E Diel, 1 Nëntor 2026

Per mirekuptimin me boten akademike

Mendohet se në fillimet e lindjes së shoqërisë njerëzore kanë pasur më shumë sukses dhe, për rrjedhojë, kanë qenë origjinues të njerëzve të sotëm ato popullata, të cilat kanë ditur dhe kanë mundur të mënjanojnë më mirë gjendjet konfliktuale midis tyre. Ndoshta një mendim të tillë e shpreh edhe proverbi ynë i njohur: "I zoti është ai që mbyll sherr". Kjo frazë është kthyer në një mesazh, sepse këtë mangësi njerëzit kërkonin ta plotësonin po ashtu si në ato raste kur flasim për besën. Në këto mangësi të kulturës sonë, fatkeqësisht jo të vogla, e kanë burimin sjelljet e deputetëve tanë në Kuvend, dukuria famëkeqe e gjakmarrjes, i ashtuquajturi "kult i nderit", dukuria e përhapur e krimit në familje, etj. Fatkeqësisht një ngjyrë të përafërt mori apo i dhanë edhe procesi i hartimit dhe miratimit të Ligjit të Arsimit të Lartë, si dhe procesi i zgjedhjeve në universitetet publike. Kjo mënyrë të menduari dhe të vepruari më ka shtyrë të shkruaj, jo vetëm sepse dëmi i saj i sotëm është i konsiderueshëm, por sepse nuk shoh ndonjë shqetësim intelektual dhe as ndonjë angazhim qytetar për të luftuar dukuri të kësaj natyre.

***

Dëmi më i madh që iu shkaktua universiteteve në këto dy vitet e fundit, është shtyrja e zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese të tyre. Burimi i shtyrjes së zgjedhjeve për një periudhë gati 2-vjeçare ka qenë krijimi i një klime mosbesimi nga mungesa e ndërtimit të marrëdhënieve partnere midis ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe universiteteve. Këtu lindin dhjetëra pse, përgjigjet për të cilat marrin në konsideratë vetëm gabimet e kundërshtarit. Sigurisht që edhe këto përgjigje nuk mund të lihen mënjanë. P.sh., nuk mund të mos analizohet odiseja jo e zakonshme e zëvendësimit të nenit për mandatin e zgjedhjes së rektorëve e dekanëve, apo absurdi 60% i zgjedhjes së tyre kur ata kandidonin për herë të dytë. Në gjetjen e këtij gabimi çdonjëri nga ne do të vendosej në rolin e Filipit të Maqedonisë, kur atij iu ankuan banorët e vendit që kishte pushtuar, se ushtarët e tij i shanin duke u thënë fjalë fyese. "Dëgjoni", u tha Filipi, "mos ua vini veshin ushtarëve të mi, sepse ata kanë një zakon të keq që i thonë gjërat ashtu siç janë". E pra, edhe në rastin tonë e bardha nuk është vështirë të dallohet në sfondin e zi. Nëse problemi do të mbetej në këtë kufi, mund të pranohej mendimi se administruesit e këtij ligji e kanë bërë këtë veprim nga mosdija ose nga emergjenca, e cila lind sa herë që njeriut i mungon mendja. Në të vërtetë, në rastin në fjalë, ndodhi ajo sjellje, të cilën opinioni ynë e quan si rolin e "shejtan budallait". "Profesorë të dashur", na thërritën politikanët tanë, "si nuk e dini se p.sh. ligji francez u njeh autoriteteve drejtuese, d.m.th. rektorit apo dekanit, të drejtën që ata të kandidojnë vetëm një herë?" Profesorët ngritën supet. Nëse ka profesion, i cili njeh shumë alternativa zgjidhjeje dhe asnjëherë nuk e quan një alternativë si absolute dhe të vetme, është ai i shkencëtarit. Profesorët besuan..., por ata i gënjyen. Para një jave, një miku im më tregoi ligjin francez në gusht të vitit 2007. Në një nen të tij thuhet: "Ai (mandati) është i rinovueshëm vetëm një herë". Në çastin që kam lexuar këtë nen, u ngrita nga vendi. Cili nga ne nuk ndihet i fyer?! Por sërish, dhe kjo është e duhet të jetë kultura jonë, iu ktheva analizës së qëndrimit dhe sjelljes së palës tjetër. Kam bindjen se përqendrimi i diskutimeve nëpër universitete në nenet për zgjedhjet rektor apo dekan, krijoi me të drejtë përshtypjen sikur drejtuesit e universiteteve nuk kanë shqetësim ligjin, por e kanë hallin sesi të zgjidhen apo të mbajnë postet aq shumë të pëlqyera. Kështu, të dyja palët, të armatosura me argumentat përkatës, nuk u ulën në tryezën e dialogut. Në këtë mënyrë, u krijua një konflikt. Asnjëheri nga ne nuk u tregua i zoti, d.m.th. i aftë që të mos kërkojë vërtetimin për aksiomën se: zgjidhja e problemeve është arritja e mirëkuptimit dhe marrja e vendimeve me mirëkuptim".

