E Diel, 1 Nëntor 2026

Moisiu: Një fondacion për problemet shqiptare

Para se të zgjidheshit President i Shqipërisë, i pari i zgjedhur me konsensus, ju ishit një ushtarak profesionist me integritet. Mund të na thoni momentet më të rëndësishme të karrierës suaj si ushtarak?

Kam një karrierë të gjatë dhe aspak të lehtë. Natyrshëm kam pasur shumë momente të rëndësishme. Jetën ushtarake e kam nisur që në kohën e luftës, më pas kam vazhduar me formimin tim profesional në shkollat ushtarake dhe më vonë në detyra të ndryshme në njësitë e ushtrisë dhe në Ministrinë e Mbrojtjes. Në karrierën ushtarake kam kaluar në të gjitha nivelet, nga komandant toge deri në ministër në Qeverinë Teknike, në vitet 1991-1992. Gjatë më shumë se 40 vjetëve karrierë kam pasur momente të vështira, siç ishte ai i vitit 1982, kur në fushën e spastrimeve në ushtri më shkarkuan nga detyra e zv/ministrit dhe më dërguan në Burrel në nivelin fillestar të drejtimit. Aty qëndrova gati tre vjet dhe në moshën 55-vjeçare dola në pension. Por, personalisht momenti më i rëndësishëm në karrierën ushtarake është angazhimi im në Qeverinë Teknike më 1991 dhe sidomos angazhimi pesëvjeçar (1992-1997) si zv/ministër i Mbrojtjes për problemet e politikës së integrimit. Në dhjetor 1991 mora përgjegjësinë për ruajtjen e neutralitetit dhe garantimin e armatimit ushtarak, pasi siç dihet, kishte shenja të vjedhjes dhe abuzimeve, të cilat mund të na çonin në një situatë të rëndë. Më 1992 mora përgjegjësinë për drejtimin e politikave të integrimit në NATO dhe reformimin e ushtrisë shqiptare, duke qenë ushtaraku i parë shqiptar me këtë mision historik e të rëndësishëm.

Tani, gati 6 vjet pas ftesës që ju bënë për President, sigurisht me konsensusin e dy partive të mëdha, a keni një apo disa arsye që i shtynë ato te kandidatura juaj?

Unë kam arsye të besoj në ato deklarime dhe marrëveshje që dy partitë e mëdha bënë më 2002. Ato kërkonin kandidatë të pranuar, personalitete në fushën përkatëse, të paangazhuar politikisht dhe me kontribute të veçanta. Unë u propozova si alternativë e opozitës, pas tërheqjes së kandidatit të mazhorancës. Pavarësisht nga rrjedha e ngjarjeve, unë besoj se palët më pranuan dhe më propozuan, sepse besuan tek unë dhe se ishin të bindur se emri im mund t‘i shërbente vendit për kapërcimin e krizës politike, gjë që faktikisht ndodhi.

Ju morët një mandat të fuqishëm nga Kuvendi i Shqipërisë, si rrallëherë. Premtuat, mbi të gjitha, respektimin e Kushtetutës. Tani që jeni jashtë zyrës së Presidentit të vendit, si ju rezulton bilanci i punës suaj?

