E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimet e mallrave të importuara ranë në fund të vitit 2025

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Çmimet e mallrave që importohen nga jashtë shënuan rënie mesatare prej 0,5% në tremujorin e katërt të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), ulja më e madhe e çmimeve u regjistrua tek energjia elektrike, gazi dhe shërbimet e lidhura me to, me 4,1%.

Po ashtu, pati rënie të çmimeve edhe në shërbimet që lidhen me furnizimin me ujë dhe menaxhimin e mbetjeve me 0,8%, si dhe në produktet e industrisë nxjerrëse, si mineralet dhe lëndët e para, me 0,5%.

Industria përpunuese, e cila përbën pjesën më të madhe të mallrave të importuara (rreth 94%), shënoi një ulje të lehtë të çmimeve me 0,3%.

Brenda këtij grupi, rënia më e madhe u vu re tek veshjet e gatshme me 1,5%, tek metalet me 1,1%, produktet prej plastike dhe kauçuku me 1%, përpunimi i tekstileve me 0,9% dhe pijet me 0,8%.

Nga ana tjetër, çmimet e produkteve të duhanit u rritën me 1,3%, mobiljet me 1,2% dhe shërbimet e shtypshkrimit me 0,8%.

Ndërkohë, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025, çmimet e mallrave të importuara shënuan rënie në disa fusha, si furnizimi me ujë dhe menaxhimi i mbetjeve me 0,7%, energjia elektrike dhe gazi me 0,6%, si dhe industria nxjerrëse me 0,5%.

Në të njëjtën kohë, një rritje e lehtë prej 0,1% u regjistrua në produktet e industrisë përpunuese.

Brenda këtij grupi, çmimet u rritën më shumë tek produktet ushqimore të përpunuara me 0,9%, mobiljet me 0,6% dhe pajisjet elektrike me 0,5%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›