Italia, nën rrezikun e një grushti shteti të drejtuar nga Anglia
1967-a ishte viti i zgjedhjeve më dramatike në Itali, pas atyre të mbajtura në vitin 1948. Po konkretizohej frikshëm ideja që pushteti të binte në duart e Partisë Komuniste. Aq shumë, sa fuqitë e Aleancës Atlantike, përpara tmerrit se brenda në këtë grupim politik mund t‘ia behte papritur një përfaqësi komuniste, morën parasysh edhe organizimin e një grushti shteti në Itali. Faktin e bën të ditur e përditshmja italiane "La Repubblica", duke u bazuar te disa dokumente sekrete të qeverisë britanike, të deklasifikuara në kuadër të një ligji që i konsideron të pavlefshme pas 30 vjetësh. Ndër to, për t‘u veçuar është një dokument që mban datën 6 maj të vitit 1976, i përpiluar nga stafi i planifikimit të "Foreign Office", me titull, "Italia dhe komunistët: opsione për Perëndimin". Në fillim të faqes 14, mes alternativave të ndryshme, me germa të vogla lexohet: "Veprime për të mbështetur një grusht shteti apo masa të tjera subversive". Toni i tekstit është i ftohtë e didaktik: "Për natyrën që ka, një grusht shteti mund të shpjerë në zhvillime të paparashikueshme. Gjithsesi, në linja teorike, mund të merret parasysh. Në një formë apo në një tjetër mund të ndërmerrej nga forcat e së djathtës, me mbështetjen e ushtrisë dhe të policisë. Për një seri motivesh - vazhdohet në dokument - ideja e një grushti shteti kirurgjik e të studiuar me kujdes, në gjendje të rrëzojë PKI-në nga pushteti apo të ndalojë marrjen e pushtetit nga ana e saj, mund të rezultojë tërheqëse. Por është ide irreale". Më poshtë vijojnë motivime të tjera, të cilat nuk e këshillojnë vënien në jetë të një plani të tillë: ndikimi i fortë i PKI-së te lëvizjet sindikaliste, mundësia e një "lufte të tejzgjatur dhe të përgjakshme civile", rreziku i ndërhyrjes së mundshme nga Bashkimi Sovjetik, kundërgoditjet në opinionin publik të disa vendeve perëndimore. Analiza e zyrës së punëve të jashtme britanike arrin në përfundimin se: "Një qeveri autoritare në Itali, zor se do të rezultonte më e pranueshme se një qeveri me pjesëmarrje të konsiderueshme të komunistëve".
Komunistë në bazat e NATO-s
Mes materialeve të shumta në fjalë, sigurisht që nuk flitet vetëm për grushtin e shtetit. Si askund tjetër, "faktori K" italian (Kommunism) - mësohet se PKI nuk kishte asnjë shans të pranohej në qeveri në kuadrin e ekuilibrave të përcaktuara në Jaltë - pasqyrohet në formën më realiste të mundshme dhe në nivelin maksimal. Falë ambasadorit amerikan në Londër, Eliot L. Riçardson, mësohet përmbajtja e një letre private, që sekretari i Shtetit, Herri Kisinger, i shkruan në janar Presidentit të atëhershëm të Internacionales Socialiste, Uilli Brandt, lidhur me rritjen e përmasave të komunizmit në Itali, Spanjë e Portugali: "Kam për detyrë t‘ju vë në dijeni që të shpreh shqetësimin tim të fortë për situatën e krijuar. Natyra politike e NATO-s është e destinuar të ndryshojë, në rast se një apo më shumë vende të aleancës do të krijojnë qeveri me pjesëmarrje komuniste, qoftë kjo e drejtpërdrejtë apo jo. Avitja e Bashkimit Sovjetik si superfuqi në arenën botërore përbën një problem tejet shqetësues. Roli i NATO-s, ashtu si edhe roli i gjithë pozicionit tonë ushtarak në Evropë, është me rëndësi jetike dhe mbetet i padiskutueshëm. Ankthi im qëndron në faktin se këto pika të forta do të lëkunden, në çastin kur partitë komuniste do të zënë pozicione me ndikim të fortë në Evropën Perëndimore".
