KESH, reshjet rrisin rezervën
Reshjet e shumta të dy ditëve të fundit po rrisin
nivelin e ujërave në liqenet e hidrocentraleve
në kaskadën e lumit Drin, duke krijuar rezerva të
mira hidrike. Burime zyrtare të KESH-it bënë të
ditur se konsumi ditor i energjisë ka arritur në 22.6
milionë kilovat orë, prej të cilave, nga prodhimi
në vend i energjisë elektrike janë siguruar rreth 13
milionë kilovat për dhe nga importi 9.7 kwh. Niveli
i prurjeve në liqenet e HEC-eve paraqitet në nivel të
kënaqshëm. Kështu, në HEC-in kryesor të Fierzës
niveli ka arritur në 284.34 metra, me prurje që llogariten
në rreth 200 m3/sek dhe me rritje ditore prej
më shumë se 5 cm. Burimet zyrtare të KESH-it bëjnë
të ditur se janë ulur kufizimet e energjisë elektrike,
përjashtuar raste të mbingarkesave në zonat më të
populluara urbane, çka detyron stakim të energjisë.
Shqipëria është në kuotat më të mira të rezervave të
saj hidrike gjatë 20 viteve të fundit. Asnjëherë vendi
ynë nuk kishte arritur të kishte në fillim të janarit
një rezervë ujore në liqenin e Fierzës që i kalon 280
metrat. Kjo situatë është favorizuar edhe nga fakti
se përgjatë gjithë vitit të kaluar KESH-i ka vazhduar
të mbajë importe të larta të energjisë, të cilat
edhe tani janë në të njëjtat kuota si në periudhën e
krizës. Ndaj vetë drejtori i KESH-it, Gjergj Bojaxhi,
ka deklaruar publikisht se viti 2008 nuk do të jetë
një vit me krizë energjetike.