Puna dhe bilanci im janë publike, janë bërë dhe do të bëhen, nga profesionistët e kësaj fushe ashtu dhe nga raportet apo vlerësimet e komunitetit ndërkombëtar. Ajo që unë mund t‘iu them me siguri është, se sikurse edhe premtova para Kuvendit shqiptar dhe popullit tim, ato për çka u angazhova, dhe që vareshin nga unë, kam bërë të gjitha përpjekjet për t‘i realizuar. Në të gjitha veprimet e mia kam qenë konsekuent në zbatimin me përpikmëri të kërkesave të Kushtetutës. Në ushtrimin sa më të drejtë të kompetencave të mia, për të arritur në vendime sa më racionale, sidomos në shqyrtimin dhe dekretimin e ligjeve problematike, krijova edhe Grupin e të Urtëve, të përbërë nga juristë të shquar në fushën e legjislacionit kushtetues. Konsultimet me ta, për probleme tepër të rëndësishme, i bëra pjesë përbërëse dhe të vazhdueshme të punës sime vendimmarrëse. Në vazhdimësi përdora konsultimet me stafin tim, pra i vura rëndësi punës në grup si dhe shkëmbimit të mendimeve me forcat politike parlamentare. Në çdo moment të punës sime jam përpjekur të jap maksimumin për interesat e Shqipërisë, pa menduar asnjëherë për interesat personale. Kjo ishte e rëndësishme për një President që vjen kundër tendencave të partisë - shtet dhe që angazhohet të qëndrojë mbi palët dhe jashtë tyre. Natyrisht ndjej kënaqësi dhe vlerësim për përpjekjet e mia kur shoh se, në fundin e mandatit kushtetues, sondazhet profesionale më dhanë vlerësime maksimale, ndryshe nga përvojat e përparshme.

Gjithashtu, para se të zgjidheshit President, ju keni shërbyer në disa qeveri. Duke u nisur nga kjo përvojë si dhe nga përvoja në drejtimin e shtetit, cilët mendoni se janë elementët pozitivë që duhen adoptuar në qeverisjen e Shqipërisë dhe çfarë mendoni se duhet të ndryshojë?

Është e vërtetë se unë kam shërbyer në dispozicion të shtetit shqiptar për një periudhë më se 50-vjeçare. Puna në ushtri, në administratë dhe në shtet si edhe edukata ime familjare më kanë ngulitur, në ndërgjegjen dhe praktikën time, korrektësinë maksimale për ligjet dhe Kushtetutën. Në detyrën time si kryetar i shtetit, unë nuk mund t‘i ndryshoja konceptet dhe mendësitë e mia, përkundrazi unë ndjeva një përgjegjësi maksimale për të qenë tepër korrekt në punën dhe veprimtarinë time.

Këshillat dhe nxitja ime për çdo qeveri, të majtë dhe të djathtë, kanë qenë të njëjta: të respektojnë ligjin, Kushtetutën dhe detyrimet politike ndaj atyre që i kanë votuar. Vendi dhe qytetarët nuk kanë më kohë për demagogji dhe luftë politike të pandërprerë, por ata kërkojnë rezultate konkrete dhe bashkëpunim në zgjidhjen e problemeve kryesore që i shqetësojnë. Në aspektin e raporteve me shtetin ne kemi një Kushtetutë; ajo duhet respektuar nga të gjithë dhe në çdo rast, jo vetëm kur vjen përshtat me qëllimet politike të njërës palë, por edhe kur është ndryshe. Kushtetuta bën ndarjen dhe balancën e pushteteve, partitë duhet ta njohin këtë parim dhe të mos tentojnë kontrollin e tyre. Përdorimi vend e pa vend i forcës së kartonit e dobëson demokracinë tonë. Qëllimi nuk ka pse të jetë pushteti me çdo kusht, por shërbimi ndaj qytetarëve me çdo kusht. Në këtë mision secila forcë politike është e nevojshme të vërë nga një tullë, për të ndërtuar murin e përbashkët, që është Shqipëria e zhvilluar, Shqipëria evropiane. Kështu ndahemi nga riti e Rozafës, i nisjes gjithnjë nga e para, dhe bëjmë realisht hapa për në BE dhe NATO.

Gjatë viteve të tranzicionit kemi pasur shumë qeveri, të cilat kanë prodhuar shumë kriza e debate politike. Fatkeqësisht kemi pasur pak rezultate konkrete për të ulur papunësinë dhe varfërinë. Shumë pak kujdes është treguar ndaj së ardhmes së rinisë, që ajo ta ketë të qartë perspektivën e saj. Le të marrim bujqësinë. Është tragjike të shikosh shumicën e fushave tona më të mira të lëna djerrë, ndërkohë që fuqia më e mirë dhe më e re punëtore e jona punon në gërxhet e Italisë dhe Greqisë.

