Kur malësorët rrëfeheshin në kishë
Fluvio Kordinjano i nis kujtimet për At Domeniko Pazin, që kur ai ishte 6 apo 7 vjeç, kur nga Portelo kalonte në Sprok, lagjja e kishës, për të shoqëruar gjyshen plakë, e cila jetonte vetëm. Ajo ishte një grua shumë fetare, që çdo mëngjes shkonte në kishë për të dëgjuar meshën e shenjtë dhe u afrohej shpesh riteve të shenjta. Djali shoqëronte gjyshen dhe s‘ka nevojë të thuhet se sjellja e tij ishte shumë e përkushtuar. Përveç kësaj, kjo ishte në përputhje të plotë me atë çfarë bëhej në familje, ku çdo mbrëmje, së bashku këndonin Ruzaren dhe nëna çdo ditë përkujdesej me mësimet e saj të mira për edukimin fetar të bijve. Njëherë kur ishin bashkë me gjyshen në Sprok, rastisi që një mëngjes dimri të acartë, ndërsa shkonin në kishë si zakonisht dhe famullitari po vonohej të vinte, gjyshja iu ankua fëmijës për të ftohtin që ndjente. Domeniko i vogël thotë: Bëj durim gjyshe, kur unë të bëhem prift, do të vij në kishë në kohën e duhur dhe ti mund të rrëfehesh kur të duash"…
Kjo fjali e dëgjuar nga Kordinjano gjatë kërkimeve që ai bëri për vite me radhë për jetën e At Domeniko Pazit, mjafton për të kuptuar se dhe disa fjalë të thëna rastësisht, kthehen më vonë në moton e jetës. Ashtu si Domeniko ndjeu përballë fytyrës së trishtuar të së gjyshes se duhej të bëhej një prift, që ajo të falej dhe të mos kishte nevojë të priste në të ftohtë…
Dhe ashtu ndodhi. Domeniko, dikur me një fytyrë tepër të brishtë (që i vogël ai do të humbte njëri pas tjetrit prindërit) do të kthehej më vonë në një misionar të betuar të fesë. Por ç‘rëndësi do të kishte jeta e tij, ku ka kaq shumë misionarë që kanë kontribuar në gjërat ku kanë besuar, për ta rrëfyer? Por teksa lexon librin që Fluvio Kordinjano ka bërë për jetën e tij, kupton se Ati me trupin e imët nuk dha një kontribut vetëm në fushën e fesë, çka ishte dhe vetë puna e tij, por nëpërmjet shënimeve të mbajtura si një pasion i vjetër, ai na tregon shekuj më pas Shqipërinë e viteve 1900. Atë Shqipëri që ende është e mjegullt në librat e historisë dhe që këto vite po nisim ta zbulojmë qoftë edhe nëpërmjet rreshtave të njerëzve si At Pazi.
Në korrik të vitit 1914 u paraqitën te famullitari i Erbezos, Don Serafino Rosi, dy persona të ardhur nga Shkodra, "sepse, thanë ata, duam të shohim shtëpinë ku ka lindur At Domeniko Pazi. Ai është ndarë nga kjo botë, por për ne ka vdekur një shenjtor".
Kjo histori e dëgjuar nga Kordinjano do ta bënte këtë të fundit të niste hulumtimin e tij për një nga personazhet më përfaqësues të misionarëve të huaj që kanë jetuar në Shqipërinë e atyre viteve. Nuk ishte vetëm dashuria e përcjellë nga katolikët shqiptarë për këtë figurë, po ajo çfarë vetë At Pazi kishte lënë pas, që e bëri Kordinjanon të besonte se një kontribut i tillë duhet të bëhej i njohur.
