Bush: Bashkëpunuam me Rusinë për Kosovën e pavarur
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhorxh W. Bush deklaroi dje se qëndrimi ndaj Kosovës, ishte një mbajtje fjale për atë çka premtoi në kryeqytetin shqiptar. Në një prononcim publik nga Dar es Salam në Tanzani, ku ndodhet në një tur të posaçëm, Bushi kujtoi se në vizitën e tij në Tiranë kishte shprehur qartazi qëndrimin për pavarësinë, ndaj nuk duhet t‘i duket askujt si surprizë. Ai sqaroi se gjatë dy ditëve të fundit është punuar fort me vendet evropiane sipas një strategjie që ishte e planifikuar më së miri. "Dhe shprehja e mbështetjes, meqë ra fjala, nuk u shty deri këtë mëngjes; u deklarua mbrëmë nga Departamenti i Shtetit", saktësoi Bush. Sipas tij, vonesa në deklaratën e njohjes ishte një mënyrë për të krijuar një efekt që tregonte se bota mbështet fort pavarësinë e Kosovës. "Pozicioni ynë ka qenë shumë i qartë gjatë gjithë kohës", konfirmoi Presidenti amerikan. Sakaq, ai vlerësoi se ajo çka mund të ketë interes ka të bëjë me faktin se SHBA-ja ka vijuar
një konsultim të ngushtë me rusët gjatë gjithë kohës. "Kjo nuk ishte një surprizë për Rusinë. Dhe, ta dini, deklarata e sotme thjesht i vendos një pikëçuditëse serisë së deklaratave që janë bërë në 24 orët e fundit", theksoi Bush. Ai përsëriti se Uashingtoni ka punuar ngushtë me rusët, ashtu si edhe me evropianët dhe vende të tjera për pavarësinë e Kosovës, sepse beson se është gjëja e drejtë për t‘u bërë. "Ju e dini, ka mosmarrëveshje, por ne besojmë, ashtu si edhe shumë vende të tjera, dhe se historia do të provojë, se kjo është lëvizja e duhur për të sjellë paqe në Ballkan", u shpreh Bush. Kjo strategji, shtoi ai, ka kohë që zhvillohet. Ndërsa bëri më dije se u punua me aleatët evropianë për të bashkërenduar, për t‘u siguruar se kishte zëra të bashkërenduar dhe konstantë në mbështetje të kësaj lëvizjeje. "Shtetet e Bashkuara mbështesin këtë lëvizje, sepse ajo do të sjellë paqe. Dhe tani na takon të gjithë neve të punojmë së bashku për të ndihmuar kosovarët ta arrijnë këtë paqe", insistoi Bush. Duke i kujtuar Kosovës të përmbushë angazhimet e saj për të përkrahur të drejtat e joshqiptarëve, jokosovarëve brenda vendit. Kreu i shtetit amerikan, nënvizoi se në deklaratën e saj të pavarësisë, Kosova u angazhua për standardet më të larta të demokracisë, përfshi lirinë, tolerancën dhe drejtësinë për qytetarët e të gjitha përkatësive etnike. "Këto janë parime që nderojnë dinjitetin njerëzor, janë vlerat të cilat Amerika kërkon nga një mik dhe shpejt ne do të vendosim marrëdhënie të plota diplomatike me shtetin e ri të Kosovës", u angazhua Bush. Presidenti premtoi se do të punohet me udhëheqësit e Kosovës për të kryer një kalim të butë dhe paqësor drejt pavarësisë. Ndërsa Amerika mirëpret angazhimet e Kosovës për të zbatuar plotësisht Planin e Ahtisarit, të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara, dhe për të pranuar një periudhë mbikëqyrjeje ndërkombëtare.