***

Gjendje të tilla mosbesimi u prodhuan gjithashtu nga ligji e rregullorja e zgjedhjeve, që konsiderohen, jo pa mburrje, si arritje. Po si është e vërteta? Këtë shkrim po e shkruaj në tryezën e rektorit, sepse rektori i mëparshëm "manipulon" zgjedhjet! Atij nuk i besohet më. Pse nuk u besohet më atyre që janë zgjedhur me votën e kolegëve?! Kujt i shërben kjo situtatë jo normale? Le t‘i përgjigjemi pyetjes së fundit. Fakti që universitetet vendosen në karantinën e të komanduarve dhe jo të të zgjedhësve, vendos një pikëpyetje në qëndrimin etik te të komanduarit. Ky i fundit, moralisht nuk ndihet mirë dhe realisht nuk e ndien veten në atë lartësi për të ushtruar gjithë kompetencat e postit që gëzon. Përfundimi është i qartë: e pëson puna.

Konkretisht, Universitetit të Tiranës, dëmit nga shtyrja 2-vjeçare e zgjedhjeve iu shtua edhe krijimi i një situate emergjente jo normale, e cila përjashtoi zhvillimin e ceremonisë jubilare të festës së 50-vjetorit të krijimit të tij. E ndiej veten ngushtë kur profesorët dhe kolegët e mi, që kanë dalë në pension, më pyesin se përse nuk u organizua kjo festë e rëndësishtme dhe pse ne, si Rektorat, nuk marrim përsipër këtë përgjegjësi shtetërore dhe këtë detyrim moral. Prej dy vitesh, në bazë të një programi të miratuar në senat, u bënë të gjitha përgatitjet e duhura, si hartimi i bazës së të dhënave për pedagogët, i historisë së Universitetit të Tiranës, botimi i një albumi fotografik, i Udhëzuesit të Universitetit të Tiranës në tri gjuhë, përgatitja e një filmi dokumentar, etj. Por kjo përgatitje serioze nuk mundi, të paktën deri tani, të gëzonte ata që themeluan UT-në, ata që i shumëfishonin leksionet e tyre dhe ua shpërndanin studentëve duke i shkruar tri-katër herë në letër kopjativ, ata që formuan katedra e laboratorë, ata që gëzoheshin për përparimin e asistentëve të tyre njëlloj si për fëmijët e tyre, ata që nuk ndaheshin për asnjë kohë nga studentët... E pra, jubileu i 50-vjetorit nuk u festua, sepse ligji dhe rregullorja nxorën nene të tilla, sikur universitetet publike të ndodheshin në kushte lufte, në kushte jo normale! Sepse zgjedhjet u konsideruan si detyrë mbi detyra! Në të vërtetë, në botën e huaj akademike, ngjarja që kalon pothuajse pa u ndier, janë zgjedhjet. Ato zhvillohen me një takim të zakonshëm, ku, në mirëkuptim, u thuhet dy-tre anëtarëve të departamentit, që njëri prej tyre duhet të marrë drejtimin e njësisë. E njëjta gjë ndodh për dekanin apo rektorin. Përkundrazi, tek ne ligji i arsimit të lartë i kushton një vëmendje të veçantë zgjedhjeve dhe po kaq në mënyrë rigoroze hartohet një rregullore, sikur gjithçka në universitet do të varej nga zgjedhjet. E vërteta është ndryshe. Në botën akademike i kushtohet rëndësi, para së gjithash, ngritjes dhe funksionimit të institucionit të profesorit. Me institucion të profesorit kuptojmë ngritjen e një piramide, në majën e së cilës është vetë profesori dhe më poshtë me radhë vijnë 2-3 profesorë të asociuar, 3-4 doktorë shkencash, 15-20 mastera, si dhe një numër jo i vogël studentësh. E gjithë kjo piramidë lëvron një fushë mendimi, diskuton, shkëmben informacion dhe prodhon dije. Ky është universiteti dhe jo dekani apo rektori. Nëse universitetit i funksionon ky institucion, atëherë autoritetet dhe organet drejtuese kanë po atë rëndësi sa krushqit në një dasmë. Por, po aq sa kemi të bëjmë me një praktikë të gabuar, po aq ushqejmë një mentalitet bizantin apo një dinakëri fshatareske: i heqim rektorët dhe dekanët në periudhën e zgjedhjeve, sepse ata "zgjedhin njerëzit e tyre"! Këtij mentaliteti i duhet përgjigjur si më poshtë: Cilët jeni ju, të nderuar politikanë, që akuzoni profesoratin për manipulim të votës? Edhe nëse ka pak të tillë, gjë që asnjëherë nuk përjashtohet, me ç‘të drejtë ju përbaltni mësuesin tuaj, përse ky mësues ju ndjell kaq zili, a e dini kush humbet nga kjo përbaltje? Prej mendimeve dhe veprimeve të kësaj natyre, shoqëria shqiptare bëhet gjithnjë e më shumë anomike, ku humbasin vlerat dhe fitojnë antivlerat.

