E Diel, 1 Nëntor 2026

Lacio dhe Bolonja, në garë për Erjon Bogdanin

Lacio dhe Bolonja rikthehen në gjurmët e Erjon Bogdanit. Vetëm pak orë nga hapja e merkatos, dy klubet me shumë histori në kampionatin italian e kanë përfshirë sulmuesin shqiptar në listën e alternativave për sulmin. Largimi i 30-vjeçarit nga Livorno duket pothuajse i sigurt, edhe pse në deklaratat e tij presidenti Aldo Spineli është shprehur se sulmuesi është shumë i vlefshëm për klubin toskan. Hapësira e Bogdanit është bllokuar nga Tavano dhe Tristan, me shqiptarin që është "parkuar" në stolin e rezervave. Madje, trajneri Kamolese duket se preferon edhe Rosinin (që në fillim të sezonit cilësohej si alternativë e katërt në repartin ofensiv) përpara kuqeziut. Për të gjitha këto arsye, Livorno po mendon të "peshkojë" një tjetër sulmues në merkaton e janarit: Kalaio ose Stelone dhe shqiptari do ta shihte veten jashtë planeve të skuadrës.

Te Lacio, Bogdani mendohet si zëvendësues i Goran Pandev, për të cilin vazhdon këmbëngulja e Bajernit të Mynihut. Edhe pse burimet zyrtare të klubit e kanë cilësuar të pashitshëm, oferta prej afro 20 milionë eurosh nga gjigandët bavarezë mund t‘i hapë rrugën transferimit të maqedonasit, i cili është vëzhguar me shumë interes edhe nga Reali i Madridit. Emri i Bogdanit është edhe në listën e përpiluar nga trajneri i skuadrës romane, Delio Rosi, i cili kërkon të përforcojë sulmin. Alternativa të tjera janë edhe Pelisier, Karaçolo e Di Vaio, ndërkohë që ende nuk dihet me siguri se nëse këto emra që qarkullojnë në merkato do të ndikojnë në të ardhmen e sulmuesit tjetër shqiptar, Igli Tare, që aktualisht është pjesë e bardhekaltërve. Edhe Kaljari vazhdon të ndjekë me vëmendje situatën rreth Bogdanit, për të cilin është interesuar edhe në fillim të sezonit, duke e konsideruar si pasardhës të Suazos.

Sinjale të forta për sulmuesin e Kombëtares shqiptare kanë ardhur edhe nga Bolonja. Ëndrra e kuqebluve është Lukareli, por alternativat më të mundshme janë Buki dhe pikërisht Bogdani. "Na nevojitet një sulmues që sakrifikohet, por që në të njëjtën kohë është i aftë të luajë si sulmues i vetëm", ka qenë përkufizimi i drejtorit sportiv të klubit, Salvatori, rreth sulmuesit që pretendon Bolonja. Pikërisht këtu ka lindur hipoteza "Bogdani", që mund të shërbejë si në ngjitjen e skuadrës, ashtu edhe përpara portës, ku është i rrezikshëm me këmbë dhe me kokë. Disa media të tjera përtej Adriatikut nuk e kanë përjashtuar mundësinë që Bogdani të rikthehet te Kievo Verona. Skuadra që zotëron kartonin e shqiptarit synon të ngjitet menjëherë në Serinë A: sulmuesi është konfirmuar në "B" që prej kohës kur militonte te Hellas Verona dhe largimi i mundshëm i Grekos mund të lejë një hapësirë për rikthimin e 30-vjeçarit me verdheblutë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›