Pediatria, drejt Sanatoriumit nëse nuk gjendet vend "borxh" në QSUT
Prej shumë pak kohësh ka nisur puna brenda spitalit. Të dy shërbimet e pediatrisë, si urgjenca ashtu edhe specialitetet do të rikonstruktohen. Godina ku do të transferohet pediatria ende nuk është gjetur, por janë duke u menduar dy variante kryesore. Nëse brenda spitalit nuk do të gjendet hapësirë për spitalin e fëmijëve, ata do të jenë të detyruar të shpërngulen në spitalin e Sanatoriumit. Ky spital është gjithmonë bujtësi i shërbimeve të QSUT-së sa herë që ato rikonstruktohen. Hera e fundit që QSUT-ja i kërkoi ndihmë Spitalit të Sëmundjeve të Mushkërive ishte para dy vjetësh kur u rehabilitua shërbimi i onkologjikut. Fati i pediatrisë mendohet të jetë aty, pasi për momentin, një pjesë e mirë e qendrës spitalore gjendet në rikonstruksion.
Rindërtimi i dy spitaleve të pediatrisë zgjat mesatarisht një vit, ndërsa pavijoni i pediatrisë së specialiteteve përfshin një listë të gjatë shërbimesh, një pjesë e mirë e pacientëve të vegjël kanë nevojë edhe për shtretër për të qëndruar për trajtime më të gjata. Rruga e gjatë deri në Sanatorium do të jetë problematike jo vetëm për largësinë, por edhe për trafikun që krijohet çdo ditë në këtë zonë. Megjithatë, Drejtoria e QSUT-së po përpiqet të gjejë zgjidhjen më të mirë si për të krijuar hapësirën që i nevojitet shërbimit ashtu edhe për t‘u krijuar lehtësira qytetarëve që kanë nevojë për ndihmë mjekësore.
Zona që përfshin dy pediatritë ka nisur rikonstruksionin, ndërsa shumë pranë saj bashkia është duke zgjeruar rrugën për karshi shërbimit. Fluksi i pacientëve në këto shërbime është tepër i lartë, në mënyrë të veçantë gjatë ndryshimit të temperaturave në mënyrë të menjëhershme. Vetëm brenda një ditë-nate në urgjencën e pediatrisë paraqiten nga 100-150 fëmijë të vegjël me virozat e stinës, të cilat bëhen më të shpeshta në kohë të ftohtë ose të nxehtë.