Berisha: Subvencionet do pesëfishohen, identike me fermerët e rajonit

TIRANË, 1 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha prezantoi sot kandidatët për “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” për qytetin e Belshit dhe Cërrikut.
Teksa bëri prezantimin e programit të PS-së, Berisha premtoi se “subvencionet do pesëfishohen për çdo fidan të mbjellë, për çdo kokë bagëti, për çdo njësi prodhimi”.
“Programi ynë, e thashë dhe njëherë, është programi i rikthimit të taksave te qytetarët. I garantoj fermerët e Dumresë, njerëz të mrekullueshëm që e kanë qëndisur Dumrenë dhe e kanë shndërruar në një nga zonat më të bukura, më panoramike të Shqipërisë dhe të Ballkanit, subvencionet do pesëfishohen për çdo fidan të mbjellë, për çdo kokë bagëti, për çdo njësi prodhimi”, tha Berisha.
Berisha garantoi se subvencioni i fermerit shqiptar do jetë identik me fermerët e rajonit.
“Prodhimet tuaja do mbrohen në çdo sezon. Ballkani i Hapur i argatit të Vuçiçit hidhet në kosh javën e parë”, tha kryetari i PD-së.
Berisha premtoi se Dumreja dhe e gjithë zona do përfitojë nga vaditja nga ujërat e hidrocentralit të Banjës.
“Hidrocentrali i Banjës u ndërtua para së gjithash si vepër vaditëse. A kanë investuar ndonjë qindarkë? Asnjë qindarkë. U garantoj se mandatin e ardhshëm, Dumreja dhe e gjithë zona do përfitojë nga vaditja nga ujërat e hidrocentralit të Banjës”, tha Berisha.
Berisha tha se nga Dumreja kanë ikur rreth 60% të banorëve të saj.
“Dhe tani patronazhistët nga rrethet e tjera kanë lëshuar dhe marrin tokat tuaja. Unë u them këtu, larg duart nga tokat e Dumresë se në mënyrë absolute as një metër katror tokë, çka nuk është banor i Dumresë, nuk do t’i njihet. Dokumentet do të jenë ato që keni ju dhe çdo tjetër, çdo patronazhist që vjen, do të largohet dhe do të dënohet për vepër kriminale”, shtoi Berisha. /j.p/