Digjet reparti i polisterolit, dëmi 5 milionë lekë
Flakët kanë përfshirë një repart polisteroli në Shkozet të Durrësit. Në alarm janë vënë jo vetëm pronarët e biznesit në fjalë, por edhe biznesmenë të tjerë që veprojnë në këtë zonë dikur industriale. Të rrezikuara anë ndjerë dhe disa familje që banonin aty pranë. Zjarrfikëset që shkuan në vendin e ngjarjes me të marrë njoftim mundën të shmangin përhapjen e zjarrit në repartet dhe bizneset e tjera që ndodheshin pranë objektit në flakë. Përveç zjarrfikësve, në ndihmë kanë shkuar dhe forca të Policisë së Shtetit. Ndërhyrja e shpejtë ka shmangur përhapjen e flakëve dhe shkaktimin e dëmeve më të mëdha materiale. Nga hetimet paraprake rezulton se është djegur plotësisht një sasi e konsiderueshme polisteroli, si dhe disa makineri, ndërsa nuk ka pasur dëme në njerëz. Vlera e dëmit të shkaktuar nuk është llogaritur akoma, por ajo mendohet të arrijë në 4-5 milionë lekë. Paraprakisht dyshohet se shkaku i rënies së zjarrit të ketë qenë një shkëndijë elektrike në një nga repartet e fabrikës ku dhe magazinohej polisteroli. Tri makina zjarrfikëse dhe një autobot uji kanë neutralizuar flakët dhe kthyer sigurinë te subjektet e tjera të rrezikuara. Menjëherë kanë nisur edhe hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet e zjarrit dhe dyshimet për ndonjë zjarrvënie të qëllimshme. Ndërkohë, duke vlerësuar situatën dhe me qëllim parandalimin e ndonjë rreziku të mundshëm forcat e policisë kanë formuar një kordon policor dhe kanë kërkuar e ndihmuar familjet që banojnë në shtëpitë prapa fabrikës të evakuohen. Sipas burimeve policore, evakuimi është bërë për të siguruar familjet deri në largimin e plotë të rrezikut nga zjarri dhe asfiksimit nga tymi që dilte nga objekti në flakë. Me t‘u neutralizuar zjarri, banorët janë kthyer në shtëpitë e tyre, ndërsa bizneset e tjera kanë marrë frymë të lehtësuara dhe kanë vlerësuar rëndësinë e sistemeve kundërzjarr në vendet e tyre të prodhimit dhe magazinimit.