Dhurata e profesor Budës bëhet zyrtare
Kishte kohë që trashëgimtarja e bibliotekës së albanologut Aleks Buda kishte përmbushur amanetin e të atit. Tatjana Buda ia ka dhuruar Bibliotekës Kombëtare rreth 9 tituj të bibliotekës personale. Vetëm dje, me rastin e dhurimit ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango priti përfaqësuesit e familjes Buda, Tatjana Budën, në prani edhe të drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari.
Biblioteka e dhuruar përmban botime nga fusha të ndryshme të dijes, që kanë ndikuar edhe në formimin e akademikut Buda. Në bazë të një marrëveshjeje dhurimi të nënshkruar ndërmjet drejtorit të Bibliotekës Kombëtare Aurel Plasari dhe familjarëve të akademikut Aleks Buda, materialet e dhuruara, të cilat janë ende në proces përpunimi bibliotekar, së shpejti do të jenë në dispozicion të studiuesve.
Ministri Pango e ka quajtur aktin e dhurimit të rreth 9.000 titujve një gjest fisnik që kontribuon në pasurimin e fondit albano-balkanologjik të Bibliotekës Kombëtare.
Thënie e ditës
“Nëse heronjtë nuk do të kishin kurrë frikë ç’vlerë do të kishte?”
Nga “Tartari i Taraskonit” i Alphonse Daudet-së