Vlerësohet se gjatë mandatit tuaj, ju luajtët një rol kyç në ruajtjen e ekuilibrave të brishtë politikë në vend. Sa e vështirë ishte kjo sfidë?

Sfidat gjithnjë janë të vështira, prandaj quhen sfida. Personalisht kam qenë i ndërgjegjshëm për përgjegjësitë e detyrës dhe kam qenë i përgatitur të përballoj të gjitha vështirësitë. Unë mund të them që, detantën e krijuar nga politika shqiptare, me rastin e zgjedhjes sime në krye të shtetit shqiptar, jam përpjekur ta ruaj sa më gjatë që ishte e mundur. Them sa më gjatë që të ishte e mundur, pasi dëshira e ime për ta bërë këtë jo gjithmonë përputhej me qëllimet e politikës sonë partiake. E nga kjo përgjigje ju mund ta nxirrni shpejt përfundimin se sa e vështirë ishte kjo sfidë.

Megjithatë po ju kujtoj se gjatë mandatit tim për herë të parë funksionuan tryezat politike, jo në kohë krizash, por edhe në kohë normale. Që në fillim të mandatit tim mblodha partitë për çështjen e pronës, më pas për reformën zgjedhore, për ish të përndjekurit politikë, etj. Gjithashtu mazhorancën dhe opozitën, për herë të parë në këto vite, e bëra pjesë të rëndësishme të shtetit, duke i përfshirë aktivisht në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, në delegacione të larta përfaqësimi jashtë vendit, deri edhe në ceremonialin zyrtar të takimeve me Presidentin e SHBA. Po t‘i referohemi vetëm reformës zgjedhore, ka mbetur ende e freskët jo vetëm tryeza e shtatorit 2003 apo dhjetorit 2005, por sidomos negociatat politike me 12 partitë parlamentare në janar 2007. Ju e dini që negociatat zgjatën tri ditë dhe drejtuesit e partive qëndruan tërë natën në Presidencë për bisedime. Ky ishte një rast unikal në historinë e politikës moderne, por për mua më se i nevojshëm, sepse në fund u gjet marrëveshja dhe u zgjidh kriza, e cila nëse vazhdonte do të ndikonte në humbjen e çdo shansi pranimi në NATO.

Si President nuk vinit nga ndonjë kamp politik. Sa ju ndihmoi ky fakt gjatë mandatit tuaj?

Mundet, edhe kjo ka luajtur rol të rëndësishëm, në faktin që unë e kisha më të lehtë për të qenë realisht mbi palët. Por më duhet të shtoj, se nuk është vetëm kjo. Rol të rëndësishëm, për mendimin tim, për këtë ka luajtur edukata dhe formimi im profesional e qytetar. Për mua respekti ndaj shtetit, institucioneve, ligjit e Kushtetutës qëndrojnë mbi çdo bindje politike. Pikërisht kjo, kam përshtypjen se u mungon mjaft politikanëve në vendin tonë.

Si shpjegohet, që edhe pse ishit propozuar për President nga e djathta, ishit në qendër të sulmeve të saj, nga fundi i mandatit tuaj. Cilat ishin momentet kryesore që thyen këtë marrëdhënie?

Kjo është një pyetje për të cilën më mirë mund të përgjigjen ata që qëndrojnë pas sulmeve. Politikanët tanë, kur nuk arrijnë qëllimet e tyre, nuk mendojnë për korrigjimin e vetvetes, por sulmojnë dhe etiketojnë të tjerët. Unë kam pasur shansin të jem President i zgjedhur me konsensus, por duke mos pasur pas asnjë parti, kam qenë gjithashtu i zbuluar ndaj sulmeve të të dyja palëve, përfshirë edhe atë që më propozoi. Personalisht nuk kam pasur preokupim të mos sulmohem nga palët, por të jem korrekt me betimin tim, se nuk do të jem President i asnjërës palë, por do të jem President i vendit.

