E Diel, 1 Nëntor 2026

Politika dhe futbolli, një bast pa shenjë!

Keni vënë ndonjëherë bast me shuma të mëdha? Apo jeni nga ata që lekët nuk i shndërroni në 1, X apo 2. Ky basti, për të cilin do të flasim, nuk është për një ndeshje futbolli, por për një sfidë më shumë politike se sa sportive. Dueli që bën zhurmë dhe duket si një sfidë pambarim midis shtetit dhe Federatës së Futbollit. Që të mos ngatërroheni, më mirë me emra: Ministri Pango kundër presidentit Duka! I pari me frikën se mos humbasë bastin si paraardhësi i tij, Bujar Leskaj. I dyti me frikën se këtë herë shteti e ka hequr maskën. Thonë sikur shefi i madh, jo ai i sportit, por ai i politikës, ka vënë bastin e tij: "Do të bëjë kurban shumë ministra, derisa ta heqë këtë Dukën e sportit". Një duel i bujshëm, që duket sikur kërkon të tërheqë më shumë spektatorë se sa vetë ndeshjet e futbollit. Siç e shikoni nuk është një bast i zakonshëm. Disa thonë se koeficienti i presidentit Duka në këtë ndeshje është kuotuar 1,3. Pra konsiderohet një fitues i sigurt, por që ekziston edhe blofi, siç ndodh shpesh në sfidat e "sigurta". Nga ana tjetër e bastit, duket sikur është kundërshtar ministri Pango, ndaj dhe i kanë vënë një koeficient fatalist 3,2. Po t‘u besosh shifrave, duket si një ndeshje e mbaruar. Edhe Pango do të ngulet te gozhda, si paraardhësi Leskaj. Por disa besojnë se këtë herë basti i kalon kufijtë e një ministri, por shkon lart... te shefi i tij. Pikërisht te personi që në politikë kuotohet 1,3, aq sa Duka në fushën e tij. Kjo është ndeshja e vërtetë që kamuflohet me emra ministrash. Dy njerëz të fuqishëm, aq sa edhe humbjet i kthejnë në fitore. Dy personazhe, për të cilët thuhet me humor se "nuk zbresin vetë nga kali". Por kalorësi i politikës dhe kalorësi i futbollit për dreq kalërojnë me kuaj të racave të ndryshme. Ai mbi të cilin është presidenti Duka nuk ushqehet në "stallat" tona, por te FIFA dhe UEFA. Dy organizmat e futbollit botëror, që shpesh e bezdisin politikën, kur kërkon të tregojë dhëmbët. Është një moment fatlum për njerëzit e futbollit, që në këto momente ku duhet të marrin faturën për krizën në të cilën e kanë zhytur lojën, thërrasin me zë të lartë: "Politika po sulmon futbollin". Sa mirë do të ishte sikur këta të politikës t‘i mbanim larg sportit. Por e keqja është gjetiu: kur na duhen politikanët, siç mund ta mbajnë mend zyrtarët e sotëm të sportit, krenohemi për lidhjet me ta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›