Misioni i At Pazit është ndalur kryesisht në Shkodër dhe në fshatrat përreth saj. Në shënimet që ai mbante çdo mbrëmje ne shohim se si ishin marrëdhëniet me fenë, të një qyteti që ka mahnitur gjithnjë me stilin e tij oriental çdo të huaj që ka shkelur në të. Nuk ka shumë rëndësi se si ndodhi që At Pazi zgjodhi Shqipërinë për të vënë në jetë mësimet e tij fetare, por ato shënime ku na shfaqen si imazhe personazhe që kanë jetuar dikur, jeta e një qyteti…
Si një njeri që ka dëgjuar aq shumë rrëfime, At Pazi tregon për këtë proces të pastrimit të shpirtit nga ata malësorë, pjesa më e madhe e të cilëve nuk kishin qenë kurrë në kishë.
"Për mungesë priftërinjsh dhe si rrjedhojë për mungesë udhëzimesh, si dhe nga përplasjet e shpesh nga shtypja e myslimanëve të përzier mes të krishterësh ose në kufi me ta, shfaqeshin abuzime të ndryshme dhe shumë të rrezikshme, si ajo e shitjes së vajzave te myslimanët, të cilët i kërkonin ose i paguanin shtrenjtë për t‘i pasur si pronë; ajo e marrjes së shumë grave njëkohësisht, ose marrjes së grave në mënyrë të jashtëligjshme, gjë që ndodhte në veçanti me kunatën ose gruan e xhaxhait, që pas vdekjes së vëllait ose të xhaxhait i jepej ndonjë tjetri në shtëpi, në mënyrë që të mos dilte të martohej diku tjetër", shkruan At Pazi.
Ja një tjetër zakon që gjejmë në shënimet e tij: "Këtu ekziston dhe zakoni që shumë muaj dhe vite përpara se të bekohet martesa, nusja mbahet në shtëpi. Këtë thonë se e bëjnë në mënyrë që të njihet më mirë zotësia e gruas, por në të vërtetë bëhet për t‘u siguruar nëse mund të bëjë djem. Edhe në festat e djemve të vegjël është zakoni që kjo fejesë bëhet shpesh herë qysh në djep dhe madje nganjëherë "me kusht" përpara se të lindin. Janë shumë të pakujdesshëm për pagëzimin e bijve dhe shpesh ndodh që të vdesin pa u pagëzuar. Edhe në lidhje me të rrëfyerit e të rinjve ekziston paragjykimi, që deri në moshën njëzet vjeç, madje edhe më shumë, nuk mund të bëjnë mëkate, dhe prandaj nuk rrëfehen dhe shpesh ndodh të rrëfehen për herë të parë kur vijnë për t‘u lidhur me martesë", shënon At Pazi.
Misionari tregon se malësorët e shpërfillin kryerjen e rrëfimit. "Më e shumta i përmbahen detyrimit që duhet t‘i thonë mëkatet priftit; por edhe këtu, me sa arrihet të gjykohet nga shumë syresh, kjo është e lejueshme që të pakësohet dhe në disa çështje shumë delikate të kapërcehet tërësisht. Formulat e thënieve janë këto: "Nëse do Zoti, nëse do mundem, do të dua, por nuk mundem të jap fjalën, sepse Zoti është i madh dhe të premtosh e të mos e mbash premtimin është më keq". Kush ka ndër mend të marrë gjak, pse nuk vjen të rrëfehet, ose as që e shpall, por sapo e merr gjakun, kërkon të rrëfehet sa më shpejt, që të mund të thotë se është penduar", thuhet në shënimet e mbajtura nga At Pazi. Po cili ishte gjykimi i tij për kushtet e gruas në atë periudhë? "Sa për ndershmërinë, vetëm po shënoj se mënyra e tyre e të jetuarit në familje dhe e të veshurit natyrisht që duhet të krijojë shumë gjëra të papëlqyeshme, por në këtë çështje, ashtu si edhe në të tjerat, malësorët kanë një moral krejt të tyre, dhe shumë shpesh krejt të ndryshëm nga ai që ne mësojmë në librat e teologjisë, dhe besoj që edhe Zoti ditën e gjykimit do të bëjë kujdes, me mëshirën e tij të pafundme, për këta malësorë të varfër të Berishës dhe Iballës, të cilët më tepër mëkatojnë nga padija, sesa nga vullneti i tyre i keq". Megjithëse pak i ashpër në këtë gjykim, në tërësi shënimet e At Pazit nënvizojnë shumë gjëra të mira në lidhjen e tyre të ngushtë me fenë. "Ata ruajnë një respekt të madh për gjithçka që është fetare dhe kanë një nderim të thellë për priftin. Dhe është ngushëlluese që nuk gjen dikë, i cili në mes të varfërisë apo të fatkeqësisë, të mërmërisë kundër Zotit apo të ankohet për provaninë e tij. Thënia e tyre më e zakonshme është: "Ajo që vjen nga Zoti, mirë se të vijë". Arsyetimi i tyre është i ngjashëm me atë që Shkrimet e Shenjta na bëjnë të ditur për popullin hebre. Thonë për shembull: "Zoti këtë vit na dha shumë grurë. Zoti na hodhi këtë sëmundje. Zoti më futi në këtë hall. Nëse do Perëndia, do të bëj këtë..., do të arrij këtë... etj., dhe këto shprehje i kanë gjithmonë në gojë", shkruan At Pazi.
