E Diel, 1 Nëntor 2026

Qendra e konsultave, mjekët nuk e preferojnë

Rregullat e vendosura në verën e vitit 2006, jo vetëm që nuk po zbatohen po madje janë harruar fare nga mjekët. Qendra e cila u ndërtua vetëm për të realizuar konsultat me prenotim jo vetëm që nuk funksionon por duket krejt e braktisur. Kjo ka bërë që drejtoria e qendrës spitalore të informojë me anë të një shkrese të gjithë shefat e shërbimeve për zbatuar rregullat e vendosura. Në qendrën e konsultave, sipas rregullit 2 ose 3 mjekë të caktuar nga shërbimi do të kryenin konsulta sipas prenotimeve të bëra me telefon dhe njëkohësisht sipas kërkesave të pacientëve për mjekun. Disa nga mjekët që duhet të punojnë në këtë qendër janë ata që punojnë në shërbimet e kardiologjisë, endokrinologjisë, reumatologjisë apo alergologjisë. Qendra e konsultave me telefon, ashtu siç njihet edhe nga qytetarët pati si synim eliminimin e radhëve të gjata të pacientëve dhe vendosjen e rregullit në pavijonet e mbipopulluara nga kërkesa për të bërë një vizitë te mjeku. Sipas rregullave të vendosura, pacientët pas rekomandimit të mjekut specialist telefonojnë në qendër, kërkojnë mjekun që dëshirojnë të zhvillojnë konsultën dhe më pas paraqiten në ditën përkatëse për vizitë në QSUT. Një tarifë prej 2 mijë lekësh të reja paguhet në rastet ku pacienti vjen pa rekomandimin e mjekut. Kjo bënte edhe që këto para të shkonin në arkën e shërbimit dhe të eliminonin sadopak korrupsionin. Faturat të cilat duhet të dorëzohen në rastet kur pacientët nuk plotësojnë kërkesat kohët e fundit janë pakësuar, ndërsa rregullorja nuk po gjen zbatim edhe nga ana e pacientëve, të cilët në shumicën e rasteve as nuk e dinë se duhet të prenotonin këtë vizitë me telefon. Ndërsa për sa i takon pjesës tjetër të rregullores ku do të kryheshin konsulta private në mjediset e qendrës së konsultave, ajo nuk gjeti as aprovim nga mjekët e as zbatim. Sipas rregullores së spitalit, mjekët duhet t‘i paguajnë diçka edhe shtetit nga përfitimi i faturave të tyre private.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›