Gjuhë dhe Gjak
Një artikull para pak ditësh i Arbën Xhaferrit (“Nacionalizmi cinik”, “Shekulli”, 6 shtator 2008) më rikujtoi sa të tepruara, në mos foshnjore, tingëllojnë ndonjëherë pretendimet e përsëritura të fqinjëve tanë sllavo-maqedonas për lidhjet e tyre të posaçme e të privilegjuara me maqedonasit e lashtësisë dhe bëmat e Aleksandrit të Madh. Në të vërtetë, përvetësimi i një të kaluare të imagjinuar - edhe pse jo domosdoshmërisht imagjinare - për të energjizuar krenarinë ose identitetin kombëtar, nuk ndeshet vetëm në fqinjët lindorë të Shqipërisë, as do marrë për simptomë kulturash të reja, në kërkim të ethshëm të parësh dhe heronjsh stërgjyshorë.
Bullgarët kanë kohë që kujdesen për t’u identifikuar, njëfarësoj, me fiset trake që jetonin në trojet e Bullgarisë së sotme para se të dyndeshin atje latinët më parë e sllavët më pas; edhe pse bullgarët vetë sot flasin një gjuhë të grupit sllav dhe e kanë marrë emrin kombëtar nga një fis turk që zbriti në Ballkan në Mesjetën e Hershme.
Turqit modernë, nga ana e tyre, pasi ia zhvoshkën kulturës së tyre koren osmano-arabe, gjithnjë tregojnë interesim të veçantë për kulturën e hititëve dhe rrënojat që kanë mbijetuar prej qytetërimit të kësaj popullsie indo-evropiane, e cila jetonte në Azinë e Vogël mijëra vjet para se të shfaqeshin atje fiset osmane.
Edhe egjiptianët e sotëm, popull arab që flet arabisht, nuk ngurrojnë të gjejnë te egjiptianët e lashtë të faraonëve dhe të piramidave stërgjyshët e tyre të ligjshëm; dhe të krenohen me piramidat, sfinksin dhe monumentet e tjera madhështore të lëna nga këta pararendës të lavdishëm.
Për t’u kthyer në Ballkan, në veri të Shqipërisë, kroatët e tanimë edhe boshnjakët u kanë mëshuar fijeve të shumta që i lidhin me ilirët e Dalmacisë, edhe pse të dy këta popuj flasin një gjuhë sllave dhe u përkasin, etnikisht, sllavëve të jugut - në kulturë, tradita dhe histori.
Më anën tjetër të gadishullit tonë kaq multi-etnik, rumunët, që si popullsi dhe si gjuhë janë vazhdues të latinitetit, sjellë e mbjellë prej Romës në Ballkan, i selitin me pasion të madh lidhjet e tyre të mirëfillta e të imagjinuara me dakët, fis që mund të ketë qenë i afërt me trakët e bullgarëve, por mund edhe të mos ketë qenë.
Sa duhen marrë për të besueshme mitologji të tilla? A duhen shpërfillur si përpjekje fëminore të kombeve të reja për t’ia dhuruar, në mos adhuruar, një histori dinjitoze vetvetes? Këtyre pyetjeve nuk u përgjigjesh dot lehtë. Megjithatë, nga ana tjetër, nuk ka as arsye pse të njëjtësohet me çdo kusht gjuha me popullin që e flet, gabim ky që ndonjëherë historiografia moderne nuk e ka shmangur dot.
Nuk ka dyshim, për shembull, që rumanishtja është gjuhë romane, “motër” e italishtes, frëngjishtes, spanjishtes e portugalishtes. Por kjo nuk do të thotë që rumunët, etnikisht, janë medoemos “vëllezër gjaku” me italianët, francezët, spanjollët e portugezët.
Është vërejtur, bie fjala, se francezët, si popull, kanë një përbërëse të fortë kelte-galike, edhe pse kjo nuk duket shumë në leksik e në gramatikë të frëngjishtes; rumunët, nga ana e tyre, kanë edhe ata karakteristika të spikatura, gjuhësore dhe jogjuhësore, që i dallojnë nga popujt e tjerë neolatinë, e që, pas gjase, pjesërisht i kanë trashëguar nga popullsia vendase e dakëve, të cilët u asimiluan prej Romës.
Anglezët e sotëm, po t’i gjykosh nga gjuha që flasin, dalin gjysmë të romanizuar - meqë leksiku i anglishtes moderne ka një numër shumë të madh fjalësh me prejardhje nga gjuhët romane; por këto fjalë i detyrohen kryesisht periudhës së sundimit të Britanisë së Madhe nga aristokracia normane, e cila mbetej, përndryshe, numerikisht e papërfillshme në raport me popullsinë vendase anglo-saksone (gjermanike) dhe pjesërisht ndoshta edhe kelte.
Po ashtu, greqishtja e re është qartazi vazhduese e greqishtes së vjetër, madje edhe asaj homerike, çka është vështirë të pohohet, me po aq siguri, për grekët e sotëm si popullsi, të cilët në rrjedhë të mijëvjeçarëve kanë përvetësuar trashëgimi të gjenetike dhe kulturore të shumëllojshme, prej sllavëve, vllehëve dhe sidomos arbërorëve në Mesjetë.