***

Gjithçka që shkrova më sipër, bëhet më shqetësuese kur dihet se angazhimi kaq i madh në zhvillimin e zgjedhjeve u harxhon jo pak kohë dhe mund profesorëve të universiteteve dhe, për më tepër, i orienton ata në sferën jo të këndshme të konjukturës politike. Fakt i hidhur është diskutimi për ligjin e arsimit të lartë, kur profesorët u infektuan me mendimin e politikës së kohës, ndoshta në atë masa sa dikur ishin format e edukimit dhe mbledhjet e organizatave të masave. Ndërkohë që profesori duhet të kërkojë dhe të punojë që pranë departamentit të funksionojë biblioteka për studentët, e pajisur me kompjutera, me akses interneti, etj., atij i duhet vetë të bredhë poshtë e lart për të gjetur një kompjuter e për nisur ndonjë e-mail. Ndërkohë që ai kërkon që të paktën dy profesorë të kenë një dhomë punë, ashtu siç e kanë kolegët e tij jashtë, ai nuk gjen as karrige për t‘u ulur në pushimit midis orëve. Profesori nuk mund të rekomandojë literaturë në internet, libra në bibliotekë etj. Mungesa e hapësirave të mjediseve universitare në UT është një problem që nuk pret, por jo vetëm kaq. Universitetit të Tiranës, para së gjithash, i mungon profesori, që të udhëheqë një student për master dhe për kërkimet shkencore për gradën Doktor. Prej gati dhjetë vjetësh ky profesor zhvillon poshtë e lart leksione dhe vetëm leksione në universitetin e tij dhe në ato private. Rezultati: rreth 15% e profesorëve të UT-së për dhjetë vjet nuk kanë shkruar asnjë faqe. A mund të udhëheqin ata një punë për gradën Master e Doktor? Si mund të bëhen leksionet pa lexuar të paktën 3-4 orë në ditë, kur ai këto orë i harxhon vetëm për leksione? Si rrjedhojë, ky profesor është tepër i varfër në ide. Për këtë mjafton t‘i hedhim një vështrim veprimtarisë sonë shkencore. Së pari, varfëria e ideve shkencore vihet re në rastin kur atyre u thonë të paraqesin projekte të ndryshme shkencore, të cilat mbështeten nga fondi për shkencën i MASh-it ose nga fondi i programeve shkencore kombëtare. Së dyti, vërfëria e ideve shkencore dhe cilësia e kësaj shkence vihet në dukje, kur u hedh qoftë edhe një vështrim sipërfaqësor temave të punimeve shkencore për Master dhe Doktor Shkencash. Emërtimet e tyre me terma të përgjithshëm dhe analiza e përciptë e fakteve duken sapo lexon disa përfundime. Së treti, cilësinë e veprimtarisë sonë shkencore e tregon tregu ynë i dijeve për jashtë. Pothuajse si edhe për perimet, mungon eksporti. Si përfundim, zëri i trumpetave për zgjedhjet më ngjan me boritë e dikurshme të propagandës për arritje madhështore.

***

Shqetësimi nuk qëndron vetëm në atë se në Universitetin e Tiranës ka shumë detyra për të bërë, por në rrugën që është ndjekur dhe po ndiqet në përmbushjen e këtyre detyrave. Fakti se harxhojmë shumë kohë e mund për probleme jothelbësore, siç janë zgjedhjet, tregon se tek ne mbizotëron ende emergjenca, thelbi i së cilës është mungesa e perspektivës. Si shprehje konkrete e emergjencës është shpërdorimi i fjalës reformë dhe i filozofisë së ndryshimit. Eshtë e vërtetë se diçka gjithmonë duhet ndryshuar, sepse një ndryshim, ndonëse nuk është kurdorherë i mirë, prapëseprapë nga ai fillon një gjë e mirë, por, kur këto ndryshime bëhen të pastudiuara dhe aq më tepër kur vendimet për to nuk merren në mirëkuptim mes palëve, atëherë ato bëhen shumë të dëmshme. I tillë është rasti i Akademisë së Shkencave, ideja e formimit të saj ‘ex novo‘. Nuk njoh ndonjë ndërhyrje shtetërore kaq të pastudiuar, mediokre dhe dashakeqëse, sa ideja e riformimit të Akademisë nga qeveria. Kur shikoj këtë lloj ndërhyrjeje, ndihem pak i lehtësuar se një gjë e tillë gjer më sot nuk i ka ndodhur Universitetit të Tiranës. Po kush më siguron se kjo nuk do t‘i ndodhë edhe universitetit tonë? Fakti që profesorati i UT-së shpesh hesht me indiferencë, është një ogur jo i mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›