Duke i parë këto shënime si një rrëfim që i bënte vetes çdo mbrëmje, At Domeniko Pazi bëri kështu një tjetër kontribut për vendin ku kaloi një pjesë të mirë të jetës së tij. Një kontribut që sot na zbulon sekretet e vogla të një pjese të Shqipërisë së madhe.
"Atë mëngjes (gjithmonë data 3 qershor) ishte vrarë Prel Nika me të birin. Martin Prela i Prel Dedës nisi sherrin me Mark Ndreun. Prel Nika me të birin hynë për t‘i ndarë dhe Prela u vra. I biri qëlloi Martin Prelan, që i vrau të atin, gaboi dhe u vra dhe ai. Kur mbërrita, po bëhej dreka (e varrimit), po hapeshin varret dhe po bëheshin gati për t‘i varrosur pak më vonë. Kërkova që ta ndryshonin mendimin dhe t‘i varrosnin mëngjesin tjetër, për të marr vesh më mirë ngjarjen dhe të shikoja nëse lejohej t‘i bekoja varrin. Moralisht rrethanat nuk na jepnin mundësinë që të prisje deri në mëngjesin tjetër për t‘i varrosur. Edhe t‘i pengoje që t‘i varrosnin në vendin që kishin zgjedhur dhe ku tashmë ishin hapur varret, ishte e rrezikshme dhe nuk dihej se çfarë pasojash mund të sillte. Pjetër Kola dhe Sokol, dëshmitarë okularë, si dhe Frrok Kola e Zef Hajdari, bënin betimin për atë që kishin dëgjuar dhe dinin: 1. Që Prel Nika dhe i biri nuk kishin fare të bënin me dy personat që grindeshin dhe hynë vetëm për t‘i paqësuar. 2. Që as Prela e as i biri nuk kishte qëlluar përpara se të vritej Prel Nika. 3. Që i biri i Prel Nikës ishte gjetur me dyfek të zbrazur, sepse ka të ngjarë të ketë qëlluar kundër vrasësit të të atit, por pa e ditur se çfarë do të ndodhë në këtë zallamahi. Në këto rrethana, e pashë më të udhës që t‘i lija të dy të vrarët t‘i varrosnin ku u kishin hapur varret, por refuzova që të isha në varrim dhe të bekoja varrin, me qëllim që të merrja vesh më mirë si kishte ndodhur ngjarja edhe se duhej t‘i shkruaja peshkopit. Këto i pranuan me vështirësi. Tri ditë më pas vjen hoxha, për t‘u lutur që të shkoja dhe t‘i bekoja varret e dy të vrarëve dhe më thotë se këtu duhet bërë sipas vendit dhe kuvendit. Edhe Qitapi (Kurani) e ndalonte atë që të shkonte të varroste dikë që kishte vrarë veten, kush ishte vrarë pranë një gruaje etj.,/////////, por shkonte për të qenë në mirëkuptim me të gjithë, madje i kishte parashtruar këto raste në Shkodër dhe atje i kishin thënë që të vepronte kështu.
