Për kë bëjnë tifo emigrantët në Itali?
Për një nga kampionatet më të bukura dhe më të ndjekura në botë, siç është Seria A, emigrantët që jetojnë në vendin fqinj, Itali, do të bënin çdo gjë për të parë një ndeshje në stadium, sidomos kur luajnë skuadrat e tyre të zemrës. Por, pavarësisht mungesave nëpër stadiume, pasi këta të fundit janë shumë të shtrenjtë ose shumë të rrezikshëm, për të gjithë ata që e kanë lëkurën me ngjyrë, dashuria për futbollin është e madhe. Të ulur para televizorit, shpesh në sallonin e bashkëkombësve apo të afërmve, që fati u ka prirë të kenë edhe satelit në shtëpi, të huajt e Italisë nuk harrojnë kurrë të ndjekin me ankth dhe pasion ndeshjet e kampionatit më të ndjekur në botë, Serisë A. Janë pikërisht ata të pasionuarit e mëdhenj, të destinuar për të ndryshuar gjeografinë e tifozerisë. Sot, futbolli në Itali është një mënyrë për t‘u ndjerë gjithmonë e më pak i huaj. Por, kush i udhëheq pasionet? Miqësitë, fitoret, modelet televizive dhe çuditërisht edhe politika.
Jetë e re, tifozllëk i ri
Shoqata panafrikane që operon në Itali ka kryer së fundmi një sondazh me një numër të madh ganezësh, tunizianësh, marokenësh, nigerianësh, senegalezësh, nga i cili doli se para së gjithash janë tifozë të flaktë të skuadrës së tyre kombëtare. Këtë duket se e dinë mirë edhe organizatorët e turneve të futbollit multietnik, që tashmë zhvillohen në shumë qytete italiane. "Shpirti i tyre kombëtar është shumë i madh, finalja mes Bregut të Fildishtë dhe Senegalit ishte njëlloj finaleje Itali-Francë", shpjegon ideatori i "Balon Mundial" i Torinos. E njëjta gjë vlen edhe për amerikano-jugorët, të ardhur nga vende me tradita të forta futbollistike. Ndryshe ndodh me afrikanët që nuk kanë një kombëtare kompetitive, gratë dhe të rinjtë nën 20 vjeç bëjnë tifo për kombëtaren italiane. Megjithatë, pothuajse të gjithë ndjekin Serinë A dhe e mbështesin fort skuadrën e qytetit ku jetojnë, ndër më të preferuarat e tyre rendisin Interin, Milanin, Juven dhe Romën. Të gjithë ata që bëjnë tifo për këto skuadra, që njohin historinë dhe rezultatet e tyre, ndër vite ishin fansa të futbollit italian qëkur jetonin në Afrikë. Tani që janë aty, ndër dëshirat më të mëdha është edhe ajo e të parit të një ndeshjeje në stadium, por çmimet e larta dhe frika e racizmit (rreth 70 për qind e të huajve në Itali i druhen kësaj çështjeje) i frenon ta bëjnë diçka të tillë.
Fuqia e televizionit
Edhe për rumunët mënyra më e mirë për të ndjekur ndeshjet është televizori. Dhe në këtë rast, pengesa kryesore është çmimi i lartë i biletave. "Komuniteti ynë është shumë i varfër. Sipas një sondazhi që kemi bërë vetë, tregon presidenti i Shoqatës Rumune të Italisë, pasioni më i madh i bashkëkombësve të mi është të shohin televizor dhe sidomos futboll". E në fakt, futbolli është një fushë që e njohin mjaft mirë. "Në Rumani luhet skedina e totofutbollit me ndeshjet e kampionatit italian", shton më tej ai. Përveç skuadrës së qytetit ku jetojnë, preferenca më e madhe është për Milanin. "Nuk ka asnjë dyshim, shpjegon Domenik Antonioni, gazetar sportiv rumun, që kuqezinjtë i mundin të gjithë. Në 15 vitet e fundit, që kur në Rumani mund të shohësh kanale të lira, të gjithë shohin Milanin".