Duke parë arkivat e medias, gjej rastin të citoj një shkrim të një analisti të afërt me të djathtën, i cili në nëntor 2002, shkruante për mua: "Gjatë 100 ditëve ka ulur shkallën e dyshimit të skeptikëve se në këtë post do të ishte aq formal apo, ca më keq, marionetë në duart e Berishës dhe Nanos, dy personat që i dhanë bekimin për ‘President konsensual‘". Pra, që në fillim unë kam vepruar dhe kam marrë vendime vetëm dhe vetëm në bazë të Kushtetutës, në interes të demokracisë dhe të vendit, pa menduar se kujt mund t‘i kem shkelur në kallo. Unë veprova kështu, sepse e kisha të qartë misionin tim, të tjerë duket se nuk e kanë pasur të qartë që në fillim kur më propozuan.

Një pikë kulmore e mandatit tuaj ishte pritja nga ju e Presidentit Bush. Në të vërtetë kush e përgatiti këtë vizitë? Ishte kjo ftesa juaj apo rëndësia gjeopolitike që ka Shqipëria për Shtetet e Bashkuara?

Ajo ishte një vizitë historike, që do të mbahet gjatë mend nga shqiptarët. Personalisht, që në takimin e parë me Presidentin Bush më 2002, i kam shprehur dëshirën për ta parë në Shqipëri. Të njëjtën ftesë e kam përsëritur në çdo takim që kam pasur gjatë pesë viteve në detyrë. Kështu mendoj se kanë bërë të gjithë politikanët shqiptarë që e kanë takuar. Të gjithë kemi dashur që Presidenti i SHBA-së të jetë në mesin tonë. Në takimin e fundit në SHBA, në shtator 2006, vetë Presidenti Bush më tha se i pëlqen të vizitojë Shqipërinë. Iu përgjigja: "President Bush, jeni i mirëpritur, disa herë ju kam bërë ftesë. Si për mua, ashtu edhe për gjithë shqiptarët, ardhja e juaj te ne do të ishte një kënaqësi e madhe". Qeshi dhe pasi shtrënguam duart kur u ndamë. Sigurisht që vizita ishte e motivuar për një sërë arsyesh të mëdha në marrëdhëniet dypalëshe. Mendoj se rol nxitës ka qenë kontributi i Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, roli i saj pozitiv në rajon dhe çështja e Kosovës.

Ka kureshtarë dhe pyesin: Në bisedat kokë më kokë mes shtetarëve të lartë, çfarë bisedohet? A ka njerëz të tjerë të pranishëm në biseda të tilla? Ose a flitet jashtë protokollit apo për detaje personale e private?

Ka dy lloje bisedimesh: bisedime zyrtare midis delegacioneve dhe bisedime teta tetë, të cilat përcaktohen sipas dëshirave të vetë kryetarëve të shteteve. Pjesëmarrja në to është shumë e reduktuar dhe vendoset gjithashtu sipas kërkesës së kryetarëve të shtetit. Në takimin tim me Presidentin Bush në Tiranë, unë isha i vetëm edhe pa përkthyes. Në këto biseda as bëhet fjalë për gjëra personale. Në to bisedohet për gjëra që konsiderohen se duhen bërë vetëm për vetëm me titullarët shtetërorë dhe që mund mos të jenë tema për publikun.

Shpesh Shqipëria është konsideruar si "delja e zezë" e Ballkanit edhe për shkak të korrupsionit. Nga ana tjetër, ka një vlerësim se po fryhet shumë kjo puna e korrupsionit sidomos kur bëhet fjalë për vende të vogla si ne. Se në fund të fundit korrupsion ka dhe në vendet e zhvilluara.

