E Diel, 1 Nëntor 2026

MTKRS, firmoset statuti i FSHF-së

Tërheqje strategjike. Kështu mund të përcaktohet vendimi i djeshëm i MTKRS-së që ka aprovuar dhe firmosur statutin e FSHF-së, sipas kërkesës së FIFA-s dhe UEFA-s. I gjendur përballë ultimatumit për përjashtim nga aktivitetet, ministri Pango ka hedhur firmën e tij në letër vetëm 24 orë para afatit të fundit të vendosur nga ndërkombëtarët, ndonëse pretendonte që një gjë e tillë nuk do të ndodhte pa zhvillimin e një asambleje të mirëfilltë të institucionit të futbollit. Në këtë situatë, është larguar rreziku i përjashtimit të Shqipërisë, ndonëse MTKRS dhe titullarët e saj do të jenë të detyruar gjatë ditëve në vazhdim të japin shpjegime të tjera te FIFA dhe UEFA në lidhje me akuzat ndaj presidentit të FSHF-së, Armand Duka.

Hapi i parë i tërheqjes së MTKRS-së ishte ai i fundit të janarit, kur u vendos ndryshimi i planit të auditimit në zyrat e institucionit të futbollit. Pas kërkesës së UEFA-s dhe FIFA-s për të hequr dorë nga kontrolli i fondeve ndërkombëtare, grupi i kontrollit nuk u rishfaq më në FSHF. Por ndërkombëtarët bënë të qartë se kjo nuk ishte mjaftueshëm për të shmangur një përjashtim të mundshëm të Shqipërisë, ku po cenohej autonomia e federatës së futbollit falë ndërhyrjeve politike. Për këtë arsye, u la si ultimatum data 21 shkurt për firmosjen e statutit të FSHF-së, i ndërtuar në bashkëpunim me ekspertët e UEFA-s dhe i miratuar parimisht edhe nga vetë ministri Pango që në qershorin e vitit të kaluar. Pavarësisht rezistencës që institucioni shtetëror kërkoi të bënte ndaj firmosjes së këtij statuti, në fund ai është dorëzuar. Pango ka hedhur dje firmën në dokument, duke zyrtarizuar kështu jo vetëm ndryshimet në statut, por edhe njohjen e FSHF-së dhe drejtuesve të saj, një gjë që nuk e kishte bërë as ai e as paraardhësi i tij në MTKRS, ish-ministri Bujar Leskaj. "Në vijim të kërkesës së Federatës Shqiptare të Futbollit me nr.197 prot. datë 25.01.2008, për miratimin e ndryshimeve të statutit të FSHF-së, bazuar në vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së, nr. 05 datë 09.06.2007. Ministri Pango në mbështetje të nenit 102, pika 4 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe pikës 2 të nenit 14 të ligjit nr.9376, datë 21.04.2005 i ndryshuar "Për Sportin", ka firmosur ndryshimet e statutit të Federatës Shqiptare të Futbollit", ishte njoftimi për shtyp i dalë dje nga zyrat e MTKRS-së.

Dokumenti ka mbërritur menjëherë në FSHF, ndërsa kjo e fundit do të ketë detyrën për ta dërguar më pas atë në gjykatë, në mënyrë që të hyjnë në fuqi vendimet e ndryshuara në statutin e saj. "Statuti i firmosur nga ministri Pango ka mbërritur në FSHF dhe ne do ta dorëzojmë atë në gjykatë në mënyrë që të njihen zyrtarisht të gjitha ndryshimet e bëra. Kemi lajmëruar menjëherë UEFA-n dhe FIFA-n për këtë hap të MTKRS-së dhe ata u shprehën të kënaqur që situata në vendin tonë ka ndryshuar dhe nuk ekziston më rreziku i përjashtimit nga aktivitetet ndërkombëtare. Data 21 shkurt ishte vënë si ultimatum vetëm për firmosjen e statutit, ndërsa për kërkesat e tjera në faksin ku kërkohet argumentimi i akuzave ndaj drejtuesve të FSHF-së, do të jetë MTKRS që do të kontaktojë direkt me FIFA-n dhe UEFA-n", u shpreh përfaqësuesi i zyrës për shtyp në FSHF, Lysjen Nurishmi. Me pak fjalë, lufta mes shtetit shqiptar dhe Federatës së Futbollit ka njohur armëpushimin e radhës, ndonëse vështirë se palët do të intensifikojnë bashkëpunimin me njëra-tjetrën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›