"Kur i hodha litarin bustit të Enver Hoxhës"
Ai flet shpejt. Ecën me nxitim. Shoqëron çdo fjalë me shkathtësi gjestesh. Duart rreken të tregojnë për një kohë, një vend, një çast, që i ka kushtuar refleksione të shumta që prej vitit 1991.
Siç pohon për veten, është një rebel i lindur. Është ky portreti i panjohur i njeriut që i ka lidhur duart diktatorit Enver Hoxha për t‘u tërhequr më pas zvarrë nga protestuesit në shesh ditën e 20 shkurtit të vitit 1991. Ai është Astrit Hatellari, dikur 31 vjeç. Sot, në vitin e 49-të të tij, nuk ka harruar asgjë nga ajo që ka ndodhur mesditën e "rrëzimit të mitit që bënte hije të shëmtuar në shesh". Kështu preferon ta përkufizojë atë ngjarje Astriti, kur busti i Enver Hoxhës, që lartësohej në sheshin qendror të kryeqytetit, u lëkund dhe më pas u plandos mbi pllakat e shkulura të mermerit nga gulçimi i urrejtjes së qytetarëve. Kohë e trazuar, kur mëngjeset gdhiheshin dhe mbrëmjet ngryseshin mes protestash, një greve urie studentore kundër sistemit totalitarist, përplasjeve me policinë, kërcënimeve dhe rrezikut për jetën. Mes këtij dekori të dalë jashtë kontrollit, Astriti kujton ditët e gjata të protestave në Qytetin Studenti. Më pas tregon: "U turrëm drejt qendrës. Kishim një qëllim, donim të hiqnim një simbol, që na ishte bërë si hije. Pas shumë reflektimesh mendoj se edhe shumë njerëz që i kishin shërbyer atij sistemi u çliruan pas rrëzimit të bustit. Qanin, u çliruan nga vargonjtë e sistemit". Por ai vetë ka mbetur i zhgënjyer nga një detaj. Bazamenti, ku qëndronte monumenti më i madh i bërë ndonjëherë për ish-udhëheqësin, ishte punuar me cilësi të dobët. "Më erdhi keq", thotë thjesht Astriti, teksa shton se gropa ku ishte ndërtuar bazamenti ishte rreth 1 metër e thellë. I gjithë ai masiv bronzi fiksohej vetëm në katër bulona, që qëndronin në një platformë hekuri rreth 4-5 centimetra të trashë. Sa shumë histori ishin thurur për pjesën e nëndheshme të këtij monumenti. Astriti shprehet se shumë njerëz e kanë pyetur se çfarë kishte poshtë bazamentit. Kanë qenë edhe njerëz të pushtetshëm dhe më kanë habitur kur nuk e besonin dot që gropa ishte bosh, nuk kishte asgjë aty brenda. Njëri nga variantet që përflitej ishte se poshtë bazamentit të monumentit kishte një tunel të nëndheshëm. Ndërsa fantazia tjetër lidhej me emrin e pasardhësit Ramiz Alia. "Disa thoshin se ai e kishte bërë gati rrëzimin e bustit. Asgjë nga këto nuk qëndron. Gjithçka aty ishte spontane. Kjo do të ndodhte dhe ishte e pashmangshme", flet Astriti.
Pjesa më emocionuese e rrëfimit të tij është ajo kur u ngjit mbi monument. Pika më e afërt për t‘u arritur ishin duart e lidhura pas shpine të Enver Hoxhës, në qëndrimin e tij të zakonshëm të shëtitjeve medituese. "Shokët më ngritën me duar, sepse nuk kishim shkallë. Unë jam marrë me gjimnastikë dhe kam qenë gjithmonë i prapë ndaj dhe vendosën që të ngjitesha unë". Këtë fakt ai e konsideron si një shans shumë të madh, plotësimin e një ëndrre që kishte shumë kohë që e dëshironte, të rrëzonte diktatorin, pavarësisht se aty ndodhej thjesht një monument i tij në bronz.