Ekziston një rrëfenjë e vjetër: Një herë një shok shikon mikun e tij që i kishin nxjerrë syrin. I habitur dhe i dëshpëruar i thotë: "More kush ta ka bërë këtë?" Ai i përgjigjet:- "Lëre, lëre, këtë mynxyrë ma ka bërë një njeriu im!". Shoku ia kthen: "E kuptova, ka qenë i yti, prandaj ta ka nxjerrë kaq thellë". Morali i kësaj fabule besoj se është shumë i qartë. Te ne është e vërtetë që ka pasur dhe ka korrupsion. Nuk mund të them i çfarë mase është, por jam i sigurt se nuk jemi vendi më i korruptuar në botë, siç u pëlqen disave të thoshin më parë dhe tani. Kam përshtypjen se, në luftën politike për pushtet, ne vetë i "kemi nxjerrë syrin njëri-tjetrit", duke ndikuar që ta etiketojmë pa të drejtë veten dhe vendin tonë si "dele e zezë". Fatkeqësisht në funksion të këtij qëllimi politika ka përdorur edhe disa organizata joqeveritare, të cilat, në vend të pavarësisë, kanë zgjedhur shërbimin ndaj politikës. Kur forca e tyre politike vjen në pushtet, përpiqen ta mbyllin më me lezet, por është vonë, të dhënat janë tashmë të regjistruara dhe riciklohen.

Unë mendoj se te ne ka korrupsion, kështu besoj mendojnë edhe qytetarët. Fatkeqësisht këtë e kanë bërë dhe e bëjnë njerëzit me pushtet, dhe ata nuk kanë ngjyrë. Ai që nuk ka pushtet nuk ka si të korruptohet. Për fatin e keq lufta kundër korrupsionit më tepër është përdorur si demagogji, se sa të jetë luftuar vërtet realisht. Edhe kur ka pasur rezultate, është lënë përshtypja se ato kanë qenë selektive. Kjo nuk duhet të ndodhë, interesi i qytetarëve dhe i vendit e kërkon që e gjithë strategjia kundër korrupsionit të ndryshojë. Është më se e qartë që duhen bërë ndryshime në legjislacion, në qëndrim dhe në sjellje. Duhen ligje të reja. Duhen përmirësime ligjore e administrative, për të trajtuar çdo individ të akuzuar me të njëjtin standard dhe për të pasur kurajën që fushata denoncuese ndaj të korruptuarve, kur ka fakte, të fillojë nga çerdhja jote. Nuk mund të ecet më as me demagogji dhe as me standard të dyfishtë.

Ish të përndjekurit dhe ish-pronarët, dy çështje të nxehta. A duhej të ishin zgjidhur këto probleme deri tani dhe si?

Problemi i të përndjekurve është zvarritur shumë. Unë kam dyshime se kjo është bërë me qëllim nga politika, për ta përdorur atë si kartë politike për qëllime elektorale. Në vendet e tjera të ish-Lindjes ky problem as që përmendet më, sepse është zgjidhur herët. Më 2003 organizova një takim me qeverinë dhe ish të përndjekurit, u morën shumë premtime nga ekzekutivi, por asnjëherë nuk u mbajtën. Edhe problemi i pronarëve është kthyer në një akuzë publike për klasën politike të dhjetë viteve të fundit. Nuk ka pasur dhe nuk ka një platformë bindëse, realiste dhe të saktë për zgjidhje përfundimtare. Secila palë e ka trajtuar atë në mënyrë sipërfaqësore. Edhe ndonjë propozim real që mund të merrej në konsideratë, si ai i Dashamir Shehut, nuk është vlerësuar. Ata që vazhdojnë të tregohen të përkushtuar dhe kërkojnë ta zgjidhin këtë në Parlament, kam përshtypjen se nuk e kanë seriozisht. E bëjnë këtë vetëm për të mbajtur me shpresë elektoratin e tyre. Ka shembuj se si zgjidhet, mjafton t‘u referohemi përvojës së shteteve të tjera ish-komuniste, por për këtë nuk ka pasur dhe nuk ka një vullnet politik serioz, kjo është kryesorja.

Shkarkimi i ish-kryeprokurorit Sollaku solli mjaft debate në politikën shqiptare. Dekreti juaj ishte jo, ndaj kësaj kërkese të mazhorancës, por Presidenti Topi dekretoi shkarkimin e tij pa dhënë shumë argumente. Si e mendoni ju këtë vendim tani, a duhej shkarkuar ish-kryeprokurori?

