Berisha: Do t‘i çojmë në prokurori spekulantët e çmimeve
Kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar dje ministrit të Financave, Ridvan Bode, të përgatisë të gjitha ligjet shtesë me të cilat të përballet çdo spekulator. Vlen të theksohet që në të gjitha tregjet e botës së lirë shkon për shtat ulja e çmimeve kur ka shumë shitje, përveçse në Shqipëri. Ky fenomen është pranuar edhe nga vetë Kryeministri Berisha, i cili ka kërkuar në mënyrë urgjente të përgatiten ligjet shtesë dhe që dosjet e spekulantëve të shkojnë në Prokurorinë e Përgjithshme.
Duke folur për kthimin e çmimit në nivelin e mëparshëm, Kryeministri përgëzoi autoritetin tatimor për punën e bërë dhe u shpreh se qeveria do të mbajë premtimin për t‘i kompensuar çdo qindarkë qytetarëve, sikundër do të ndëshkojë me të gjithë forcën e ligjit spekulatorët. Kryeministri theksoi se do të ndëshkohen të gjithë ata spekulatorë të paskrupullt, të cilët pranojnë të fitojnë 60-67 për qind, jashtë çdolloj morali, me bukën dhe të bërtasin se po falimentojnë. "Do të japim përgjigjen më të merituar edhe për këta. Mafia e miellit, e cila ua shet furrave të bukës me 50 dhe 60 lekë/kilogramin dhe ua faturon me 30 -35 lekë/kilogramin vetëm për të vjedhur dhe fshehur detyrimet", tha Berisha.