Nis nga 1 tetori gjurmimi i tuberkulozit te bagëtitë, pa raste murtaje te të imëtat në Kukës

Në qarkun e Kukësit deri më tani nuk është evidentuar asnjë rast i sëmundjes së murtajës tek të imëtat.
Lajmi është konfirmuar nga përgjegjësi i Shërbimit Veterinar, Bajram Peposhi, i cili tha se kontrollet në terren vijojnë intensivisht për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve. Sipas tij, janë shtuar inspektimet në pikat e shitjes së të imtave, me qëllim ndalimin e tregtimit të tyre pa kontrolle veterinare apo dokumentacion përkatës.
“Nuk ka asnjë rast të shfaqjes së sëmundjes së murtajës të ruminantëve të vegjël. Situata është nën kontroll. Grupet e punës janë si në zonat kufitare, edhe në tregjet informale të Kukësit. Me vendim qeverie ka ndaluar shitblerja deri në një urdhër të dytë,” u shpreh z. Peposhi.
Ndërkohë, pas përfundimit të fazës së vaksinimit, nga data 1 tetor do të nisë edhe kontrolli për gjurmimin e tuberkulozit tek bagëtitë.
“Tani është në përfundim vaksinimi kundër brucelozës në të imëtat dhe nga 1 tetori do të fillojë faza e gjurmimit të tuberkulozit për të gjithë qarkun: Kukës, Has, Tropojë. Kafshët do të gjurmohen mbi një vit dhe sipas Strategjisë Kombëtare, rastet pozitive do të eliminohen, groposen,” tha z. Peposhi.
Sipas të dhënave zyrtare, në qarkun e Kukësit janë të regjistruara rreth 20 mijë bagëti gjedhë, si dhe mbi 45 mijë krerë të imëta.
Gazetare: Shkurte Elezaj
/rtsh.al/