DAVOS – Macron: Akumulimi i pafund i tarifave i papranueshëm

DAVOS, 20 janar /ATSH/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi sot në fjalimin e tij në Davos se “akumulimi i pafund i tarifave të reja nga SHBA-ja është në thelb i papranueshëm”, sipas BBC.
Macron shtoI se kjo është edhe më e vërtetë kur tarifat “përdoren si levë kundër sovranitetit territorial”.
Deklarata vjen disa ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi tarifa të reja për vendet që kundërshtojnë planin e tij për të marrë Groenlandën.
“Ne duhet të përjashtojmë pranimin pasiv të ligjit të më të fortit, i cili çon në vasalitet dhe… pranimi i një ligji të ri kolonial nuk ka kuptim”, shtoi ai, sipas ANSA-s.
“Franca dhe Evropa janë të përkushtuara ndaj sovranitetit dhe pavarësisë kombëtare, si dhe ndaj Kombeve të Bashkuara dhe kartës së saj”, theksoi gjithashtu presidenti francez, sipas AFP.
Macron theksoi se dëshiron ta bëjë G7-n, të cilën Franca po e kryeson këtë vit, një forum për dialog të hapur dhe për zgjidhje kolektive dhe bashkëpunuese./ a.jor.