Bisedime SHBA–Rusi/ Rubio dhe Lavrov takohen sot në Nju Jork, në fokus Ukraina dhe çështjet globale

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio dhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, do të takohen sot (24 shtator) në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së 80-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Lajmi u bë i ditur nga agjencia e lajmeve Interfax dhe CNN, duke cituar zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Takimi mes dy diplomatëve pritet të fokusohet në çështje dypalëshe dhe shumëpalëshe, me theks të veçantë në zhvillimet e fundit në Ukrainë dhe çështjet globale.
Gjatë një takimi të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të martën, Rubio i dërgoi një mesazh të fortë Rusisë, duke paralajmëruar se “durimi i administratës Trump nuk është i pafund” në lidhje me konfliktin ruso-ukrainas.
Rubio vlerësoi përpjekjet diplomatike të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe theksoi se lufta po kalon nga një fazë stagnimi në një periudhë të mundshme përshkallëzimi, duke përmendur ndërhyrjet e fundit në hapësirën ajrore të vendeve fqinje të NATO-s.
Ai paralajmëroi se, në mungesë të një zgjidhjeje paqësore, SHBA-ja është e gatshme të vendosë kosto shtesë ekonomike ndaj Federatës Ruse dhe të furnizojë Ukrainën me armatime mbrojtëse dhe potencialisht edhe sulmuese.
Nga ana tjetër, Lavrov ka shprehur më herët gatishmërinë e Rusisë për të ruajtur dialogun me Shtetet e Bashkuara përmes kanaleve të ndryshme komunikimi, duke theksuar se Moska beson në një përgjigje pozitive nga Uashingtoni.
Sesioni i 80-të i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së u hap më 9 shtator, ndërsa debati i përgjithshëm i nivelit të lartë do të zhvillohet nga 23 deri më 27 shtator dhe do të vazhdojë më 29 shtator.
/rtsh.al/