I ftohti paralizon Turqinë e Greqinë. Mbyllen shkollat
Reshje të mëdha dëbore dhe temperatura të acarta kanë bërë që shkollat të mbyllen, trafiku të paralizohet dhe avionët të qëndrojnë në tokë në Greqi dhe Turqi. Athina është mbuluar nga disa centimetra dëborë dhe periferitë mbetën thuajse të izoluara si pasojë e dëborës dhe akullit nëpër rrugë pas dy ditësh reshje pandalim. Akropolisi është mbuluar gjithashtu nga dëbora, ndërsa temperatura shkonte deri në -15 gradë Celsius. Edhe në Turqi gjithashtu dëbora dhe temperaturat nën zero kanë bërë që shkollat dhe universitetet në pjesën më të madhe të vendit të mbyllen e po ashtu edhe ngushtica e Bosforit është mbyllur për anijet që nga mëngjesi i të dielës. "Si në Siberi", shkruanin gazetat turke në faqen e parë, duke përshkruar kështu valën e motit të keq. Qindra aksidente rrugore janë regjistruar si pasojë e ngricave, dhjetëra janë të plagosurit, ndërsa dy persona kanë vdekur të ngrirë, sipas medias turke.