"Scotland Yard" heton vrasjen e Benazir Bhutos
Policia e Londrës, ose siç njihet ndryshe "Scotland Yard", e cila do të fillojë të ndihmojë që këtë javë policinë pakistaneze për të zbardhur vrasjen e Benazir Bhutos, nuk do ta ketë të lehtë realizimin e detyrës, pasi gabimet procedurale dhe ato të autoriteteve, të paktën në fushën e komunikimit, kanë qenë flagrante. Gjesti i Presidentit Pervez Musharraf, i cili njoftoi të mërkurën se kishte kërkuar ndihmën e ekspertëve në fushën e mjekësisë ligjore të njësisë së famshme të policisë kriminalistike britanike, konsiderohet nga shumëkush si një orvatje për të plotësuar një mangësi gjashtë ditë pas atentatit kamikaz, gjatë të cilit u vra figura kryesore e opozitës. "Musharaf e di se një katastrofë e madhe ka prekur vendin dhe është i ndërgjegjshëm se qeveria e ka trajtuar atë në mënyrën më të tmerrshme dhe më të papërshtatshme", shpjegon Nasim Zehra, profesor i departamentit të Azisë të Universitetit amerikan të Harvardit. "Ata do të vijnë dhe do të kërkojnë dy gjëra: ‘A e dini shkakun e vdekjes? A keni një raport të autopsisë? Ne nuk kemi asgjë të tillë", deklaroi një përgjegjës i lartë i qeverisë, që nuk dëshiroi të identifikohej. Duhet theksuar se Asif Ali Zardari, bashkëshorti i Bhutos, që drejton "de facto" partinë e së shoqes, nuk pranoi që mjekët të praktikonin autopsinë mbrëmjen e dramës dhe Bhuto u varros të nesërmen, sipas traditës myslimane. Por Zardari ka kërkuar një hetim nga OKB-ja, megjithëse ka pak shanse që ai të autorizojë zhvarrosjen e trupit. "Unë mendoj sinqerisht se ‘Scotland Yardit‘ nuk i mbetet shumë për të bërë", thekson i njëjti burim.