Lajthitje lajmesh?
SITUATA NË KOSOVË
Incizimi i situatës sot në Prishtinë, kryeqytetin e Republikës së Kosovës, i pëlqeu dikujt apo jo, është ky: Mes Sejdiut e Thaçit që lulëzojnë e na gëzojnë por para së gjithash vetëkënaqen çdo mbrëmje në televizorë e çdo sabah në gazeta. Në të njëjtën kohë, po këta gazetarët kanë filluar në mënyrë goxha serioze ta pyesin veten: A vërtetë asgjë nuk po don të ndryshojë në këtë vend “T’mallku’m”?!
Kur jemi tek gazetarët tanë, e kam një thënie të cilën patjetër këtu duhet ta përcjell. Kur e kishin pyetur njëherë Sir Winston Churchill-in për mendimin e tij rreth gazetarëve, ai kishte thënë: “Gazetarët që presin, janë të rrezikshëm; gazetarët që presin kot janë edhe më të rrezikshëm. Por, më së shumti të rrezikshëm janë ata gazetarë që presin kot dhe shkëmbejnë me njëri-tjetrin informata”. Prandaj, siç do ta kishte thënë i ndjeri Ibrahim Rugova, është “irelevante” se prej çfarë konteksti do të mund ta interpretonim këtë thënie të njeriut të madh Churchill, por që ky mendim i tij i shkon situatës sonë (të gazetarëve e politikës)- në këtë nuk duhet të dyshojë askush.
Tashti vijmë tek ajo që quhet- pse këto dy shpjegime kaq të gjata për dy gjëra të cilat në njërën anë janë aq larg mes vedi dhe në anën tjetër - njëra as tjetra nuk mund të funksionojnë pa këtë mvarësinë që në kohën e sodit quhet sistem vlerash dhe demokraci. Sepse ne dimë që çdo ditë ta dëshmojmë dhe po e dëshmojmë atë që quhet: ngecje në hapësirë dhe kohë. Mungesë në qasjen e problemeve dhe politikës. Asaj të ditës dhe asaj të vitit. Asaj të vetëdijes kombëtare. Asaj të vetëdijes qytetare. Asaj të interesit individual.
Sepse që Kosova është vend në të cilin gjithmonë udhëheq një sistem i cili katapulton mes “katundi” e “torture” mediale mund ta shohim çdo ditë.
Prandaj ajo që sistemi më i ri - sistemi Sejdiu - Thaçi dëshiron, synon, insiston, lufton të na e servirë është një sistem “njëpartiak” medial sepse fjala është për “Kosovën” dhe shtetësinë e saj a “njohjen” e saj. Epo nëse na qenkësh ashtu: atëherë pse pikërisht dje (që me gjuhën e këtij teksti që botohet është pardje) dilnit t’i shisnit mend popullit për “imunitetet” dhe pasaportat diplomatike dhe atë e bënit (natyrisht pa e ditur) pikërisht atë ditë kur Banka Botërore ju fyente dhe na fyente me faktin që 45 për qind e kosovarëve janë në varfëri, që Kosova është thellësisht më e varfra në rajon. Apo pse e bënit (edhe) atë pozë pasaportash kur OSBE-ja ju shkatërronte dhe na shkatërronte (sa për kujtesë OSBE-ja nuk është Guldimani!). Apo pse e bënit përgjithësisht - sepse po të kishit dashur ta bëni- edhe në kuptimin dhe filozofinë tuaj e cila edhe ashtu len aq shumë për të dëshiruar- atëherë më e mirë do të kishte qenë po qe se “ato” pasaporta diplomatike dhe atë imunitet do t’ua kishit dorëzuar (simbolikisht!) “familjeve” dhe familjeve tuaja të cilat më nuk janë tuajat - Familjes Rugova dhe Familjes Jashari?! Sistemi Sejdiu - Thaçi lufton ta fshijë memorien e këtij vendi. Që të kujtohet që ata na e sollën pavarësinë. Epo aq e lehtë nuk është kjo punë. Sepse, secilit president a kryeministër të një vendi sado normal dhe sado të Europës, t’i ishte thënë që vendi i tij është më i varfëri dhe më i paperspektivi dhe natyrisht më i korruptuari në po këtë Europë... që të dy këta do ishin sjellë krejt ndryshe prej F.Sejdiut e HThaçit.
Por mbase këta të dy janë duke menduar që ky sistemi i tyre i lajmeve lajthitëse për “Punën” e tyre do t’i mbajë gjatë aty ku janë. Ta shohim.