E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambiguiteti identitar i LSI

LSI, një parti, e cila qysh prej themelimit të saj ka pretenduar të krijojë polin e tretë në politikën shqiptare, së fundmi po kalon një moment ambiguiteti identitar. Në fakt, qysh prej themelimit të saj LSI ka qenë vazhdimisht në një kategori më vete. Prej vetë periudhës së shkurtër të ekzistencës së saj ajo nuk ka pasur, dhe nuk do mund të ketë, të njëjtin identitet historik si PS e PD që kanë dominuar skenën politike shqiptare në këto 18 vjet tranzicion. Por, për një kohë, falë kundërvënies ndaj politikës dhe keqqeverisjes së Fatos Nanos, kjo parti shihej si një alternativë serioze e tërheqëse nga një pjesë e madhe e elektoratit të majtë shqiptar. Sot, në mënyrë ironike pikërisht kjo histori e përkufizimit të identitetit të LSI si opozitë ndaj Fatos Nanos, po shndërrohet aktualisht në thembrën e Akilit të kësaj force.

Me kalimin e viteve, LSI s’arriti të artikulojë e promovojë dot një program apo alternativë të besueshme e afatgjatë mbi të cilën të mbështetej identiteti i saj politik. Është gjithnjë më e lehtë të thuash çfarë nuk përfaqëson sesa të artikulosh atë që përfaqëson. Duke iu dorëzuar kësaj “lehtësie”, në momentin që “armiku” që përdorej si alter ego u zhduk nga skena, befas e gjithë ngrehina identitare e ndërtuar kësisoj, hyri në krizë.

Me ikjen e Fatos Nanos nga kreu i PS, LSI humbi raison d’être të saj, një fakt ky që ka sjellë edhe krizën dhe ambiguitetin e sotëm identitar të saj.

Ndaj sot, shtrohet me të drejtë pyetja: çfarë përfaqëson LSI, një forcë që e kishte lidhur ngushtë ofertën e saj politike me kundërvënien ndaj Nanos, kur Nano nuk është më? Me sa kanë treguar zhvillimet e muajve të fundit LSI ka zgjedhur t’i përgjigjet kësaj pyetjeje duke ju kundërvënë sërish PS dhe atij që kjo forcë e quan shpesh me përbuzje “kryetari i radhës i PS” (një përcaktim ky mjaft domethënës mbi konceptin e LSI për kryetarët, pasi në një sistem demokratik, kryetarët normal që do jenë “të radhës”).

Ironike është që nga një parti që i kishte shpallur “luftë” të hapur Nanos e të tijve, tani LSI po përpiqet të mbledhë rreth vetes sa më shumë nga armiqtë e dikurshëm. Prej këtej rrjedh dhe ambiguiteti identitar me të cilin po bën tashmë llogaritë LSI, duke qenë se tentativa të tilla nuk mund të justifikohen kurrsesi me anë të parimeve të deklaruara të LSI, por vetëm me anë të një parimi mjaft më cinik sipas të cilit “armiku i armikut tim, është miku im”. Dhe ndonëse ky mund të mos ketë qenë parimi mbi të cilin u themelua kjo forcë, si mund të shpjegohet ndryshe përfshirja e, le të themi L.Ramës, në një post të rëndësishëm në LSI? Apo mos është më tepër se oportunizëm politik shtrëngimi i aleancave me P.Koçin, që vetëm pak ditë më parë arriti ta falte Ilir Metën për humbjen e zgjedhjeve në 2005? Jo vetëm kaq por Koçi deklaroi hapur se përveç Luan Memushit, etj., në partinë e krijuar rishtazi prej tij, e rrjedhimisht në aleancën me LSI, ka vend dhe për Fatos Nanon. A ndan dhe LSI këto qëndrime vallë? Këto janë pikëpyetjeve të mëdha parimore e morale.

Ka edhe një problem tjetër mjaft serioz. Siç është e qartë për gjithë, sjellja e LSI ndihmon më shumë nga të gjithë Berishën. Ndaj radikalizmi i ligjërimit anti-PS të LSI, si zor t’i duket si ogur i mirë elektoratit të majtë shqiptar, për të cilin ka rëndësi vetëm një gjë: largimi i Berishës nga pushteti në zgjedhjet e 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›