Kësaj pyetjeje i kam dhënë përgjigje publike. Unë e kam trajtuar çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm me shumë përgjegjësi, kam gjykuar faktet, procedurat dhe jam konsultuar me juristë shqiptarë e të huaj, sidomos me juristë amerikanë. Mora një vendim kushtetues. Nuk pata parasysh asnjë kosto politike personale. Për mua ishte e rëndësishme që të triumfonte shteti ligjor. Organi i vetëm që gjykoi veprimin tim ishte Gjykata Kushtetuese. Mund të them, se nga kjo gjykatë asnjë vendim i imi nuk është konsideruar si antikushtetues, përfshirë rastin e prokurorit. Një President që betohet në Kushtetutë nuk mund të vepronte ndryshe. Lidhur me vendimin e marrë nga Presidenti Topi, nuk preferoj të jap gjykime.

A ishte i juaji një vendim i drejtë, presionet, "Albatros" etj.?

Për vendimin nuk dëshiroj të shtoj më shumë se sa thashë më sipër. Lidhur me skandalin "Albatros" jam i bindur se ky është një rast i turpshëm, një rast presioni e shantazhi i tipit mafioz, që meritonte të ishte objekt i drejtësisë së pavarur e profesionale. Kështu do të ndodhte në çdo shtet demokratik në botë. Te ne fatkeqësisht, politika gjykon përpara drejtësisë, kështu që nuk të çudit fakti, që të akuzuarit për këto lloj shantazhesh ndaj kryetarit të shtetit, shkojnë në burg jo si fajtorë, por si drejtorë burgjesh. Ky është një mesazh tepër negativ, sigurisht jo për mua, por për shtetin ligjor, për qytetarët dhe për partnerët ndërkombëtarë që na ndihmojnë dhe asistojnë. Aq më tepër që qeveria asnjëherë nuk u distancua nga ky akt. Interesant është fakti, se gjatë gjykimit, shumë gjyqtarë refuzuan të ishin në trupin gjykues. Nuk po flas këtu për mobilizimin e paparë që bëri shtypi proqeveritar, duke më sulmuar me të gjitha bateritë. Mjaft skandaloze dhe të papërgjegjshme ishin dhe shumë deklarata me shpifje të ulëta dhe të paprincipta ndaj meje, të cilat u bënë nga personalitete të larta të mazhorancës, pa iu dridhur qerpiku. Disa prej tyre, pa pikën e turpit dhe perceptimin e aktit që po kryenin, e dërguan kryetarin e shtetit të tyre deri në Kolumbi. Për këto shpifje, më pas ata dhe u ngritën në pozitë. Vërtet gjëra të papara e të padëgjuara për një shtet normal.

Kosova shpalli pavarësinë dhe po njihet nga shumica e vendeve të botës. Si e mendoni këtë pavarësi? Sepse tej dëshirave tona, shumë analistë shprehen se do të jetë paksa e kufizuar. Kosova de-fakto do të jetë e ndarë, etj.?

Me problemin e dhimbshëm të Kosovës, unë jam marrë duke filluar që nga vitet ‘90. Për këtë kam bërë edhe një libër, me shkrimet dhe fjalimet e mia kryesore të periudhës 1996-2001. Është padrejtësia më e madhe që i është bërë kombit shqiptar, pas shpërbërjes së Perandorisë Otomane. Tani për tani është shumë e rëndësishme, që ajo të fitojë pavarësinë sa më parë që të jetë e mundur, në bashkëpunim me SHBA-në, të cilët janë dhe kanë qenë mbështetësit kryesorë, dhe me BE-në. Ne duhet ta pranojmë pavarësinë ashtu sikurse e kanë menduar aleatët tanë. Periudha e mbikëqyrjes do të ndihmojë që shteti i ri i Kosovës të forcohet, duke ndërtuar të gjithë infrastrukturën njerëzore dhe administrative. Me gjithë përpjekjet që mund të bëhen nga qarqe të njohura, nuk besoj kurrë që Kosova do të ndahet. Një tentativë e tillë do të ishte shumë e rrezikshme jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin. Ajo do të shkaktonte në rajon një reaksion zinxhir. Rrjedhimisht mendoj, se është një përgjegjësi tepër e madhe, për këdo që mund të bëjë tentativa të kësaj kategorie.

