E Diel, 1 Nëntor 2026

Curri, me Shqipërinë për Botërorin 2010

Futbollistët kosovarë të përfaqësueses shqiptare të futbollit duket se do të mbajnë veshur fanellën kuqezi të paktën deri në përfundim të eliminatoreve të Botërorit 2010. Një qëndrim të tillë e ka konfirmuar nëpërmjet një prononcimi për gazetën "Kosova Sot" mbrojtësi Debatik Curri, i cili ka qenë pjesë e formacionit titullar të kombëtares shqiptare gjatë dy viteve të fundit. Lojtari që aktivizohet me Vorskla Poltaven në kampionatin ukrainas, ka regjistruar deri tani 13 ndeshje me fanellën e kombëtares, duke arritur edhe të shënojë një gol gjatë eliminatoreve të EURO 2008, në "Amsterdam Arena" përballë "tulipanëve" të Holandës.

Megjithëse mendohet se futbollistët kosovarë do t‘i bashkohen menjëherë përfaqësueses së re të Kosovës sapo kjo e fundit të anëtarësohet në FIFA dhe UEFA, Curri ka treguar se asnjë prej futbollistëve nuk do të largohet nga kombëtarja shqiptare para përfundimit të Eliminatoreve të Botërorit 2010. "Para kombëtares shqiptare janë kualifikimet për Botërorin 2010. Sigurisht që ne do të jemi pjesë e kombëtares shqiptare edhe për këtë cikël, ndërsa për atë që do të ndodhë më pas do të bisedojmë të gjithë së bashku dhe do të marrim vendimin e duhur. Për momentin ende është herët, sepse Kosova në këto kualifikime nuk merr pjesë dhe do të ishte e palogjikshme të braktisim kombëtaren shqiptare", u shpreh futbollisti rreth kësaj çështjeje delikate. Në fakt, FSHF-ja ka vendosur të mos pengojë në asnjë mënyrë futbollistët që dëshirojnë të aktivizohen për Kosovën, duke lënë në dorë të këtyre të fundit zgjedhjen. Por vetë futbollistët duket se dëshirojnë të presin stabilizimin e futbollit kosovar dhe pjesëmarrjen e tij në aktivitetet ndërkombëtare para se të marrin një vendim përfundimtar. "Mendoj se pas formimit të shtetit në Kosovë do të përparojë shumë edhe futbolli, pasi ka talente të shumta, por që deri tani nuk kanë pasur kushtet e duhura. Duhet përmirësuar infrastruktura, që do të sillte rritjen e cilësisë në kampionatin kosovar. Është ende herët të flasim për cilësinë e përfaqësueses së Kosovës. Përzgjedhësi aktual Edmond Rugova e ka nisur punën, por ende ka shumë për të bërë që të krijohet një përfaqësuese e mirëfilltë. Megjithatë, rëndësi ka fakti që Kosova ka talente të shumta", ishte komenti i Currit.

Futbollisti ka treguar edhe emocionet me të cilën ka përjetuar bashkë me shokët e skuadrës, Armend Dallkun e Ahmed Jonuzin, shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ndonëse në grumbullimin stërvitor në Antalia. "Drejtuesit e klubit kanë treguar mirëkuptim dhe na kanë lënë pushim për këtë ditë të madhe. Ne e kemi shfrytëzuar dhe po festojmë së bashku. Pa dyshim këtë ditë e kemi pritur me shekuj të tërë dhe për të kanë luftuar dhe janë sakrifikuar gjenerata të shumta. Dëshira ime, si e çdo shqiptari tjetër, do të ishte që në këtë ditë të madhe të isha në Prishtinë, por edhe pse jemi larg, me zemër dhe mendje jemi atje", ka përfunduar Debatik Curri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›