E Diel, 1 Nëntor 2026

Terminali 3, porta e re e Pekinit

Për të mbërritur në terminalin e ri e të mrekullueshëm të Pekinit, ai 3, është njësoj si të hysh në vizionin e Kinës së mijëvjeçarit të ri. Madje, edhe për vetë kinezët terminali madhështor e ultramodern është një risi e jashtëzakonshme, që u mëson se si do të shndërrohet vendi i tyre në vitet e ardhshme. Në këtë ngrehinë ndërthuret modernia me antiken. Simbolet tipike e të gjithëkohshme kineze, si dragoi, janë prezente përmes teknologjive që e bëjnë figurën të duket tredimensionale, por edhe vetë godinën të bukur, praktike e pro mjedisit. Qytetarët e rinj të një Kine plot vetëbesim, por edhe të huajt do të trajtohen krejt ndryshe në godinën që konsiderohet si më e madhja në botë. E projektuar nga Lordi Foster dhe e ndërtuar nga një grup inxhinierësh britanikë, terminali personifikon fuqinë dhe forcën e madhe të pushtetit gjithnjë e në rritje të Kinës, të vendit, por edhe vetë shtresës së mesme e të pasur, e cila tenton të rrokë qiejt. Projekti u konceptua dhe u zbatua brenda një periudhe 5-vjeçare, një kohë rekord kjo po të kihet parasysh se brenda 5 vitesh për terminalin 5 të aeroportit londinez të Hithrows, arkitektët u morën vetëm me konceptimin e ndërtesës. Rikonstruksioni dhe transformimi i Pekinit ka qenë projekti i ndërtimit që është bërë ndonjëherë në botë në kohë paqeje. Janë shembur lagje të tëra për t‘u ngritur ndërtesa të reja dhe më në fund i erdhi radha edhe aeroportit. Ai është me të vërtetë mahnitës. Një çati e artë mbulon muret gjigante prej xhami dhe çeliku. Rrugët ajrore që lidhin hapësirat e mëdha janë konceptuar në mënyrë të tillë për të lënë dritën natyrore të hyjë me bollëk brenda terminalit 2, me kilometra i gjatë. Kur u hedh një sy për herë të parë, të duken si ca shkallë ajrore nderur në shpinën e dragoit. "Kjo arkitekturë është bërë sipas shijes së shumicës së kinezëve, që do të jenë edhe klientët kryesorë të aeroportit. Ndërsa është synuar arritja e një perfeksioni në realizimin estetik të dragoit, është mbajtur parasysh gjatë gjithë kohës edhe ana funksionale dhe ajo e mbrojtjes së ambientit", është shprehur drejtori i punimeve të terminalit. Brendia e tij ka një perfeksion formash asimetrike, ku si makineritë, ashtu edhe njerëzit, kanë hapësirat e tyre. Aeroporti, së bashku me kullën e televizionit dhe stadiumin olimpik që ka formën e folesë së zogut, është një nga arritjet më të mëdha të përgatitjeve që po bëhen me rastin e organizimit të Lojërave Olimpike në Kinë, që është edhe evenimenti më i madh dhe i shumëpritur sportiv në botë. I bukur dhe madhështor aeroporti gjithsesi ngre edhe një sërë çështjesh, të cilat thuhet se janë parashikuar në projekt, por që njëherazi janë shumë të vështira për t‘u menaxhuar. Kështu, rritja e numrit të udhëtarëve është një ankth i vërtetë për ambientalistët, të cilët e shohin Kinën si një nga zonat më të ndotura të botës, kryesisht për shkak të zhvillimit të madh të industrisë dhe ekonomisë. Lojërat Olimpike janë një burim i madh krenarie për Kinën dhe ndërtimet që janë bërë në qytet vitet e fundit, pikërisht me rastin e Lojërave, me vlerë 6 miliardë dollarë, kanë si qëllim kryesor që t‘i tregojnë botës se çfarë hapash gjigantë ka bërë vendi gjatë 30 viteve të fundit të të ashtuquajturit "socializëm kinez". Terminali i aeroportit, në fakt, është një godinë, e cila ka bërë bashkë tri ndërtesa që lidhen nga një tren dhe ngjan pak a shumë me aeroportin e Hong-Kongut, veçanërisht për nga mënyra se si lidhen rrugët që mundësojnë komunikimin mes pjesëve përbërëse të godinave. Duke qenë se aeroporti i Hong-Kongut fiton gjithmonë çmimet më të rëndësishme, si një nga aeroportet më të mira në botë, me siguri që terminali i Pekinit, i cili është edhe më i miri, ka shanset që të jetë më i vlerësuari. Brenda tij është zbatuar i njëjti parim, që arkitekti kryesor i tij, Lord Fosters, ka zbatuar edhe në aeroporte të tjerë, por sigurisht në hapësira më të mëdha. Një nga të veçantat e mëdha të aeroportit është se ndërsa në aeroporte të tjera ndihet një farë rrëmuje dhe çorientimi, këtu gjithçka është në vendin e vet dhe sensi i orientimit është i jashtëzakonshëm. Sipas arkitektit, zor se mund të humbasë njeri në hapësirën e aeroportit. Aty ka shumë elemente të simbolikës kineze, duke filluar nga dragonjtë, kolonat e tempujve budistë. Dragoi për shembull është një shenjë force e qëndrese dhe sigurisht fati të mbarë për të gjithë kinezët. Ngjyrat mbizotëruese janë e verdha, portokallia dhe e kuqja. Sistemet e ngrohjes, ftohjes dhe ajrosjes janë bazuar në teknologjitë më të fundit, që janë në radhë të parë shumë ambientaliste dhe kanë për qëllim që të përfitojnë sa më shumë që të jetë e mundur nga të mirat e ofruara prej vetë natyrës. Në godinë ka një sistem kontrolli, i cili minimizon konsumimin e energjisë, si dhe emetimin e karbonit. Terminali është një shtesë e aeroportit të Kinës, që është një ndër aeroportet me fluksin më të madh të hyrje-daljeve në botë. Veçanërisht gjatë Olimpiadës, ky fluks do të jetë i jashtëzakonshëm. Llogaritet që vetëm nga ky terminal të kalojnë mbi 90 milionë pasagjerë në vit. Terminali ka gjithsej 300 pika check-in dhe dyfishin e portave të aeroportit më të madh të botës. Do të jetë dera hyrëse kryesore për të huajt që do të udhëtojnë në Kinë, ndërkohë që Pekini është i sigurt që kryeqyteti i vendit do të shndërrohet deri në vitin 2020 si një nga destinacionet turistike më interesante e të preferuara të botës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›