E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria: Fermerët po bëjnë blof

Qeveria mendon se paralajmërimi i fermerëve për të bojkotuar mbjelljet e pranverës nuk është real dhe për rrjedhojë nuk jep sinjale se do e marrë në konsideratë atë. Burime zyrtare nga Ministria e Bujqësisë hedhin dyshime mbi argumentet që japin fermerët për të justifikuar vendimin e tyre. Sipas këtyre burimeve, koniunktura aktuale e tregut është favorizuese për fermerët për shkak të çmimeve të larta të produkteve bujqësore, ndaj dhe një vendim i tillë është paradoksal. Edhe Enver Ferizaj, kryetari i Këshillit Agrobiznesit Shqiptar shprehet dyshues në lidhje me vërtetësinë e këtij paralajmërimi. "Është ende herët për të folur për mbjelljet e pranverës. Mbjelljet fillojnë pas 15 marsit, kështu që nuk mendoj se është koha për të folur për bojkotim të mbjelljeve", thotë Ferizaj. Më tej, ai ka përdorur si argument për të hedhur hije dyshimi mbi vendimin e paralajmëruar të më shumë se 5 mijë fermerëve të rrethit të Elbasanit për të braktisur mbjelljen e tokës të dhënat zyrtare të ministrisë. "Unë mund të them se sipas të dhënave zyrtare sipërfaqja e mbjellë më grurë gjatë këtij viti nga fermerët e Elbasanit është 27 për qind më e madhe, çka tregon për të kundërtën", thotë Ferizaj.

Fermerët

Më shumë se 5 mijë fermerë të 5 fshatrave të ndryshme të Elbasanit kanë paralajmëruar në Komunën e Shirgjanit në mënyrë të përbashkët ndërmorën një vendim për të braktisur mbjelljet e pranverës. Fermerët kanë deklaruar se kostoja e lartë e prodhimit, ku përfshihen të gjitha proceset bujqësore nga mbjellja gjer në vjeljen e kulturave e bën të pamundur mbjelljen e tokës. Sipas tyre, fitimi i nxjerrë nga prodhimet nuk del as për të mbuluar shpenzimet e farës së hedhur. Ky sipas fermerëve, ka qenë shkaku kryesor që ata i kanë kthyer shpinën tokës.

Ministria

Burime zyrtare nga Ministria e Bujqësisë thonë se është absurde të paralajmërosh për bojkot të mbjelljeve në një kohë kur çmimet për të gjitha kulturat bujqësore kanë shënuar një rritje jashtë çdo parashikimi. "Nëse nafta apo, inputet bujqësore janë rritur dyfish çmimi i drithërave apo i cilado kulture tjetër bujqësore është 5 fishuar", thonë këto burime. Këshilli i Agrobiznesit nga ana e tij, duket se mbështet politikën e qeverisë për të orientuar prodhimin bujqësor drejt frutikulturës. "Aktualisht, ne jemi duke punuar së bashku me qeverinë në programin për subvencionimin e fermerëve që mbjellin pemë frutore, ullishte dhe vreshta. Më vonë do të marrim në shqyrtim edhe këto paralajmërime", thotë Ferizaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›