmë fizibilitetin me rrugët e tjera lidhëse në Velipojë, që i përshtaten gjithë zhvillimit turistik të zonës.
“Kjo rrugë do të krijojë atë gjë të paramenduar në gjithë planin e zhvillimit të këtij rajoni dhe Shkodrës e në bashkëpunim me Lezhën”, shtoi Beci.
Beci u shpreh se “Velipoja është për Shkodrën pesha më e madhe ekonomike, ka 50% të numrit të shtretërve që funksionojnë dhe po ashtu edhe pesha e të ardhurave ekonomike”.
Beci bëri të ditur se bashkë me Kryeministrin inspektuan një investim energjetik të një nënstacioni, që sipas tij, do t’i përgjigjet nevojave në rritje që ka Velipoja. /k.s/j.p/