Bylykbashi shënon, Krivbas merr 1 pikë
Dorian Bylykbashi e ka filluar në mënyrën më të mirë të mundshme fazën e dytë të kampionatit ukrainas. Mesfushori elbasanas ka shënuar në takimin e parë të fazës së dytë në Vyscha Liga (Premier Liga), ku Krivbas Krivji Rig ka barazuar 1-1 në fushën e saj me Tavrija Simferopol. Ish-lojtari i Partizanit, i cili është edhe një alternativë mjaft e vlefshme për kombëtaren shqiptare, ka realizuar në minutën e 25-të të takimit, ndërkohë që miqtë kanë barazuar vetëm pas 14 minutave, falë rrjetës së Vladimir. Edhe në këtë pjesë të dytë të kampionatit, Bylykbashi ka konfirmuar se është një lojtar shumë i rëndësishëm për Krivbasin, jo vetëm në fazën e ndërtimit të lojës, por edhe për golat e shënuar. Me pikën e marrë dje, skuadra ku militojnë edhe Isli Hidi, Henri Ndreka dhe Ervin Bulku është ngjitur në kuotën e 22 pikëve, duke u renditur në vendin e 8. Mjaft e vështirë situata e Vorskla Poltavës, tjetër skuadër ku militojnë lojtarë shqiptarë (Dallku, Curri, Grizha e Jonuzi), që renditet e parafundit.