Efekti kampion
Është banale, por e vërtetë. Është më e lehtë të afeksionohesh pas një fanelle të veshur nga një bashkëkombës i yti. Kështu tregon Fuastin Akafack, një 33-vjeçar, që jeton prej 8 vitesh në Bolonjë. "Kur këtu luante Wome, kamerunasit ishin të pasionuar dhe shkonin shpesh në stadium". Kështu, për futbollistin tënd të preferuar mund të ndryshosh edhe skuadër. "Shumë nga bashkëkombësit tanë kanë bërë tifozllëk për Breshian, Bolonjën dhe Lacion, sipas skuadrave ku ka luajtur Igli Tare", shpjegon Astrit Çela, i Shoqatës Kulturore Itali-Shqipëri dhe tifoz juventin, që kur jetonte në Tiranë admironte Zofin, Skirean dhe Kabrinin. Në anën tjetër të Adriatikut, Italia është shndërruar prej kohësh në kombëtaren e dytë dhe në skuadrën më të adhuruar të shqiptarëve. "Nuk e keni idenë se ca feste u bë në Tiranë kur Italia fitoi Botërorin", vazhdon më tej ai. Por, duke lënë mënjanë kombëtaren, shqiptarët prej kohësh kanë edhe një tjetër mit: Silvio Berluskonin. "Përfaqëson kapitalizmin dhe gjithçka tjetër që ne nuk e kemi pasur", thotë Alban Kraja, i Ligës Kombëtare të shoqatave shqiptare me qendër në Rimini. Për këtë arsye, Milani është edhe skuadra më e preferuar për pjesën më të madhe të shqiptarëve". Një pasion i vërtetë futbollistiko-politik. "Mendoni që në Tiranë ka shumë bare e restorante me emrin Berluskoni apo Milan". Por, pavarësisht kësaj, çmimi i besnikërisë dhe tifozit të zjarrtë i takon zotit Loshi Mustafa, një zotëri 60-vjeçar, që nuk hezitoi të shkonte deri në Japoni për të ndjekur Milanin e tij të zemrës. "Nuk mund ta humbja një rast të tillë. Pastaj ngjyrat e Milanit janë të njëjta me ato të flamurit shqiptar".
Për t‘u fituar
Krejt ndryshe është situata në zonat ku jetojë emigrantë kinezë. Aty pasioni për futbollin është më i ftohtë. Në rrugët e "China Town" futbolli nuk është se ndiqet shumë. "Por, të jetuarit në Itali është e pamundur të mos ndikohet paksa", tregon Luigi Sun, 51 vjeç, i ardhur në Milano që prej 45 vjetësh. Tifozllëku këtu është një lloj termometri integrimi: "Unë kam për zemër Interin, por nuk shkoj kurrë në stadium, tregon djali i tij, Jun Jie. Por unë nuk jam rritur në zonën ku ka vetëm kinezë, shumë nga miqtë e mi janë italianë dhe kanë mjaft zakone perëndimore. Djemtë e tjerë kinezë nuk e pëlqejnë fare futbollin", përfundon ai.
Po të tjerët?
Shoqëritë angleze po studiojnë se për cilën skuadër bëjnë tifozllëk indianët që jetojnë në qytetin e tyre. Nuk është vetëm një diskutim humanitar, por edhe çështje marketingu. Sepse, të gjithë emigrantët kanë një skuadër për të cilën bëjnë tifozllëk. Ku bazohet zgjedhja? "Shpesh dhe me dëshirë është klubi i qytetit ku jetojnë. Por, sigurisht, kampioni i kombëtares së tyre bën që preferencat të ndryshojnë". "Kur vijnë nga vende që kanë një futboll të bukur dhe kombëtare të fortë ngelen tifozë të kombëtares së tyre. Përndryshe vazhdojnë të bëjnë tifo për Brazilin. Pastaj vjen edhe Italia. "Emigrantët që kanë ardhur prej kohësh në Itali përpiqen ta identifikojnë fanellën e kaltër me racizmin dhe format e tjera të paragjykimeve, me të cilat ndeshen çdo ditë. Ndaj nuk bëhen tifozë të Italisë. Ndryshe ndodh me fëmijët e tyre, sigurisht të një brezi më të ri, që bëjnë tifozllëk për kombëtaren si shokët e klasës së tyre".
10%
Shkon në stadium, ndërsa të tjerët preferojnë t‘i shohin ndeshjet e Serisë A nga shtëpia, për shkak të çmimeve shumë të larta të biletave
Emigrantët
Nga rreth 2 938 922 emigrantë që jetojnë e punojnë me dokumente të rregullta në Itali, pjesa më e madhe përbëhet nga shqiptarë, që renditen të parët, me 13.2 për qind. Në vend të dytë janë marokenët, ndërsa në të tretin, rumunët
Toti 35%
Është futbollisti i kombëtares më i votuar nga afrikanët që jetojnë në Itali
Del Piero 30%
Një në tre ekstrakomunitarë preferojnë sulmuesin legjendar të Juventusit
Kaka 25%
Është futbollisti i huaj më i preferuar për të gjithë ata që vijnë nga Afrika
Trezege 20%
Francezi i Juves, David Trezege, është futbollisti i dytë i huaj më i votuar
Ançeloti 30%
Një i huaj në tre bën tifozllëk për trajnerin e Milanit