E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreditë me probleme, 80 mln USD

Teprica totale e kredisë me probleme në sistemin bankar shqiptar është rritur ndjeshëm, duke arritur vlerën 80 milionë USD. Këto janë të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë që i përkasin muajit qershor 2007. Në fund të vitit 2006 shifra e kredisë me probleme ishte vetëm 60.4 miliardë lekë ose 64 milionë USD dhe 33 milionë USD, në fund të vitit 2005. Kjo rritje e kredive me probleme ka alarmuar Bankën e Shqipërisë, e cila në raportin e saj të fundit mbi "Zhvillimet ekonomike 2007", nënvizon faktin se bankat po tregohen agresive me njëra-tjetrën, me synim kontrollin e tregut. Duke mos marrë shumë në konsideratë problemet që lindin nga niveli i lartë i kredidhënies, të 17 bankat që operojnë aktualisht në treg janë duke u përballuar me klientë "problematikë", të cilët kanë përfituar kredi rreth 80 milionë USD. Nga këto, rreth 8 milionë USD u përkasin kredive me probleme për pasuri të paluajtshme. Kështu, gjatë vitit 2006, teprica e kredisë së sistemit bankar shënoi një rritje me 720 milionë USD kundrejt 600 milionë USD në fund të vitit 2005. "Kjo vjen si rrjedhojë edhe e një agresiviteti më të madh të treguar nga bankat e sistemit nëpërmjet ofertave promocionale "joshëse" për kredi për pasuri të paluajtshme", vijon raporti i Autoritetit më të lartë monetar në vend. Edhe kredia me probleme për pasuri të paluajtshme shënon një rritje të konsiderueshme për periudhën dhjetor ‘05-dhjetor‘06, duke arritur në 8 milionë USD ndaj 2.2 milionë USD, gjatë vitit 2005, me një rritje prej 182.56%. Ndërsa vëllimi i kredisë për pasuri të paluajtshme gjatë vitit 2006 është rritur me rreth 230 milionë USD, ose 131% në krahasim me vitin paraardhës, ku peshën kryesore e zë sektori i individëve me 80%. I njëjti ritëm vërehet edhe për 6-mujorin e parë ‘07.

Sipas BSH-së, ritmi i konsiderueshëm rritës i tepricës së kredisë është reflektuar edhe në ndryshimin e strukturës së kredisë sipas afatit. Kështu, kredia afatshkurtër shënoi një rënie prej 0.7%, duke u zhvendosur drejt asaj afatmesme, e cila shënoi një ritëm të lehtë rritjeje me rreth 0.18%.

Sondazhi

Në sondazhin e kryer nga BSH te bankat e nivelit të dytë në vend, del se 50.4% e kolateralit bllokohet për apartamentet, si dhe për vlerësimin e kolateralit përdorin më tepër vlerën e tregut se koston aktuale apo çmimin e blerjes. Ndërsa lidhur me masat që do të merrte banka në rast të një zhvlerësimi të vlerës së kolateralit (rënie e çmimit), 43% e bankave nuk do të merrnin asnjë masë, sepse janë shumë mirë të mbrojtura, 43% e bankave do të kërkonin kolateral shtesë, ndërsa 14% do të kërkonin një monitorim dhe rivlerësim të kolateralit. Për sa u përket normave vjetore të interesit, del se bankat aplikojnë norma interesi fikse dhe norma të luhatshme për monedhën lek, euro dhe USD, të cilat varionin nga 9% deri në 14%.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›