E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Fuqizim i rrjetit energjetik në veri, drejt përfundimit nënstacioni në Velipojë

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste ishte sot në Shkodër ku zhvilloi takim me përfaqësuesit e bizneseve në aksin e sapopërfunduar Shëngjin-Velipojë.

Në fjalën e tij, Rama foli për projektet e reja në këtë zonë.

Rama u shpreh se, nënstacioni i ri elektrik i Velipojës është në përfundim.

“Sa i përket rritjes së mëtejshme të mbështetjes ishim tek kantieri i nënstacionit të ri të Velipojës. Është në përfundim, do të jetë në funksion në fillim të sezonit, sepse nevoja për të rritur kapacitetin e furnizimit me energji është shumë e madhe pasi ngarkesa është bërë shumë e madhe”, tha Rama.

Ndërkohë, Rama informoi se, “projekti për nënstacionin e ri në Shëngjin është gati dhe do të fillojë dhe ai nga ndërtimi”.

Ashtu sikundër, shtoi Rama, “me Fondin Shqiptar të Zhvillimit kemi projektin e fuqizimit të rrjetit në Alpe, që do të prekë të gjitha pikat ku tanimë ka filluar të çelë dhe të lulëzojë si në Theth një turizëm me një të ardhme të jashtëzakonshme”.

“Plani është që të dy këto nënstacione të mbështesin jo thjesht nevojat e sotme, por të mbështesin nevojat për shumë vite, duke pasur parasysh edhe investimet e reja që ju po përgatisni të bëni.

Rama theksoi se, “me Milot Balldrenin kemi pasur disa vështirësi që kanë qenë të lidhura me procedurat, pasi na është dashur ta ribëjmë garën për arsye të gjithë standardeve dhe kritereve të vendosura”.

“Urojmë dhe shpresojmë dhe besojmë që në ditët e ardhshme më në fund do të përmbyllet i gjithë procesi dhe do të duhet të bëhet dhe shpallja e kompanisë fituese për të firmosur kontratën dhe për të filluar punën dhe për Milot-Balldrenin”.

Ndërkohë, shtoi Rama, “kemi në proces edhe Milot-Muriqanin, në mënyrë që të përmbyllim të gjithë Korridorin Blu”.

Rama nënvizoi se, “nuk kemi pasur shumë sintoni me palën malazeze për urën. Vonesa, burokraci etj. Se ankoheni ju për vonesat dhe burokracitë këtu por mjafton të pyesni miqtë, shokët, familjarët që keni në Itali t’iu thonë sesa kohë u desh për të arritur tek firma e fundit për çështjen e pensioneve me Italinë, pasi u firmos dhe u tha që kjo u krye. Sa u desh. Çfarë procesi u desh nga pikëpamja burokratike”.

Por, shtoi Rama, “do të vazhdojmë të shtyjmë për urën sepse është shumë e rëndësishme që të krijojmë një vijë të pandërprerë dhe kjo do t’ju sillte juve shumë më tepër flukse dhe do të sillte dhe shumë turistë të ditës, që shkojnë dhe vijnë midis dy anëve të kufirit”. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›