E Diel, 1 Nëntor 2026

Han, sot në Tiranë për firmën

Ari Han, që sot do të jetë zyrtarisht trajneri i përfaqësueses shqiptare. Tekniku holandez do të hedhë sot firmën në kontratën e lidhur me FSHF, që do ta bëjë atë trajnerin e Kombëtares për dy vitet e ardhshme. Han ka firmosur një parakontratë një javë më parë, por do të hedhë firmën përfundimtare vetëm pasi të diskutojë me drejtuesit e FSHF-së rreth detajeve të tjera të rëndësishme, si stafi me të cilin do të punojë gjatë këtyre dy viteve, apo edhe përcaktimi i "dëshirave" për kalendarin e Grupit 1 në eliminatoret e Botërorit 2010, ku Shqipëria bën pjesë përkrah Portugalisë, Suedisë, Danimarkës, Hungarisë dhe Maltës.

Trajneri Han pritet të mbërrijë në vendin tonë gjatë mesditës, ndërsa menjëherë do të takohet me drejtuesit më të lartë të FSHF-së për të diskutuar rreth detajeve të kontratës së tij. Sipas institucionit të futbollit, ai do të udhëtojë i vetëm drejt vendit tonë, pasi nuk është përcaktuar ende emri i ndihmësit të tij gjatë eksperiencës kuqezi. Do të jetë pikërisht kjo një prej temave të diskutimeve me drejtuesit e FSHF-së, me të cilët ai ka rënë parimisht dakord që më 26 dhjetor. Pritet që Han të zgjedhë një bashkëkombës të tij si zv/trajner të përfaqësueses shqiptare, ndërsa nuk është bërë e ditur ende se kush do të jetë trajneri shqiptar që do t‘i bashkohet stafit të teknikut. Ndërkohë, holandezi do të diskutojë me presidentin Duka edhe rreth asaj që e pret përfaqësuesen shqiptare në fillimin e vitit 2008. Një nga detajet e rëndësishme të diskutimeve do të jetë edhe përcaktimi i "dëshirave" për kalendarin e ndeshjeve të eliminatoreve të Botërorit 2010. Si trajneri, ashtu edhe drejtuesit e FSHF-së do të kërkojnë në mbledhjen që zhvillohet në Kopenhagë pas dy ditësh që kuqezinjtë të luajnë ndeshjen e parë në "Qemal Stafa". Gjithsesi, kalendari do të jetë në dorën e skuadrave elitare të Grupit 1, ku bën pjesë edhe përfaqësuesja kuqezi. Më pas diskutimet do të jenë edhe për planin që ka FSHF mbi organizimin e një grumbullimi me futbollistë të kampionatit shqiptar apo për miqësoret e para në shkurt dhe mars. Sipas burimeve pranë FSHF-së, në bisedimet e zhvilluara në Vjenë në dhjetor me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, trajneri Han ka kërkuar që të organizohen sa më parë takime miqësore, në mënyrë që të shohë në veprim të gjithë futbollistët, ashtu si edhe për të njohur grupin e lojtarëve.

Më pas, Han do të hedhë firmën në kontratën e re, në prezantimin zyrtar që do të bëhet para mediave. Ai pritet të parashtrojë planin e tij të punës dhe objektivat e edicionit në këtë prezantim, ashtu siç kanë bërë edhe paraardhësit e tij në stolin kuqezi, Brigel e Bariç. Kërkesat minimale të FSHF-së ndaj holandezit kanë qenë vendi i katërt në grup dhe rritja graduale në renditjen e FIFA-s. Njëkohësisht do të synohet vazhdimi i rinovimit të Kombëtares dhe afrimi i sa më shumë futbollistëve të rinj në kontingjentin aktual, për të synuar një pozicion më prestigjioz në eliminatoret e "Euro 2012".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›