Rusët votojnë për Presidentin e ri dhe ruajnë atë të vjetrin
Zgjedhësit rusë do t‘i ofrojnë Dimitri Medvedevit fitoren në zgjedhjet presidenciale të së dielës, një zgjidhje që do ta lejojë "mësuesin" e tij, Vladimir Putin, të qëndrojë në pushtet qoftë edhe pas skene. Kundërshtarët e Kremlinit thonë se zgjedhësit janë privuar nga zgjedhja e vërtetë, pasi stacionet kryesore televizive nuk bëjnë gjë tjetër veçse i kushtojnë hapësirë pa fund Medvedevit, ndërsa zyrtarët e zgjedhjeve kanë ndaluar disa kandidatë të opozitës të marrin pjesë në garë. Por vendi gjithsesi po i gëzohet bumit të tij më të madhe ekonomik, në një gjeneratë, bum ky i krijuar në një pjesë të madhe nga çmimi rekord i naftës dhe gazit, e si pasojë shumë njerëz e shohin çiftin Putin-Medvedev si shpresën e vetme për zgjatjen e prosperitetit të tyre. "Nëse mua do të më besohet udhëheqja e shtetit, thjesht do të vazhdoj politikat e Presidentit Vladimir Putin", tha Medvedev. "Unë shpresoj që ne të vazhdojmë të punojmë në këtë format, bashkërisht, dhe në këtë mënyrë do të përfitojë vendi ynë". Putinit ia ndalon Kushtetuta të kandidojë për një mandat të tretë radhazi. Ai mbështet Medvedevin si pasues të tij dhe ka thënë se është i gatshëm të shërbejë si Kryeministër i Presidentit të ri. Shumë vëzhgues thonë se kjo do të thotë që epiqendra e pushtetit do të zhvendoset nga Kremlini, në zyrën e re të Putinit, në godinën qeveritare, pranë lumit të Moskës. Dëshmitarët okularë rrëfejnë për agjencinë e lajmeve "Reuters" se kanë nisur punimet në katin e pestë të Shtëpisë së Bardhë (siç quhet godina qeveritare), ku Kryeministri ka zyrat e tij. "Putin do të mbetet numri një", thotë Kris Ueafer, kryestrateg në bankën "Uralsib". Disa investitorë e kanë quajtur kombinimin "ekipi i ëndrrave", thjesht për faktin se ai redukton shanset për një luftë mes klaneve rivale në Kremlin mbi asete si gjigandi i gazit "Gazprom" dhe kompania shtetërore e naftës, "Rosneft". Medvedev do të bëhet President i një vendi të madh që është rikthyer fuqishëm në skenën botërore. Rusia është eksportuesja e dytë më e madhe e naftës në botë, pas Arabisë Saudite dhe po shpenzon tani shumë para në armatime dhe ushtri, ndërkohë që edhe një herë tjetër po sfidon Perëndimin mbi çështje si Kosova apo planet e Uashingtonit për një mburojë raketore në Evropë. Një avokat me gojë të ëmbël siç është Medvedev, me një stil xhentil të ndryshëm nga ai i ish-spiunit të KGB-së, Putin, gjithsesi nuk shfaq asnjë sinjal për ndryshim në politikat e paraardhësit. Por, ka probleme në horizont: inflacioni kërcënon të dalë jashtë kontrollit, buxheti rrezikon të bjerë tërësisht në varësinë e çmimeve të naftës dhe vëzhguesit e Kremlinit thonë se "muaji i mjaltit" mes Medvedevit dhe Putinit mund të mbarojë shpejt. Edhe vetë zgjedhjet kanë qenë të mbushura plot me "skupe". Medvedev, që në moshën 42-vjeçare do të jetë lideri më i ri rus që nga koha e Car Nikollës II, ka më shumë se 70 për qind të mbështetjes në sondazhe, rreth pesë herë më shumë se sa rivali i tij më i afërt. Medvedev refuzoi të merrte pjesë në debatet televizive, duke thënë se nuk kishte kohë për to. Ai nuk ka nevojë të ekspozohet, pasi ka gjithë makinerinë e fuqishme shtetërore pas vetes. Ndërkohë, vëzhguesit perëndimorë nuk po e monitorojnë këtë proces, duke cituar pengesat e paraqitura nga autoritetet e Moskës. Edhe ata pak të huaj që do të vëzhgojnë këto votime thonë se nuk bëhet fjalë për zgjedhje të lira.