"…Asnjë i varfër në vende të tjera nuk vishet si këta malësorë. Fëmijëve nuk iu bëjnë rroba derisa arrijnë moshën shtatë vjeç, tetë apo më shumë, dhe në mes të dimrit do t‘i shihni të vijnë përqark nëpër shtëpi dhe nëpër oborr krejt të zhveshur ose pothuajse të zhveshur. Thonë se rrobat e tyre janë zjarri. Të mëdhenjtë janë gjithmonë pa këpucë, në dimër dhe në verë, vetëm kur udhëtojnë ose shkojnë për dru nëpër borë veshin këpucë, por shpesh ndodh që midis tre apo pesë burrave që janë në shtëpi, të gjenden vetëm një ose dy palë opinga, që ia marrin njëri-tjetrit kur iu duhet të shkojnë diku larg…"
"…E gjeta familjen të tmerruar. Pas mesditës shkova për herë të fundit në varreza, për të bërë gjamën (vajtimin) që bëhej zakonisht tri ditët e para pas vdekjes dhe në të cilën marrin pjesë të afërmit dhe miqtë. Gratë sillnin rrobat e të vrarit, i vinin përdhe pranë varrit, ku së pari vinin tirqen ose pantallonin, vijonin duke vënë xhamadanin ose xhilen, meqë është e vetmja që kanë për të mbuluar trupin deri në brez, te vendi i kokës kapuçin apo qeleshen, te vendi i këmbëve opingat që janë një lloj këpuce, përmes vendosin një gjerdan plot me fishekë dhe dyfekun. Duke i vënë kështu rrobat e të vrarit, gratë mblidhen përreth në heshtje dhe nëna e të vrarit mbulon pjesën e kokës së të vrarit me një shami dhe fillon vajtimin…"
"…Kundërshtova duke i dhënë se nuk ishte e mundur që të rrëfehej pa i ndarë të dy konkubinat. Ai më solli shembullin e një borxhliu, i cili nuk mund t‘i shlyejë njëkohësisht të dy borxhet dhe e fillon duke paguar vetëm njërin dhe unë i solla shembullin tjetër, që dikush ishte i lidhur me dy zinxhirë dhe që nuk mund të lirohej pa i këputur të dy vargonjtë. Ndërkohë, nipit i tërhoqi vëmendjen biseda jonë dhe vjen vetë për t‘u mbrojtur, por nuk bëri gjë tjetër veçse përsëriti argumentet e xhaxhait të tij. Grindja vazhdoi gjatë. Bëra çdo përpjekje për ta bindur që të bënte ndarjen e dyfishtë, i përdora të gjitha mënyrat, por më kot…".
"Vetëm Zoti e di gëzimin që ndjejnë misionarët në gjyqin e pendesës, ku gjenin jo vetëm të rinj të shumtë mbi pesëmbëdhjetë apo gjashtëmbëdhjetë vjeç, por burra mbi njëzetepesë dhe tridhjetë vjeç, që kurrë nuk ishin rrëfyer. Pastaj kishte pleq, që prej shumë vitesh qëndronin larg sakramenteve dhe me këtë rast pajtoheshin me Zotin.
Një abuzim i rëndë mbretëronte në këto vise, kundër të cilit luftojnë shumë famullitarë të mirë, por shpesh herë duke arritur shumë pak, dhe aty pothuajse asnjë nuk shkonte në kishë. Shumë vetë shkonin vetëm katër apo pesë herë në vit, në festat më solemne, duke nxjerrë si arsye largësinë e madhe. Prandaj mund të përfytyrohet me lehtësi se në çfarë shkalle ishte padija e tyre. Për shembull, një grua iu lut misionarëve që të mos e detyronin burrin e saj të ndahej nga gruaja tjetër me të cilën jetonte në mënyrë të jashtëligjshme, duke thënë se ajo kishte hequr dorë nga të drejtat e saj dhe me vullnetin e lirë ia lejonte të shoqit këtë gjë; madje nëse ishte e nevojshme, ishte gati të paguante diçka në mënyrë që misionarët t‘ia lejoni këtë gjë burrit të saj…".