Ndër protagonistët e shumtë, Kisinger është padyshim më i ashpri dhe jotoleranti. Ndërkohë që krerët e lartë të NATO-s janë që në fillim më të shqetësuarit përpara një mundësie të tillë. Më 25 maj, ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes britanike u shkruajnë kolegëve të tyre të zyrës së jashtme: "Prania e PKI-së në qeverinë italiane, që do të thotë rritja e rrezikut të subversionit komunist, mund të vinte Aleancën Perëndimore përpara domosdoshmërisë për të marrë një vendim të rëndë". Është e qartë që problemi shkon përtej çështjes italiane: "Ngjitja në fuqi e komunistëve - lexohet në një dokument të brendshëm të zyrës së jashtme - do të përbënte një goditje të fortë psikologjike për Perëndimin. Impenjimi amerikan në Evropë do të dobësohej ndjeshëm, gjë që mund të shoqërohet me tensione të rënda mes amerikanëve dhe anëtarëve evropianë të NATO-s, për mënyrën si duhen trajtuar italianët". Por, në të njëjtën kohë është rreziku që një qeveri me Berlinguerin të lëkundë edhe ekuilibrat e konsoliduara nga 30 vjet Luftë e Ftohtë, duke krijuar probleme edhe në Bashkimin Sovjetik dhe në këtë pikë diplomatët anglezë nënvizojnë rrezikun që "idetë reformuese të përhapen në Rusi dhe në Evropën Lindore". PKI-ja e Berlinguerit dhe në përgjithësi gjithë ajo që etiketohej si "eurokomunizmi", përbën për britanikët një "herezi revizioniste" të vërtetë dhe ngjitja e saj në nivele qeverisëse do të transportonte debatin teorik mbi kishën marksiste në terrenin e politikës reale. Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik i ka të gjitha arsyet t‘i trembet përhapjes së "infeksionit" të një "komunizmi alternativ", i cili do të ngrihej në fuqi në Perëndim. Gjithsesi, sipas analizave të tjera, në një plan më imediat ushtarak dhe gjeopolitik për Bashkimin Sovjetik, "përparësitë do të qenë shumë më të mëdha se disavantazhet, sidomos përpara mundësisë së dobësimit të NATO-s".
Me pak fjalë, do të ishte një ngjarje "katastrofike". Kjo fjalë ndeshet shumë shpesh në dokumentet në fjalë gjatë pritjes së rezultateve të zgjedhjeve në Itali. Mbi të gjitha, nga Brukseli njoftojnë se nuk ka më kohë dhe se duhet të jemi të përgatitur edhe për më të keqen. "Prania e ministrave komunistë në qeverinë italiane do të shkaktonte një problem të menjëhershëm sigurie brenda radhëve të aleancës, i shkruan Londrës ambasadori anglez në NATO, Xhon Killik - çdo lloj informacioni në duart e komunistëve duhet konsideruar rrezik më vete. Komunistët në pushtet nuk janë tjetër veçse po i njëjti rrezik kundër të cilit lufton NATO. Pra, është më e parapëlqyeshme amputimi (i Italisë) se krijimi i një paralize të brendshme".
Flota e Gjashtë në rrezik
Çështja jetike fokusohet te siguria nukleare, pra dislokimi dhe kontrolli i bombave atomike. Edhe pa ministra komunistë në ministritë e Mbrojtjes dhe të Jashtme, një Itali e qeverisur nga Partia Komuniste duhet përjashtuar me çdo kusht nga Grupi i Planifikimit Nuklear: "Për ta thënë hapur - qartëson ministri i Mbrojtjes - ekziston rreziku që dokumentet me rëndësi strategjike të përfundojnë në Moskë". Të tjera probleme kanë të bëjnë me bazat ushtarake dhe detare të NATO-s në gadishullin italian: "Duke pasur parasysh përqindjen e lartë të italianëve që votojnë Partinë Komuniste, jemi thuajse të sigurt se disa simpatizantë të kësaj partie janë infiltruar në Shtabin e Përgjithshëm të NATO-s në Napoli. Në terma të gjata kohore, PKI-ja mund të nisë veprimtari të mirëfillta spiunazhi apo të shtyjë zëvendësimin gradual të funksionarëve në postet kyçe të NATO-s me elementë komunistë". Këto thuhen pa përmendur rrezikun e grevave, bllokimeve e manifestimeve që mund të organizoheshin përreth instalimeve ushtarake. Në rast lufte rrezikonin të lindnin probleme shumë serioze: "Humbja e Shtabit të Përgjithshëm të Napolit, për shembull, do të kishte efekt shumë negativ lidhur me operacionet e Flotës së Gjashtë në Mesdhe".