Pavarësia e Kosovës, tashmë është një proces që e ka marrë rrugën e pakthyeshme. Unë disa ditë përpara isha në Kosovë, në një seminar të organizuar mbi temën "Sfidat e Paqes në Kosovën e Re". Midis të tjerash, shfaqa mendimin se kosovarët duhet të tregohen të matur, të mençur dhe të kujdesshëm gjatë ditëve që pasojnë shpalljen e pavarësisë. Është shumë e rëndësishme që pakicat e tjera kombëtare, sidomos serbët, të cilët e konsiderojnë veten si të humbur, të mos e ndjejnë veten në shtetin e ri të Kosovës si të huaj. Është shumë e rëndësishme që në Kosovën e re të dominojë fryma e respektit reciprok dhe e sigurisë së zhvillimit të përbashkët. Vlerësoj shumë sjelljen e mençur, humane dhe përparimtare të Kryeministrit Thaçi, i cili po kryen vizita në enklavat serbe që kanë më shumë vlerë se çdo premtim verbal.

Si e vlerësoni rolin dhe qëndrimin e Shqipërisë ndaj çështjes së Kosovës?

Qëndrimi dhe mbështetja e shtetit shqiptar për Kosovën ka pasur dhe ka një rëndësi vendimtare. Është e rëndësishme që e gjithë klasa politike e Shqipërisë ka qenë në një mendje për problemin e Kosovës, dhe kështu duhet të ishte. Kosova do të ketë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tonë, e ne nuk duhet të kursehemi. Arritja e pavarësisë së Kosovës është edhe një çështje e rivendosjes së nderit dhe dinjitetit të kombit tonë. Kuvendi shqiptar prej kohësh e ka një akt të njohjes, kështu që mbetet vetëm ta ligjërojmë tashmë atë përfundimisht.

Z. President, me ç‘po merreni aktualisht? Cila është dita juaj?

Jo vetëm tani, por edhe në vitin 1984, kur më nxorën në pension, jam marrë vetëm me punë. Di si ta përdor kohën, që të mos kaloj kot. Kam shumë takime me miq, diplomatë dhe personalitete. Më vijnë edhe njerëz të thjeshtë, nganjëherë edhe të panjohur, të cilët më kërkojnë mendime ose ndihmë për probleme nga më të ndryshme. Po punoj për organizimin e një fondacioni, jashtë ndikimeve partiake, ku mund të shprehen mendime e të sugjerohen zgjidhje të mundshme për problemet e sigurisë, sigurisë rajonale, për zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë dhe të ekonomisë së vendit. Po punoj gjithashtu për të shkruar kujtimet e mia, në mënyrë të veçantë, ato të mandatit tim pesëvjeçar presidencial. Përveç marrjes së informacionit nëpërmjet medias së shkruar dhe asaj vizive, lexoj edhe libra të ndryshëm të politikës dhe libra artistikë.

Cilat kanë qenë marrëdhëniet tuaja me drejtuesit e tjerë të politikës, Kryeministrin Berisha, ish-kryetarin e PS-së, njëherazi edhe ish-kryeministër, Nano, kryetarin aktual të socialistëve, Rama, kryetarin e LSI-së, Meta etj.?

Marrëdhëniet e mia me këta politikanë janë të njohura për gjithsecilin. Nga ana e ime, kanë qenë marrëdhënie korrekte e institucionale. Mund të them se gjatë mandatit tim presidencial jam përpjekur që, në marrëdhëniet midis politikanëve të lartë, të përfshij disa standarde të reja e bashkëkohore. Kështu, për herë të parë në vendin tonë, në delegacione të rëndësishme kam përfshirë dhe ish-presidentët e vendit. Dy herë që kam qenë në Vatikan, si në rastin e lumnimit të Nënë Terezës, ashtu edhe në pelegrinazhin me rastin e ceremonisë së varrimit të Papës Gjon Pali II. Ishim prezentë të tre presidentët e Shqipërisë, fakt që provokoi komente dhe jehonë tepër pozitive. Po ashtu, në delegacionet zyrtare, gjatë vizitave të mia, në përbërje kam pasur përfaqësues si nga pozita, ashtu edhe nga opozita. Po kështu edhe në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, ku kam ftuar edhe përfaqësues të opozitës. Në këtë mënyrë, gjithmonë opozitën e kam konsideruar si pjesë përbërëse të shtetit, sikurse edhe duhet të jetë në fakt.

