Cana dëshiron Kupën e Francës
Të shtunën, më 5 janar, Olimpik Marseja do të zbresë në fushë për të luajtur në Kupën e Francës, përballë Beauvais. Për Lorik Canën kjo ndeshje është mjaft e rëndësishme, për vetë rëndësinë që ka ky aktivitet. "Viti 2008 fillon me një aktivitet shumë të rëndësishëm, pasi Kupa e Francës është traditë e të gjitha klubeve", ka thënë shqiptari, që mban shiritin e kapitenit. "Për Olimpik Marsejën, Kupa ka edhe më shumë rëndësi, pasi ky klub mban rekordin e fitoreve të këtij trofeu. Për më tepër që humbasim në finale prej dy vitesh. Kupa e Francës ka një shije të veçantë si arritje, por nga ana tjetër i jep mundësi klubit që të kualifikohet direkt për të luajtur në kupat e Evropës". Me këtë deklaratë, mesfushori i përfaqësueses kuqezi ka shpalosur synimin personal, por edhe të të gjithë klubit, për të fituar të paktën një trofe në këtë sezon. Në fakt, pavarësisht emrit të madh që ka në Francë, prej kohësh Marseja nuk fiton asnjë kupë dhe ky fakt ka filluar të ndihet.