E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër fëmijë vdesin nga bombat në Gaza

Katër fëmijë palestinezë janë vrarë në një ofensivë ajrore izraelite mbi pjesën veriore të Rripit të Gazës. Sipas raporteve nga terreni, fëmijët po luanin në një fushë afër kampit të refugjatëve në Jabalija. Izraeli thotë ndërkohë që kishte marrë në shënjestër një raketë-lëshuese. Më vonë, një militant i "Hamas"-it mbeti i vrarë në afërsi të Beit Hanounit dhe një postë policie në afërsi të shtëpisë të liderit të "Hamas"-it, Ismail Hania, u godit. Të mërkurën, një raketë e hedhur nga "Hamas"-i i kishte marrë jetën një studenti izraelit në afërsi të Sderotit, viktima e parë kjo e sulmeve palestineze mbi Izraelin në nëntë muajt e fundit. Kryeministri izraelit, Ehud Olmert, tha se "terroristët" në territorin palestinez do të paguanin një çmim të lartë për këto sulme. Ndërkohë, Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleca Rajs, tha se sulmet me raketa nga ana e palestinezëve, duhet të ndaleshin. Sekretarja Rajs do të vizitojë Lindjen e Mesme javën e ardhshme, për bisedime me Olmertin dhe Presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, ka shfaqur gjithashtu shqetësimin e tij për përshkallëzimin e dhunës që u ka marrë jetën 22 palestinezëve në dy ditë. Një numër aksionesh nga ajri të ushtrisë izraelite kanë pasur në shënjestër militantë të "Hamas"-it në Rripin e Gazës, të enjten. Pasdite, katër djem të moshës 8-15 vjeç janë vrarë ndërsa po luanin futboll në afërsi të xhamisë al-Salam, në Jabaliaja. Tre prej tyre ishin anëtarë të të njëjtës familje, sipas agjencisë palestineze të lajmeve, "Maan". Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha për agjencinë e lajmeve AFP se ishin kryer një numër sulmesh që kishin në shënjestër platformat e hedhjes së raketave në zonë. Menjëherë më pas, një sulm izraelit në Beit Hanoun i mori jetën një anëtari të krahut ushtarak të "Hamas"-it, brigadave Izzedine al-Qassam. Një postë policie vetëm 150 metra larg shtëpisë së ish-kryeministrit palestinez, Ismail Hania, është sulmuar gjithashtu nga një helikopter izraelit, duke plagosur disa persona. "Hamas"-i tha se Hania nuk ishte në zonë në momentin e sulmit dhe shtëpia e tij nuk ishte dëmtuar. Pasi zyrat e tij ishin bombarduar të premten, Hania dënoi ato që i quajti "krime të vazhdueshme" nga ana e Izraelit. Ndërsa të enjten, Hamza al-Haja, djali i një lideri të linjës së ashpër në Rripin e Gazës, Khalil al-Haja, ishte vrarë bashkë me një militant tjetër. Dëshmitarë palestinezë thanë se godina e Ministrisë së Brendshme, e "qeverisur" tashmë nga "Hamas"-i, ishte qëlluar mbrëmjen e së mërkurës, por fatmirësisht kishte qenë e zbrazur. Godinat përreth ishin dëmtuar nga shpërthimi dhe një foshnjë shtatëmuajshe kishte mbetur e vdekur. Rreth 30 persona të tjerë ishin plagosur. Pjesa më e madhe e viktimave të tjera palestineze kanë qenë militantë, përfshirë edhe pesë anëtarë të "Hamas"-it, të vrarë në një sulm ajror në Khan Junis, mëngjesin e së mërkurës. Dy të tjerë ishin vrarë nga ana e trupave izraelite në kampin e refugjatëve në Balata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›