E Diel, 1 Nëntor 2026

Bush: Turqia të largojë trupat nga veriu i Irakut

Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, i kërkoi Ankarasë të tërhiqte trupat e saj nga Iraku Verior sa më shpejt që të ishte e mundur. "Trupat turke duhet të veprojnë shpejt, të arrijnë objektivat e tyre dhe të tërhiqen", tha ai në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë. Mijëra trupa turke kaluan kufirin javën e kaluar për të shtypur anëtarët e Partisë së Punëtorëve Kurdë (PKK). PKK përdor zonën e thellë malore të Irakut të Veriut si bazë në fushatën e tyre të armatosur për krijimin e një shteti kurd në juglindje të Turqisë. Më herët, Ankaraja nuk kishte dhënë një afat të përcaktuar për përfundimin e operacioneve të saj në takimet që Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, zhvilloi me zyrtarë të lartë turq. Gejts përsëriti në Ankara kërkesën e Uashingtonit për përfundimin sa më shpejt dhe sa më të kujdesshëm të ishte e mundur të këtyre operacioneve. Ndërkohë, ministri turk i Mbrojtjes, Vexhdi Gonyl, tha se trupat do të tërhiqeshin nga Iraku Verior, sapo të përfundonin me sukses qëllimin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›