Nga të gjitha këto që u thanë vërehet lehtë se Italia ishte një vend në krizë. Formula e qendrës së majtë ka vdekur; komunistët kanë korrur një sukses të pabesueshëm në zgjedhjet administrative të një viti më parë, duke shtënë në dorë qeverisjen vendore të disa krahinave dhe qyteteve të rëndësishme; Partia Socialiste Italiane, nën drejtimin e të moshuarit De Martino, vërtitet në tym; ndërsa Demokracia Kristiane, ende e trullosur nga humbja e një referendumi popullor mbi ligjërimin e divorcit, falë disa skandaleve, është për herë të parë e përgjunjur. Muajt e parë të vitit, fatet e qeverisë i ka në dorë një bashkim i zbehtë dyngjyrësh i përbërë nga Moro dhe La Malfa. Pas zgjedhjeve të parakohshme, gjithçka kalon në duart e Moros, por qeveria është edhe më e dobët nga ç‘ishte në fillim. Mazhoranca është krejt e paqëndrueshme, Berlinguer shfaqet si njeriu i momentit dhe prej vitesh tashmë ka mbi tavolinë ofertën për kompromisin historik.
Ambasadori britanik në Romë, Sër Gai Milard, është njeri tepër i ngritur, për rrjedhojë, edhe me penë mjaft të hollë. "Berlingueri - i shkruan sekretarit të Shtetit - është një figurë tërheqëse. Frymëzon besim, falë dhuntisë së oratorit. Ajo që thotë është e besueshme dhe ai e pohon në formë mjaft bindëse". Por, pikërisht për këtë duhet pasur frikë. "Hyrja e tij në qeveri do ta vinte NATO-n dhe Komunitetin Evropian përpara një problemi tepër serioz dhe mund të rezultonte ngjarje me pasoja katastrofike". Këto pasoja Milard i shpjegon pa shumë dorashka: përpara së gjithash, "shpërbërja e plotë" e demokracisë kristiane, më pas rënia e investimeve, arratia e kapitaleve jashtë kufijve, rënia e besimit përpara sipërmarrjeve, ndërhyrja drastike e qeverisë në shtet, e për pasojë, "fundi i menjëhershëm i tregut të lirë". Ǒmund të bëhet për ta mbajtur Partinë Komuniste larg qeverisë? "Jo shumë, kam frikë". Dhe shton: "Është mëkat që mbrojtja e Italisë nga rreziku i komunizmit gjendet në duart e një partie kaq të dobët sa ç‘është Demokracia Kristiane".
Pak kohë më vonë, pas kongresit të marsit, ku Beninjo Zakanjini triumfoi mbi Arnaldo Forlanin, Milard shkon të flasë personalisht me ambasadorin amerikan në Romë, Xhon Volpe. Sipas këtij të fundit, "Forlani është njeri i mirë, por nuk është luftëtar". Ndërsa Zakanjini u "pëlqen shumë të rinjve", gëzon edhe mbrojtjen e amerikanëve, edhe ata do parapëlqenin më shumë Forlanin dhe Fanfanin që janë më antikomunistë. Flasin edhe mbi Aldo Moron: "Në disa raste - vëren Milard - shfaqet i dyzuar mbi kompromisin historik". Në një raport të 23 marsit lexohet se departamenti amerikan i Shtetit është shumë i shqetësuar: "Situata në Itali përkeqësohet dita ditës e nuk është gjetur asnjë rrugëdalje". Që këtu lind edhe dyshimi se demokristianët italianë bëjnë lojë të dyfishtë, duke flirtuar me komunistët: "Më shumë se ta ndajnë pushtetin, do të preferonin ta ndanin me Partinë Komuniste".
Në fillim të prillit, përfaqësuesi britanik pranë Selisë së Shenjtë, Dugald Malkolm, shkon të takojë Patriarkun e Venecias, imzot Albino Luçanin, i ardhshmi Papa Gjon Pali I: "Patriarku duket se ka vendosur të mbajë qëndrim të butë ndaj katastrofës. Argumenti që trajtuam ishte gjithnjë i njëjti: avancimi i Partisë Komuniste". Ndërkohë që në gazetën e tyre periodike, komunistët u bënin ledha hapur katolikëve. Në këtë pikë Luçani kishte qenë i patundshëm: "Nuk mund të jesh në të njëjtën kohë edhe kristian, edhe marksist". Diplomatit britanik i rrëfen se ka probleme me disa priftërinj të dioqezës së tij "që ndiejnë detyrimin të konvertohen në komunistë". Në një ishull të lagunës, një grup të rinjsh ka arritur deri në atë pikë sa të zëvendësojë kryqin me një foto të Mao ce Dunit. Në çastin e ndarjes, Papa i ardhshëm i pëshpërit: "Jemi në duart e Zotit". Dhe shton: "Që, gjithsesi, janë duar të mira".
