E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura 2008: Gjithë testet e vitit të kaluar në një libër doracak

Një libër mjaft i vlefshëm mbërrin tani në shkolla. Testet e maturës 2007 janë botuar nga AVA dhe do t‘i shpërndahen maturantëve të 2008-ës, që të përgatiten me to për konkursin e shkollës së lartë. Muhamed Mesi, në një intervistë për gazetën "Shqip", ka shpjeguar gjithë procedurat që duhet të ndjekin të rinjtë për të mësuar këtë fundviti. Mesi është specialist pranë Drejtorisë Arsimore Tiranë dhe anëtar i Komisionit të Maturës. Sipas tij, e rëndësishme është që nxënësit të marrin programet orientuese dhe të përpiqen të fotokopjojnë dhe transportojnë dorazi, librin me ushtrime. Bëhet fjalë për botimin që ka nxjerrë AVA me testet e vitit të kaluar. "Këtu (tregon librin) maturantët mund të gjejnë gjithë testet që kanë rënë vjet si në letërsi dhe matematikë, por edhe të gjitha lëndët me zgjedhje", sqaron Mesi.

A e kanë marrë maturantët informacionin bazë për maturën 2008 dhe formularin A1?

Them me bindje se maturantët e gjithë shkollave të mesme të Tiranës, të përgjithshme, profesionale dhe jopublike kanë marrë gjithë informacionin për Maturën 2008. Ndryshe nga një vit më parë, tashmë gjithçka është e qartë. Këtë e them pasi vjet kishim mjaft vështirësi, e para se ishte eksperiencë e re dhe e dyta udhëzimet dolën shumë vonë nga Ministria e Arsimit. Për sa i përket formularit A1, ai ka mbërritur në shkolla në afatin e caktuar dhe maturantët kanë kohëv deri më 10 mars ta plotësojnë. Ndër informacionet e rëndësishme që atyre u duhen para se të plotësojnë formularin janë koeficientet. Ato janë miratuar nga MASH, janë publikuar edhe në gazeta dhe pritet që të hënën të vijnë në drejtori dhe ne t‘i shpërndajnë nëpër shkolla.

A ka grupe të posaçme që punojnë vetëm për maturën nëpër shkolla?

Po janë komisionet e maturës që ndiqen direkt nga specialistët këtu në drejtori. Mund të themi secili nga anëtarët e komisionit të maturës në drejtori ka nën vëzhgim komisionet e shkollave dhe mban shënime për gjithë mbarëvajtjen e punës. Komisionet në shkolla funksionojnë mjaft mirë dhe kjo jo vetëm nga përkushtimi, por edhe nga eksperienca e fituar. Matura Shtetërore po aplikohet për të tretin vit. Gjëja kryesore që ne kërkojmë nga ato çdo të premte kur zhvillohet mbledhja e përgjithshme, është informimi i përditshëm i çdo viti të katërt dhe respektimi i afateve të rregullores së maturës. Aktualisht, duhet të udhëzojnë mirë maturantët për plotësimin e A1 dhe ta dorëzojnë atë në drejtori deri më 25 mars.

Si duhet të përgatiten të rinjtë për konkursin e pranimit në shkollë të lartë. Po për provimet e detyruara?

Ato duhet t‘u referohen programeve orientuese, konsultimeve me mësuesit e lëndëve përkatëse, si dhe këtyre librave që kanë testet e vitit të kaluar. Janë mjaft të rëndësishme, sepse orientojnë nxënësit për mënyrën se si janë formuluar pyetjet, për tematikën që përmbajnë etj. Por ka një të keqe, nuk ka kopje për të gjithë maturantët. Për Drejtorinë e Tiranës na kanë ardhur afro tri-katër kopje për secilën shkollë. Kështu, nxënësit mund të fotokopjojnë pjesë të librit, ose t‘i kalojnë ato si doracakë deri në fund të vitit shkollor. Po në linjën e përgatitjes, mund të them se mësuesit e Tiranës kanë marrë pjesë si në komisionet e hartimit të testeve ashtu edhe në mbikëqyrjen e provimeve, kështu që dinë çfarë t‘u sugjerojnë nxënësve të tyre. Po kështu, duhet theksuar se këtë vit gjithçka është në kohë. Pra s‘ka nxitim siç ndodhi dy vite më parë dhe mbi të gjitha informacioni është mjaft i bollshëm, falë edhe mediave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›