E Diel, 1 Nëntor 2026

Këtë javë miratohet lista e barnave nga Komisioni Teknik

Këtë javë, Komisioni Teknik do të miratojë përfundimisht listën e barnave me rimbursim. Më pas, lista me ilaçet e propozuara pritet të miratohet në instancat më lartë. Konkretisht sipas Institutit të Sigurimeve Shëndetësore nuk pritet që të ketë ilaçe të reja për shkak të fondit, i cili mund të përmbushë nevojën për shtesa të mundshme. Ndërkaq, një propozim tjetër i cili pritet të miratohet dhe është ende në fazë propozimi, është lista e dytë me rimbursim. Kjo listë do të shërbejë për pacientin, duke i paguar gjysmën e shumës nga shteti dhe duke i lënë për të paguar vetëm gjysmën tjetër të çmimit. Në mbledhjen e Komisionit të Hartimit të Listës së Barnave me Rimbursim, ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, parashtroi kërkesën e tij për një rishikim të plotë të kësaj liste. "Të heqim prej saj barnat formale dhe të shtohet lista me një gamë më të gjerë barnash. Jam i ndërgjegjshëm për mundësitë financiare që lejon buxheti i shtetit, por gjithashtu jam i ndërgjegjshëm për nevojën e madhe dhe emergjente që qytetarët, sidomos ata me sëmundje kronike, të kenë mundësi reale për të përfituar nga barnat e rimbursuara", tha ministri. Ndërkaq në analizën e ISHKSH-së të zhvilluar pak kohë më parë, është bërë publike propozimi i këtij viti për sa i takon listës së barnave. Propozimi më i fundit i Institutit të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2008 është shtimi i një liste të re barnash. Ideja më e re e Sigurimeve Shëndetësore është rimbursimi i plotë dhe rimbursimi i pjesshëm. Kështu mendohet të ketë dy lista barnash, një me ilaçet bazë që do të rimbursohen plotësisht nga shteti dhe një tjetër me barna alternative, që gjysma do të paguhet nga pacienti dhe gjysma nga Kujdesi Shëndetësor. Propozimi ende nuk është miratuar përfundimisht, por drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, ka argumentuar se kjo do të sjellë më pak abuzime dhe njëkohësisht do të jetë një zgjidhje më e mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›