Ndërsa për sa u përket laikëve, Milard konsultohet me Xhovani Spadolinin. E gjen mjaft të trazuar: "Është një simptomë mjaft e rëndë fakti që Moro ka thirrur Berlinguerin në pallatin Kixhi, përpara se në Këshillin e Ministrave. Kështu që tani komunistët janë virtualisht pjesë e mazhorancës, por nuk janë më në gjendje t‘i japin urdhra klasës punëtore. Për ta bërë - qesh, por jo shumë Spadolini - kanë nevojë përkrahjen e Armatës së Kuqe". E, gjithsesi, "Partia Komuniste Italiane është pjesë përbërëse e sistemit politik të vendit, i cili po shkatërrohet tërësisht. E vetmja shpresë është që të jetë korruptuar nga pushteti, si edhe partitë e tjera". Politikani italian flet si intelektual, por edhe si ish-ministër i të Mirave Kulturore, nën qeverinë Moro-La Malfa: "Policia është e pakënaqur dhe 40% e kësaj force do të ishte e gatshme të merrte pjesë në një grusht shteti të organizuar nga e majta. Ndërsa karabinierët, në të kundërt, janë shumë më të besueshëm". Milardi komenton: "Perceptohet klima e një depresioni të thellë, thuajse dëshpërim, për të mos thënë panik".
Kohë në dispozicion nuk ka dhe formula e grushtit të shtetit përsëritet në dokumentet britanike. Në Londër, Herri Kisinger takon ministrin e ri të Jashtëm të Madhërisë së saj, Entoni Krosland. Nga pala amerikane vërehet një nervozizëm i dukshëm: "Çështja e bindjes së plotë të PKI-së ndaj urdhrave të Moskës është me rëndësi të dorës së dytë. Për Perëndimin - vëren Kisinger - komunistët si Berlingueri janë më të rrezikshëm se portugezi Kunhal". Krosland përgjigjet: "PKI-ja nuk do ta gëzonte këtë prestigj, nëse partitë e tjera italiane nuk do ishin katandisur në këtë pikë. Por ka shenja ndryshkjeje edhe në radhët e komunistëve, korrupsion, si në rastin e Parmës". Çudi se si dy figura kaq të rëndësishme shtetesh arrijnë të flasin për një rast kaq të vogël korruptim, sa ç‘ishte skandali në fjalë. Megjithatë, përgjigjja e Kisingerit mbetet me këmbët në tokë: "Duken të gjithë të hipnotizuar nga sukseset e PKI-së dhe askujt nuk i vjen ndër mend ndonjë ide e vlefshme për ta ndalur".
Më 13 prill, një grup specialistësh të departamentit perëndimor të zyrës së jashtme përpilon një dosje, që ka pikërisht detyrën e përcaktimit të strategjisë për të luftuar komunizmin në Itali, duke iu referuar ngjarjeve dhe skenarëve të ndryshme. Pjesa e parë i dedikohet pikërisht rrugëve që do ndalojnë ngjitjen në pushtet të komunistëve, ku përcaktohen edhe hapat e ndryshëm që duhen ndjekur: financimi i partive të tjera, organizimi i fushatave të kujdesshme mediatike për të paralajmëruar njerëzit për këtë rrezik, sulm nda kredibilitetit të PKI-së.
Opsioni numër katër
Në pjesën e dytë të dokumentit renditen zgjidhjet në rastin ekstrem kur Partia Komuniste Italiane do të mund t‘i bënte vetes vend në qeveri. Në këtë pikë ofrohen pesë skenarë dhe po aq zgjidhje të mundshme, secila e ekzaminuar me kujdes me gjithë avantazhet dhe disavantazhet. Linja më e butë përcaktohet si "bussines as usual" (punët si më parë) dhe "parashikon vazhdimin e lidhjeve sikur të mos kishte ndodhur asgjë". Pasojnë sipas rëndësisë, "masa praktiko-administrative" për "ruajtjen e sekreteve dhe proceseve vendimmarrëse të Aleancës së Atlantikut". Zgjidhja tjetër është vënia në skenë e një akti të bazuar mbi "bindjen ekonomike", që përkthehet në masa të karakterit ekonomik të ndërmarra kundër Italisë nga Komuniteti Evropian, por edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Ndërsa opsioni numër katër ka një titull që tingëllon shqetësues edhe për vetë britanikët, jo më për italianët, mbi të cilët do të aplikohej: "Ndërhyrje ushtarake ose subversion kundër PKI-së". Ja si fillon: "Ky opsion mbulon një seri mundësish: nga operacionet me profil të ulët, te mbështetja aktive e forcave demokratike me objektiv drejtimin e një grushti shteti të shtyrë nga jashtë". Opsioni i fundit parashikon "përjashtimin e Italisë nga NATO". Avantazhi i kësaj të fundit ishte se do të eliminohej mundësia e rrjedhjes së informacioneve, si edhe rreziku që Italia ta gërryente aleancën nga brenda. Sipas analistëve britanikë, në një rast të tillë, destinacioni i Italisë ishte pozicionimi si vend neutral me orientim nga Perëndimi.