E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqja: “Rritja e barrës fiskale të bizneseve është pasojë e korrupsionit”



Eneida Jaçaj
Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, denoncoi dje rritjen e barrës fiskale të bizneseve si pasojë e korrupsionit. Ndërsa bazuar në raportin e fundit të Bankës Botërore, Beqja vuri në dukje se si pasojë e korrupsionit janë rritur çmimet dhe bashkë me to edhe kostoja e jetesës. Socialisti Beqja akuzoi qeverinë se shifra e parave që shkon në xhepat e tyre është rritur me 230%.
Biznesi
Duke akuzuar kryeministrin, Beqja tha se Berisha ka arritur me zotësi të krijojë një rrjet të posaçëm korruptiv, të drejtuar nga njerëz të besuar të tij, shpeshherë anëtarë të familjes, të cilët kanë vetëm një objektiv: vjedhjen e parave në çdo hallkë ku biznesi takohet me shtetin. Sipas tij, në Shqipëri qeveria nuk qëndron në krah të biznesit, por e rrjep atë çdo ditë e më shumë. “Prej muajsh kemi deklaruar se sipërmarrësit vuajnë nga mungesa e parashikueshmërisë, se legjislacioni ndryshohet kuturu sipas orekseve babëzitëse të familjes në pushtet dhe pa marrë asnjë opinion nga bizneset. Edhe Banka Botërore deklaron se ‘taksa e kohës’ është në Shqipëri më e lartë se kudo tjetër në rajon e në Europë. Menaxherët e firmave shqiptare harxhojnë më shumë se kudo tjetër kohë për t’u marrë me njohjen e rregullave që ndryshojnë kohë pas kohe dhe me marrëdhënie personale me organet ligjzbatuese”, - u shpreh deputeti Beqja, duke shtuar se “rreth 60% e firmave shqiptare kanë deklaruar se duhet të paguajnë ryshfet për të mbaruar punë, ndërsa rreth 40% e firmave deklarojnë se korrupsioni është pengesa kryesore për zhvillim. Nëse në vitin 2005 ryshfetet rritnin kostot e produkteve e të shërbimeve me 2.5%, në vitin 2008 ryshfetet i rritnin kostot e produkteve dhe shërbimeve me 5.8%. Kjo do të thotë se shqiptarët po vidhen me fatura marramendëse nga "duart e pastra".
Prokurimet
Deputeti Beqja, duke u ndalur te procedurat e prokurimit dhe koncesionet, tha se ato janë fund e krye klienteliste dhe se e vërteta e tyre fshihet ashtu si e vërteta e vullnetit të zgjedhësve shqiptarë më 28 qershor 2009. “Sali Berisha mburret me çmime ndërkombëtare për transparencë, por Avokati i Prokurimeve raportoi në Kuvend se me prokurimin elektronik firmat nuk marrin vesh se kush ka konkurruar dhe çfarë ofertash tekniko-ekonomike janë paraqitur”, - tha Beqja.

Pollo: “Qeveria ka bërë përpara në luftën kundër korrupsionit”

Nën drejtimin e ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo, u zhvillua dje mbledhja e përbashkët e Grupit Ndërministror të punës për strategjinë mbi “Parandalimin, luftën kundër korrupsionit dhe qeverisjen transparente”. Gjatë mbledhjes, ministri Pollo nënvizoi se është arritur me të vërtetë diçka që nuk mund të pretendohej se ishte më përpara. “Është arritur një plan veprimi i detajuar, me parashikimet dhe veprimet kapilare në çdo ministri, në çdo agjenci, rishikime tërësore procedurash dhe raportim i saktë për punën e kryer në këtë drejtim. Kuptohet që korrupsioni është i vështirë të identifikohet në një mënyrë pothuaj të plotë. Por jemi të bindur se rregullat e qarta, angazhimi për zbatimin e tyre, e bën korrupsionin pothuaj të pamundur”, - tha Pollo. Sipas tij, fakti që këto rregulla janë ndërtuar në këtë mënyrë shpjegon edhe pse shumë agjenci ndërkombëtare që monitorojnë qeverisjen e mirë dhe korrupsionin, i japin nota gjithmonë e më të mira Shqipërisë dhe kanë lavdërime gjithmonë e më të qarta e të shprehura, për qeverinë shqiptare. “Besoj se me këto ritme që do të ecim, vërtet që do të arrijmë aty ku kemi premtuar, pa harruar ndonjëherë që korrupsioni dhe abuzimi me detyrën ndodh edhe në vendet e zhvilluara, edhe në vendet e pasura. Ne besojmë se ato që i kemi vendosur si detyra do t’i realizojmë me një punë të vazhdueshme, permanente, por edhe me një ide të qarta, siç është strategjia dhe plan-veprimi që kemi përpiluar tashmë”, - u shpreh ministri Pollo.

9 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›