Për të gjithçka që ndodhi atë ditë ka qenë spontane dhe këtë e përforcon kur thotë se për të gjetur një litar që ta lidhnim rreth qafës së diktatorit ndaluam një makinë. Por me litar ishte e pamundur që të hidhej poshtë. Busti ishte shumë i lartë dhe laku i litarit nuk arrinte dot deri në qafë. Duart e bustit ishin shumë të mëdha. Aty një njeri mund të flinte po të donte, shton ai. Zgjidhja u duk kur një grup protestuesish sollën një kavo. "Fillova t‘i lidh duart bustit që ta tërhiqnim për ta hedhur në tokë. E kishim provuar më parë ta shtynim me supe dhe i mori goditjet lëkundëse, por kishim frikë se na rrëzohej sipër". Por kavoja u shkëput përsëri dhe 31-vjeçari i atëhershëm u detyrua ta lidhë sërish. Duke zbritur prej bustit nuk ka mundur që t‘i shpëtojë edhe një pllake mermeri që i ka rënë në këmbë. "Por kjo nuk ishte asgjë përballë atij momenti, kur diktatori u rrëzua në tokë. Njerëzit e rrethuan me shpejtësi, e lidhën me litarë dhe Ifa filloi ta tërhiqte". Sa shumë mllef u derdh mbi këtë skulpturë bronzi. "Koka iu shkëput rrugës, pasi nga fërkimi filloi të prishej. U nisëm drejt Qytetit Studenti për ta çuar te greva e urisë. Që në atë moment ndodhi kthesa e madhe. Miti ra, u shemb, u thye", preferon të përsërisë shpesh.
Ka nga ato momente në jetë, kur njeriu provohet se sa burrëri ka. Për Astritin, ky çast trokiti në kohën që qëndronte "në duart" e Enver Hoxhës, ose më saktë të ish-bustit të tij në qendër të kryeqytetit. "Teksa përpiqesha të hidhja litarin në qafën e bustit të diktatorit pashë që në shumë tarraca të ndërtesave në qendër ishin vendosur mitraloza. Kishte mbi godinën ku është sot Bashkia e Tiranës, mbi Bankën e Shqipërisë, te pallatet e ish- kafe Florës, te tarraca e ndërtesës ku sot është UFO", kujton ai. Mendohet pak dhe shton se vetëm mbi Pallatin e Kulturës ka pasur njerëz me automatikë, por jo mitraloza. I gjithë sheshi ishte blinduar me policë. "Në atë moment mendova se do të më qëllonin dhe do të bija. Gruaja së bashku me tim bir dhe motrën time ishin mes turmës. Pashë nga djali". Hezitimi nuk ka zgjatur. Ka qëndruar duke forcuar nyjën e kavos që do të hidhte në tokë "hijen e sheshit". Por nuk ka mbaruar me kaq. Policia filloi të sulmojë turmën. Në shesh, thotë Astriti, mund të ishin më shumë se 200 mijë njerëz. Mbaj mend që më erdhi një polic dhe deshi të më qëllonte me pistoletë, por nuk e la turma. Njerëzit filluan të shkulnin pllakat e mermerit përreth bustit dhe godisnin policinë.
Megjithatë, njeriu që iu ngjit monumentit për ta shkatërruar ka merak të thotë fort se nuk ishte vetëm, ishte një popull i tërë bashkë me të. "Unë nuk kam bërë asgjë, të gjithë ne që ishim në shesh e hodhëm diktatorin dhe simbolin e pushtetit të tij". A. Rr.
Përndjekja
Si i shpëtova policisë
Astrit Hatellari, një djalë nga Lapraka, e me origjinë nga Skrapari, nuk harron që të përmendë edhe dy shokët e tij që e ndihmuan ditën e 20 shkurtit, dy vëllezërit Spaho. Ai shprehet se policia arrestoi Agron Spahon me të vëllanë, dhe i ka mbajtur nën tortura për 2-3 muaj me radhë. Ndërsa për veten shton se iu desh të fshihej që të mos e kapnin. "Nuk arritën që të më bënin as fotografi të fytyrës", shton ai. Astriti thotë se në shesh ai nuk ishte i rastësishëm. Kishte kohë që aktivizohej me protestat e studentëve, ndërsa në Laprakë kishte qenë organizatori i mitingut të parë më 12 janar të vitit 1991. Për politikën e sotme thotë se ka ende shumë për të bërë dhe ata të persekutuarit e vërtetë të sistemit të dikurshëm nuk kanë fituar asgjë.