E Diel, 1 Nëntor 2026

Bursat falas, 500 mijë euro për studimet e doktoraturës

Është i hapur aplikimi për bursat e ekselencës së 2008-ës. Ministria e Arsimit publikoi dje rregullat e reja të aplikimit për "shkencëtarët e rinj". Ky është termi joshës që shoqëron projektin më të madh të shkollimit në Perëndim. Afro 25 persona mund të kryejnë studimet e Doktoraturës dhe Postdoktoraturës në universitetet më prestigjioze evropiane dhe amerikane, me paratë e shtetit. Për këtë, duhet t‘i nënshtrohen një minikonkursi me dosje që zhvillohet në Ministrinë e Arsimit. Por paraprakisht duhet të aplikojnë, duke dorëzuar të dhënat e tyre deri më 30 mars pranë këtij dikasteri.

Fondi i ekselencës është plot 500 mijë euro. Jepet nga qeveria shqiptare dhe mundëson shkollimin e pak personave në Perëndim, me qëllim rritjen e nivelit shkencor në vend. Studime këto që kushtojnë pasi ndiqen në universitetet e huaja të mira dhe në degë mjaft të kërkuara si: Energjetikë, Shëndet, Biodiversitet dhe Mjedis, Bujqësi, Ushqim dhe Bioteknologjitë etj. Ky fond u dha për herë të parë në vitin 2007, dhe u përzgjodhën 25 studentë, që tashmë janë duke i ndjekur studimet e avancuara jashtë shtetit.

Në njoftimin zyrtar për fondin e ekselencës 2008, MASH bën të ditur dje se mund të aplikojnë katër kategori studentësh: Ata që kanë kryer vetëm studimet universitare dhe duan të ndjekin studimet e doktoratës jashtë vendit. Shkencëtarë të rinj, që kanë mbaruar doktoraturën dhe duan të ndjekin postdoktoraturën. Fitues në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare, si dhe studiues që me botimet e tyre kanë sjellë nivel të lartë kërkimoro-shkencor. Afati i dorëzimit të dokumenteve është deri në datën 30 mars 2008. Aplikimet janë individuale dhe duhet të përmbajnë gjithë dosjen e studimeve të kryera deri tani nga aplikanti dhe dokumentet bazë të identifikit.

Ka vetëm një kusht për fituesit. "Këta studiues detyrimisht duhet të kthehen në Shqipëri për 5 vjet dhe të kontribuojnë me dijet e tyre në atdhe", bën të ditur Ministria e Arsimit.

Kriteret

Të drejtën për t‘u mbështetur financiarisht me bursë për të ndjekur doktoraturën e kanë studentët që kanë përfunduar me rezultate të shkëlqyera studimet universitare të ciklit të parë dhe të dytë, me notë mesatare mbi 9.5, për studimet e kryera brenda vendit, ose përkatësisht mbi 8.5 ose ekuivalente e saj, për studimet e kryera jashtë vendit. Studimet e doktoratës, sipas sistemit tradicional, nënkuptojnë që doktorata realizohet dhe provimi i saj jepet në Institucionin e Arsimit të Lartë të Huaj. Kandidati qëndron gjithë kohën ose një pjesë të kohës së studimeve të doktoratës në universitetin e huaj. Mbështetja financiare e shtetit është për 20 muaj për doktoraturat me bashkudhëheqje dhe deri në 32 muaj për doktoratat sipas sistemit tradicional, me paraqitjen e programit të miratuar nga universiteti që e ka pranuar. Ndërsa për kategorinë e dytë, studime postdoktoraturë, studentët duhet të plotësojnë këto kritere. Të kenë përfunduar me rezultate të shkëlqyera studimet universitare të ciklit të parë dhe të dytë, me notë mesatare mbi 9.5, për studimet e kryera brenda vendit, ose përkatësisht mbi 8.5 ose ekuivalente e saj, për studimet e kryera jashtë vendit, në secilin cikël studimi, si dhe studimet e doktoratës me vlerësim maksimal mbi 9.5. Ata duhet të jenë të moshës deri 35 vjeç dhe të jenë autorë në artikuj origjinalë shkencorë në revistat e huaja me faktor impakti ose kanë botuar vepra shkencore thelbësore në fushën e shkencës në fjalë. Mbështetja financiare për studime të postdoktoratës jepet për një vit akademik. Përfituesve të kësaj burse u ruhet vendi i punës dhe u jepet paga e plotë për kohën e studimeve të postdoktoratës jashtë vendit. Gjithashtu, nëse është familjar shteti paguan edhe shpenzimet për bashkëshortin dhe fëmijët që do të qëndrojnë pranë tij/saj gjatë kohës së studimeve jashtë shtetit.

tab

Fushat kryesore të aplikimit

Shkencat sociale dhe albanologjike
Sistemet dhe teknologjitë e informacionit
Biodiversiteti dhe mjedisi
Bujqësia, ushqimi dhe bioteknologjitë
Shëndeti
Uji dhe energjia
Materialet

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›