Berat, qytetarët festojnë Ditën e Verës me panaire dhe aktivitete kulturore

TIRANË, 14 mars /ATSH/ Dita e Verës u festua sot edhe në Berat. Qindra qytetarë u mblodhën në sheshin e kalasë së Beratit, për të kaluar një ditë festive me njëri-tjetrin.
Në ambientet e kalasë u zhvillua edhe një panair artizanati, ku artizanë vendas ekspozuan produktet e tyre tradicionale.
Festimet u shoqëruan edhe me aktivitete artistike. Këngëtarja e njohur Irma Libohova performoi para qytetarëve, ndërsa në skenë u ngjitën edhe artistët e Qendrës Kulturore të qytetit, duke sjellë këngë dhe performanca që u ndoqën nga të pranishmit.
Pamje nga atmosfera e ngrohtë e festimeve ndau edhe ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo.
“Atmosferë e mrekullueshme në Kalanë madhështore të Beratit, mes diellit të pranverës dhe njerëzve që i japin edhe më shumë hijeshi këtij qyteti”, shkruan Demo.
Vizitorët gjithashtu patën mundësi të shijojnë verëra vendase dhe ëmbëlsira tradicionale, duke krijuar një atmosferë festive dhe mikpritëse. Gjatë aktivitetit, shumë qytetarë përcollën edhe urimet e tyre për këtë festë që simbolizon ardhjen e verës.
Dita e Verës është një nga festat më të vjetra pagane shqiptare, me rrënjë që shtrihen thellë në lashtësi. Origjina e saj lidhet me kultin e natyrës dhe festimin e rikthimit të diellit pas dimrit të ftohtë.
1 nga 15/m.q/a.f/