Me Berishën jam njohur në vitin 1992, kur isha ministër i Mbrojtjes, në Qeverinë Teknike. Si me shumë politikanë të tjerë, edhe me atë jam takuar disa herë. Sipas rastit, jam konsultuar me të për probleme të rëndësishme si ish-president. Po ashtu, edhe me Meidanin. Me Nanon si Kryeministër i vendit, kam pasur takime zyrtare të rregullta, ndërsa Berisha në detyrën e Kryeministrit, vinte më rrallë për të biseduar. Pas 19 prillit 2006, takimet tona institucionale u ndërprenë. Me Ramën dhe Metën kam pasur takime, në varësi të problemeve e situatave. Takime, gjithashtu, kam pasur me të gjithë kryetarët e partive politike parlamentare, për konsultime e bisedime, gjatë gjithë kohës së mandatit.

Politika shqiptare ka pasur mjaft zhvillime muajt e fundit. Ka pasur debate të ashpra, që kanë degjeneruar në sharje e debate në Kuvend, por tani po vihet re se po fryn një erë e qetë bashkëpunimi. Mendoni se do të zgjasë, palët politike do të bashkëpunojnë apo thjesht klima është kalimtare dhe pozita dhe opozita do t‘i rikthehen shumë shpejt "luftës" së tyre?

Po, është e vërtetë që ka një qetësi, të cilën unë do të dëshiroja të mos ishte konjukturale, meqë kemi përpara për të zgjidhur çështje shumë të rëndësishme, sikurse janë integrimi në NATO dhe pavarësia e Kosovës. Vendi ka nevojë për një pakt politik e social, për reforma të thella, serioze dhe kontribut pozitiv të të gjithë faktorëve politikë. Nga e kaluara kemi kujtime jo të mira, janë harxhuar shumë energji për të denigruar politikat respektive dhe pak është bërë për zgjidhjen e problemeve reale. Shpresoj dhe pres që politika të ketë nxjerrë mësime nga tranzicioni i gjatë dhe problematik, me qëllim që të shkojmë drejt një politike e vizioni të ri evropian, ku të kenë vendin, fjalën dhe kontributin e tyre të gjitha forcat politike dhe grupet shoqërore e të interesit.

Reforma zgjedhore për të cilën ju punuat intensivisht ende nuk po merr një zgjidhje konkrete. A besoni se shqiptarëve do t‘u krijohet ndonjëherë mundësia për të pasur një Kod Zgjedhor për t‘u vlerësuar dhe lista të sakta për të votuar? Pra, a do të kemi ndonjëherë zgjedhje si bota e përparuar?

Kjo pyetje meriton një trajtim të zgjeruar, sepse e zgjeruar dhe komplekse ka qenë ecuria dhe problematika zgjedhore. Pas çdo zgjedhjeje kemi pakënaqësi, kontestime dhe nisje të reformave zgjedhore, që përfundojnë gjysmake dhe në momentet e fundit. Në vendet e rajonit, deri edhe në Kosovë, e cila akoma nuk është zyrtarisht shtet, bëhen zgjedhje pa probleme, dalin rezultatet brenda 24 orëve, të gjithë i pranojnë ato, urojnë edhe njëri-tjetrin. Pas gjithë asaj përvoje dhe angazhimi në këtë çështje kam arritur në përfundimin se përgjegjës dhe pengues për procese zgjedhore të lira e demokratike nuk janë ligjet apo rregullat, që ndryshohen çdo 2-3 vjet, por është vullneti politik i dy partive të mëdha politike dhe i klasës politike udhëheqëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›