E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie sipari i një drame...mbyll sytë Fadil Paçrami

Mbrëmjen e së martës, aty rreth orës 20:00, mbylli sytë përgjithnjë, në moshën 85-vjeçare, Fadil Paçrami. I biri, Agimi, tha se ai ndërroi jetë pa shumë vuajtje, ndonëse muajt e fundit kishte pasur një shëndet të rënduar. Fadil Paçrami do mbetet një ndër emrat historikë të periudhës komuniste shqiptare. Emri i tij lidhet me një ndër momentet më delikate të ish-regjimit, atë të goditjes ndaj intelektualëve dhe artistëve pas plenumit të katërt të PPSH-së më 1973, të cilët u shpallën armiq si bartës të frymës liberale në art e kulturë. Si kulm i kësaj fryme, mbetet Festivali i 11-të i Këngës në Radio e Televizion, që shërbeu dhe si një kufi mes dy epokave: asaj liberale të fundviteve ‘60-të dhe asaj shtrënguese ideologjike pas ‘73-it, që u shoqërua me kthesa të befta në fatin e shumë zyrtarëve të lartë të ish-regjimit, si dhe të shumë intelektualëve dhe artistëve. Shumë prej tyre përfunduan në burgje dhe internime individualisht apo familjarisht. Një prej tyre ishte dhe Fadil Paçrami, emri i të cilit lidhet ngushtë dhe më atë të Todi Lubonjës, i cili ndërroi jetë pak vite më parë. Emrat e tyre lidhen ngushtë jo thjesht se në atë kohë ishin krushq, porse që të dy u bënë simbol të valës goditëse të ish-diktatorit Hoxha kundrejt atyre që kishin guxuar (me gjuhën e kohës), të lejonin shfaqje të huaja në art e kulturë. Fadil Paçrami ishte ministër Kulture në atë botë, ndërsa Todi Lubonja, drejtori i përgjithshëm i RTSH-së. Me këto dy poste të larta, ata u konsideruan si kokat e daljes "jashtë binarëve", të artistëve në Festivalin e 11-të si dhe në lëmenj të tjerë të artit e kulturës. Në historinë e komunizmit e më pas, atyre iu është ngjitur targeti i "liberalëve" në kulmin e izolimit shpirtëror dhe, në gjykimin e përgjithshëm, pavarësisht sistemeve, ata të tillë mbeten. Fadil Paçrami u dënua me 25 vjet burg, por bëri vetëm 15, si pasojë e rënies së regjimit. Ndërsa familja kaloi në internime të njëpasnjëshme në disa zona të Veriut. Pas viteve ‘90-të, Fadil Paçrami kaloi përgjithësisht një jetë tejet familjare e shumë pak publike. Sipas të birit, ai vijoi pasionin e të shkruarit drama si dhe në gjini të tjera, siç janë dy libra kritikë mbi veprën e Shekspirit dhe Eskilit. Përveç një kuadri të lartë kulture në ish-regjimin komunist, Fadil Paçrami u njoh si një dramaturg i pasionuar, ku dhe aty ish-diktatori i gjeti kleçka për ta bërë të mundur dërgimin e tij në golgotën ndëshkuese. Dramat më të njohura të tij mbeten: "Në tufan" (që është dhe drama e parë), "Shtëpia në Bulevard" (e rivënë vitet e fundit në skenën e Teatrit Kombëtar), "Rrugëve të pashkelura", "Ngjarje në fabrikë", "E bardha dhe e zeza", "20 ditët", "Viti 61", "Nuk kam mall për vjetërsira", dhe e fundit "Çështja e inxhinier Saimirit". Në dhomën e tij, i biri, të tregon raftet e ngarkuara dëng me libra, e mes tyre rreshtin e gjatë të dramave të shkruara e të pabotuara, mbi 50 të tilla. Poshtë tyre, janë vandakët e letrave që ka marrë nga familjarët gjatë viteve të gjata të burgut të ndarë sipas viteve. Gjithçka përçon rregull e skrupulozitet në ruajtjen dhe administrimin e tyre. Kuptohet lehtë që bëhej fjalë për një shpirt spartan në prirjen arkivuese të çdo gjëje; letra, shënime, studime, fotografi. Madje, ka ruajtur dhe të gjithë skenografitë e dramave të tij. Nëpër muret e dhomës ku rrinte, lexonte e shkruante, ka varur të gjithë skenografitë e dramave të tij të vëna në skenë. Janë në formë tablosh dhe mbajnë autorësinë e të mirënjohurve, Agim Zajmi e Shaban Hysa. I biri ende nuk e di se çdo të bëjë me gjithë ato vepra. Nga i ndjeri më tepër është këshilluar që t‘i ruajë po me merakun e tij. Kjo ka qenë kryesore për të, pra ruajtja me merak e gjithë asaj arshive.

Në shtëpinë e të ndjerit, dje hynin e dilnin shumë njerëz për ngushëllim, por pak, aspak shtetarë e politikanë. Ai kishte këshilluar të afërmit për një ceremoni të thjeshtë varrimi, pa shumë bujë, me kusht që të mos kishte dhe shumë hipokrizi si duket. "Kur njeriun nuk e vlerësojnë sa është gjallë, nuk ka vlerë mbasi vdes", kish thënë në momentet e fundit. Mes shumë njerëzve, ndodhet dhe regjisori Namik Ajazi, realizues i një dokumentari para dy vjetësh të titulluar "Drama Paçrami". Ajazi përsërit sërish atë që ka shprehur në skenarin e dokumentarit: Gjithë jetën drama shkroi e gjithe jetën dramë e pati. Ai kujton rastësinë që e solli të njihte Fadil Paçramin e të realizonte më pas një dokumentar kushtuar jetës së tij. "As nuk e dija nëse jetonte, kur emri i tij më doli në shteg në punën për realizimin e një dokumentari mbi figurën e Kujtim Spahivoglit, i cili është regjisori që vuri në skenë pjesët e shkruara nga Paçrami. Kështu u njohja me të dhe them se takova një ndër njerëzit më interesantë", shprehet Ajazi dhe shton se "ishte personaliteti i tij i veçantë, drama që kish kaluar në jetë, si dhe simbolika që bartte, si një ndër figurat e larta që përfaqësuan liberalizimin në art e kulturë ato vite të egra nën diktaturë që më shtynë t‘i kushtoja një film atij".

Mbrëmjen e së martës ra sipari i një drame, ose i një jete plot drama, të shkruara e të jetuara. Gjithashtu me vdekjen e Fadil Paçramit, mbyllet dhe një nga hapësirat e ciklit të ekzistencës së gjallë të dëshmitarëve të një kohe të errët, që sa vjen e bëhet më muzeale dhe natyrshëm më tërheqëse. Në këtë pikë, vdekja nuk është e tillë, e aq më pak për figura si Fadil Paçrami...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›