Mohamed Al Fajed: Uindsorët, si "familja Drakula"
Mohamed Al Fajed e ka quajtur dje Princin Filip (bashkëshortin e Mbretëreshës Elisabetë) "nazist" dhe "racist" në Gjykatën e Lartë, ndërsa detajonte variantin e tij të ngjarjeve sipas të cilit djali i tij, Dodi, dhe Diana, Princesha e Uellsit, ishin vrarë në një komplot të organizuar nga familja mbretërore dhe të realizuar madje edhe me përfshirjen e Toni Blerit, shërbimeve sekrete dhe të tjerëve. Lista e të implikuarve në komplotin e supozuar nga Fajed dhe mbulimin e tij përfshin edhe motrën e Dianës, Sara MekKorkuodejl dhe bashkëshortin e saj, Tobert Fettoues; dy ish-shefa të policisë së Londrës, ambasadorin francez, shoferin Henri Pol, dy toksikologët francezë, anëtarët e shërbimit mjekësor francez, tre truproja që ai kishte punësuar dhe disa prej miqve më të ngushtë të princeshës. Në një letër drejtuar shërbimeve të zbulimit dhe një komiteti për sigurinë, në shkurt 2006, Fajed kishte thënë se "një aksion i tillë, i rëndësishëm dhe i tmerrshëm, duhej të ishte dënuar menjëherë nga Kryeministri". Pjesë të asaj letre u lexuan dje. Zyrtarët e pyetën Fajedin edhe një herë dje të konfirmonte nëse në listën e konspiratorëve bënte pjesë edhe Toni Bler dhe ai u përgjigj: "Po, edhe ai mund të shtohet në listë". Pronari i Harrods përsëriti në gjykatë pretendimet e tij se Diana ishte vrarë për shkak se ishte shtatzënë në momentin kur vdiq dhe se ajo e Dodi kishin planifikuar të shpallnin fejesën e tyre. "Diana më tha në telefon se ajo ishte shtatzënë", tha ai në hetim. "Unë isha i vetmi person të cilit ata i kishin treguar". Çifti e kishte telefonuar për ta njoftuar se kishin ndër mend të martoheshin dhe kjo telefonatë ishte bërë vetëm një orë para aksidentit fatal. Por, ai nuk ishte i saktë në rrëfim, nëse djali i tij i kishte thënë se do t‘i propozonte princeshës të martoheshin apo e kishte bërë këtë ndërkohë. Ai tha se miqtë e princeshës, që kishin thënë se nuk kishte mundësi që Diana të kish qenë shtatzënë apo të kishte ndër mend të martohej, kishin gënjyer para hetuesve. Sipas Fajed, Diana i kishte thënë se e dinte që Princi Filip dhe Princi Çarls po përpiqeshin ta hiqnin qafe atë që një muaj para përplasjes. Fajed përmendi një fotograf, Xhejms Andanson, si të dyshuarin kryesor për kryerjen e vrasjes me urdhër të shërbimeve sekrete. Trupi i Andansonit u gjet në një makinë të djegur, në vitin 2000 dhe besohet se ai kish kryer vetëvrasje. Hetuesit ndërkohë kishin dëgjuar edhe më herët zëra sipas të cilëve Andanson kishte manipuluar provat për të treguar se gjendej në shtëpinë e tij, në Lignieres, larg kryeqytetit francez, në kohën e aksidentit. "Ka pasur një fotograf që bënte pjesë në listë-pagesën e shërbimeve sekrete. Ai mund të ketë qenë Xhejms Andanson, që edhe është vrarë në makinën e tij. Ai i ka dalë përpara makinës dhe ka ndezur dritat e gjata për të verbuar Henri Polin", tha Fajed. Më tej, miliarderi aludoi se anëtarë të shërbimeve sekrete britanike e franceze kanë qenë pjesë e ekipit të ambulancës që e çoi Dianën në spital dhe janë siguruar që ajo të mos shpëtonte e gjallë. Sipas tij, spitali më i afërt ishte vetëm 10 minuta larg vendit të aksidentit, tunelit Alma, në Paris, por u desh më shumë se një orë për ta çuar Dianën në një tjetër institucion. Fajed theksoi se familja mbretërore nuk do të pranonte kurrë një martesë mes nënës së trashëgimtarit të dytë të fronit dhe një egjiptiani mysliman dhe aludon kështu se bashkëshorti i mbretëreshës kishte bashkëpunuar me shërbimet sekrete për të arkitektuar aksidentin në Paris, në gusht 1997, që i mori jetën çiftit dhe shoferit të tyre. "Është koha për ta çuar Filipin në Gjermani, nga ku edhe vjen. "A doni ta dini emrin e tij origjinal? Është Frankenshtajn". "Ai është jo vetëm një racist, por edhe nazist", tha Fajed. Çarlsi priste me shpresën se do të martohej me të dashurën e tij të kahershme, Kamila Parker Boules, tha Fajed duke hedhur poshtë sugjerimet për një marrëdhënie të mundshme mes Dianës dhe një kirurgu zemre, po mysliman, Hasnat Khan. Fajed e quajti Kamila Parker Boules "grua krokodil" dhe Uindsorët "familja Drakula". Ai gjithashtu hodhi poshtë të dhënat sipas të cilave shoferi Henri Pol kish qenë i pirë. Sipas Fajed, Pol ishte pjesë e komplotit dhe ishte paguar nga shërbimet sekrete të të dyja vendeve. Ai thekson se pas aksidentit atij i ishin gjetur 20 mijë franga në xhep dhe ishte zhdukur tre orë para katastrofës.