E Hënë, 2 Nëntor 2026

Marrëveshja e mundshme Siri-Izrael, SHBA: Palët synojnë ndaljen e sulmeve dhe uljen e tensioneve në kufi

Siria dhe Izraeli janë pranë arritjes së një marrëveshjeje për uljen e tensioneve në kufirin mes dy vendeve. Emisari i posaçëm amerikan për Sirinë, Tom Barrack, tha se Izraeli do të ndalë sulmet, ndërsa Siria do të heqë dorë nga vendosja e pajisjeve të rënda ushtarake afër kufirit.

Marrëveshja pritet të jetë një hap drejt një pakti më të gjerë sigurie. Këto deklarata u bënë në Nju-Jork, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Siria shpreson që përmes kësaj marrëveshjeje të ndalë sulmet ajrore dhe tërheqë trupat izraelite nga jugu i vendit.

Presidenti amerikan Donald Trump ka synuar arritjen e këtij pakti, por procesi është ngadalësuar për shkak të mungesës së progresit dhe festës hebraike Rosh Hashana. Tensionet mes dy vendeve kanë qenë të larta, pavarësisht rrëzimit të Bashar al-Assad në dhjetor.

Qeveria e re siriane, e udhëhequr Ahmed al-Sharaa, nuk është pritur mirë nga Izraeli. Tel Avivi e ka akuzuar presidentin e ri për lidhje me grupet xhihadiste dhe ka kërkuar nga SHBA të mos e mbështesë qeverinë e tij. Më 8 dhjetor, në ditën kur u rrëzua Assadi, Izraeli e braktisi marrëveshjen e armëpushimit të vitit 1974.

Pas kësaj, nisi sulme të drejtpërdrejta ndaj Sirisë dhe avancoi deri në 20 kilometra nga Damasku. Sipas presidentit sirian, deri tani Izraeli ka kryer mbi 1.000 sulme ajrore dhe 400 operacione tokësore në territorin sirian.

Gazetar: A. Mata

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›