E Diel, 1 Nëntor 2026

Protagonizmi i "demave" dhe frika…

Një humbje e paralajmëruar e kampionëve? Thonë se është e lehtë të flasësh pas ndeshjes. Thonë se nuk qëllon shpesh që Partizani të shënojë 4 gola në portën bardheblu. Thonë se ka ndodhur diçka para derbit. Trajneri Mema paska paralajmëruar futbollistët e tij se "askush nuk është i sigurt në ekip". Një frazë që ka djegur më shumë Klodian Duron, njeriun më të rëndësishëm të sezonit. Futbollisti ka replikuar me trajnerin: "Po ju zoti Mema, ndjeheni kaq i sigurt?". Pas humbjes injoruese me Partizanin, edhe vetë donatorët nuk duhet të ndjehen të sigurt. Kanë pësuar 4 gola edhe me një rival tjetër, Vllazninë, por atëherë humbja sikur kaloi brenda natës. Është ndryshe kur të gjunjëzon Partizani. Akoma më keq, kur një president si Xhani bën racionimin e golave: "I kisha thënë futbollistëve se Tirana ka 5 dhe jo 4 donatorë. Por ata shënuan vetëm 4 gola".

Një skenar joshës në "Qemal Stafa": tifozë të ndezur dhe jo të përgjumur në derbi. Gola, momente të bukura, por edhe episode zhgënjyese. Për disa ishte triumfi i trajnerit Lika ndaj Sul Memës. Të tjerë, thonë se ishte fitore e presidentit Xhani mbi donatorët. Por më racionale duket logjika se futbollistët e Likës e dinin çfarë kërkonin në ato 90 minuta, kurse kampionët treguan se janë kampionë edhe si humbës. Le të kthehemi edhe njëherë te polemika e trajnerit Mema dhe Duros. Të gjykojmë episodin kur futbollisti sikur ndillte kartonin e kuq. Dhe kur një ekip është varur nga aftësitë e individit, ndjehet pa shpresë kur braktiset nga "heroi". Aq sa tekniku Mema nuk mund të flasë më për "revolucion" apo "akademizëm". Sepse një humbje me 4 gola, sidomos kur topat në portë t‘i dërgojnë të kuqtë, më parë përjetohej si fundi i botës dhe jo si një humbje e radhës.

Janë kthyer ditët me diell tek Partizani. Të ulësh në gjunjë për 7 ditë, Dinamon kryesuese dhe Tiranën kampione, nuk habitesh pastaj kur shikon trajnerin Lika dhe presidentin e tij që festojnë sikur të kenë fituar trofe. "Tani do të vijë momenti më i vështirë për ne - paralajmëron Lika - Ka shumë hipokrizi, sidomos pas kësaj fitoreje". Nuk dihet me siguri se çfarë do të ndodhë më tej, por protagonizmi i Partizanit u bë impuls për kampionatin. Gjërat kanë ndryshuar shumë shpejt: pasi mundën Dinamon u komentua se shpëtuan garën nga dominimi i bluve. Por, pasi turpëruan edhe kampionët, frika nga "demat" ka marrë përmasa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›