Në Itali, dallimet e mëdha etnike dhe kulturore midis Jugut dhe Veriut kanë lidhje edhe me praninë e një përbërëseje të qëndrueshme greke dhe arbërore (bizantine) në jug të Gadishullit të Apenineve, e cila i kundërvihet një komponenteje gjermanike në veri të gadishullit - pa përmendur pastaj nënshtratin etrusk që thuhet se paska mbijetuar deri edhe biologjikisht në Toscana e në Marche, nënshtratin kelt në Liguria, dhe të tjera nënshtrate italike jolatine.
Edhe Doruntina e legjendës sonë, po të kish pasur fat tjetër e të kish lënë pasardhës të shumtë atje ku e kishin martuar, do të kish përhapur gjenet e veta arbërore në Boheminë e largët, për të lënë gjurmë, të pashpjegueshme dhe enigmatike, në hartat gjenetike të çekëve dhe ndoshta të gjermanëve modernë. Përndryshe, siç njoftonte seriozisht “The National Geographic” para disa vjetësh (2003), ka gjasa se rreth 0,5% e meshkujve sot në botë, ose 16 milionë vetë, rrjedhin drejtpërdrejt prej Çengiz Khan-it; i cili, për ta thënë me fjalët e autorit të artikullit në revistë, jo vetëm që krijoi perandorinë më të madhe të botës, por ndihmoi edhe që ta popullonte!
Raste të tilla janë të jashtëzakonshme, madje përjashtime, por e vërteta është se shndërrimet dhe ndërrimet e gjuhëve jo gjithnjë përkojnë me lëvizjet dhe zhvendosjet e popujve. Edhe vetë përhapja e gjuhëve indo-europiane në Eurazi nuk duhet kuptuar aq si shpërthim demografik popujsh, sesa si zgjerim hapësinor i një kulture të epërme, e cila iu mbivendos, aristokratikisht, kulturave para-indoevropiane ekzistuese dhe, me kohë, i asimiloi.
Kjo don të thotë se popujt mund edhe të ndërrojnë gjuhë. Rumunët e sotëm nuk janë aq vazhdues kryeneçë të kolonëve latinë në Ballkan, sesa pasardhës të stërgjyshërve të tyre dakë të asimiluar prej Romës. Francezët, që deri edhe emrin kombëtar e morën nga fisi gjermanik i frankëve, përndryshe etnikisht i papërfillshëm në popullsinë frënge, janë kryesisht pasardhës të popullsive të romanizuara kelte të Galisë së lashtë.
Suksesi i një kulture, që sjell me vete edhe suksesin e gjuhës përkatëse në dëm të gjuhëve humbëse, nuk shpie doemos në zëvendësimin fizik të një popullsie me një tjetër. Humbësit mund të përfundojnë demografikisht të pafavorizuar, por kjo s’do të thotë se janë shfarosur; përkundrazi, zakonisht mbijetojnë duke adoptuar kulturën tjetër; madje ndonjëherë hakmerren ndaj fitimtarëve duke i ripushtuar gjenetikisht. Ky proces është i ngjashëm me çka ndodhi me romakët në lashtësi, të cilët u pushtuan kulturorisht prej grekëve, pasi i pushtuan.
Edhe për zanafillën e shqiptarëve dhe të shqipes do të vlente i njëjti arsyetim parimor: madje hipoteza e mbrojtur me ngulm prej shumë arkeologëve dhe historianëve, që shqiptarët e sotëm janë pasardhës të drejtpërdrejtë një fisi ilirësh të jugut, tingëllon sot për sot më e mbështetur se hipoteza tjetër, që gjuha shqipe është vazhduese e drejtpërdrejtë e një dialekti të ilirishtes jugore.
Disa vështirësi objektive që ndeshin përkrahësit e hipotezës së dytë e që kanë të bëjnë më tepër me faktin që këtë ilirishte jugore as e njeh as e ka përshkruar kush, nuk mjaftojnë për ta zhvlerësuar të parën; dhe zhvillimet gjithnjë e më premtuese në fushën e gjenetikës së popullsive njerëzore po e bëjnë gjithnjë e më të qartë nevojën për t’i mbajtur të ndara të dy perspektivat.
Për fat të keq, jo rrallë qëllon që rezultatet, shpesh të përkohshme dhe të kufizuara të kërkimeve në këto fusha t’i komunikohen publikut me forma dhe zhargone të huazuara nga teori mitologjike gjysmë-naziste, siç është rasti i trumbetuar së fundi, i lidhjeve hipotetike midis përhapjes së fibrozës cistike në Shqipëri dhe përkatësisë “ariane” të shqiptarëve. Analizat gjenetike i ndihmojnë së tepërmi historisë së zhvendosjeve të popujve sidomos në lashtësi, por nuk mund të shërbejnë si bazë për të zhvarrosur mite dhe doktrina që është mirë të lihen të kalbura.
Përndryshe, kulturat përcillen edhe ato në kohë, njëlloj si gjenet; madje gjuhëve mund t’u atribuohet një rol i ngjashëm me atë të gjallesave, të cilat ndihmojnë për t’i transmetuar këto bërthama informacioni - këtu biologjik, aty kulturor - nga një brez në tjetrin, nga një shekull në tjetrin, e nga një mijëvjeçar në tjetrin. Në të dy rastet, e reja ushqehet me kodet e së vjetrës, duke i riformuluar, siç riformulon gjaku ujin e detit. Si çdo popull tjetër, edhe shqiptarët janë produkt i së shkuarës; por nuk ka asgjë në këtë të shkuar, sado mitike e të imagjinuar, që t’ua diktojë me çdo kusht të ardhmen.